12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Politikë për librin

Ndriçim Kulla

Botimi i librave në Shqipëri është në krizë, ndërkohë që Ministria e Kulturës ka ulur me rreth 60% buxhetin për botime. Kulla shkruan se është e nevojshme të zbatohen politika më stimuluese.

Shqipëria, është një vend me një dinamikë të vrullshme dhe me një masë të madhe të rinjsh që vërshojnë në tregun e punës. Të gjithë këta cilësorë, kërkojnë elementë të rinj që duhen përcaktuar për të përmbushur edukimin e tyre të duhur kulturor, kombëtar dhe profesional. Më vete, libri shqip, për nga përmasat e tregut dhe ngadalësia e qarkullimit të librave në këtë treg, nuk ia ka dalë dhe nuk do t’ia dalë dot kurrë të jetë në të njëjtën gjatësi vale me afrimin e librave më të rinj, ose atij “bagazhi” të domosdoshëm librash të këtyre dekadave të fundit, sidomos për fushat teknik-profesionale dhe ato të shkencave humane (filozofi, psikologji, sociologji etj.), që u përkasin fashave të kufizuara të publikut dhe nuk e tërheqin investimin nga ana financiare. Po njëlloj, madje këtu rrezikshmëria e mos-afrimit ndaj publikut të veprave më përfaqësuese të albanologjisë e historisë shqiptare, mund të sjellë hapjen e hendeqeve të pamasë, e madje të parikuperueshme në formimin e brezit të ri, me këto dije bazë të çdo shkolle apo sistemi .

Duhet të kuptojmë seriozisht se boshllëku ynë i madh në raftet e bibliotekave tona shtëpiake dhe shkollore me libra të tillë, i kalon përmasat e një nevoje të paplotësuar. Idealizmi dhe përqendrimi i mjaft botuesve shqiptarë në botimin e librave të tillë specifikë, por themelorë për nga dijet dhe vlerat që përçojnë, nuk ka arritur të prodhojë gjatë gjithë këtyre 20 viteve p.sh., atë kolanë klasike apo le ta quajmë atë “kategori të pashmangshme referimi” librash, të shkencave humane që duhet ta ketë çdo njeri në shtëpi dhe në shkollë. Po njësoj mund të themi sidomos për trashëgiminë tonë mendore dhe albanologjinë, për të cilën mund të themi pa ndrojtje se ministrja Kumbaro është kujdesur t’ia vërë kyçin me dorën e saj . Sot libri shqip është në krizë të thellë. Madje në krizë jashtëzakonisht të thellë është dhe vetë ideja për kulturën e librit. Numri i botimeve dhe i veprimtarive kushtuar librit që mbështet Ministria e Kulturës, ka rënë në masën – 60% të kuotës së mbështetur prej vitit 2005-2013. Në vitin 2013, shkrihet edhe e vetmja strukturë administrative dhe përgjegjëse për politikat për librin në Shqipëri.

Është viti i tretë që nuk miratohet në buxhetin e përvitshëm Fondi Kombëtar i Librit dhe çdo projekt në fushën e botimeve ose krijimtarisë i lihet spontanitetit

Në vitin 2006, krijohet për herë të parë me anë të ligjit për librin Fondi Kombëtar për Librin, i cili si hap i parë programonte 20% të fondit të Ministrisë së Kulturës veçanërisht për librin.

Por në vitin 2013 dhe deri aktualisht titullarja e ministrisë, e shkatërroi këtë fond duke e katandisur në 7 %, ku dhe këto thërrime jepen vetëm për përkthimin. Në vitin 2006 është akorduar çmimi i bibliofilisë për veprat që shquhen jo vetëm për realizmin tipografik të tyre, por edhe për përmbajtjen me anë të së cilës shpalosen vlerat fondamentale të kulturës së shkruar të një kombi. Në vitin 2013 çmimi Kombëtar i Bibliofilisë degradon fare, ku pas dy vitesh pezullim për vitin 2015, Biblioteka Kombëtare nderon me këtë çmim të lartë dhe unik në Shqipëri (dhe asnjëherë i komentuar nga media dhe publiku), vëllimin poetik “Vrima”. Efektet e kësaj politike rrafshonjëse për çdo gjë të mirë, që ishte krijuar modestisht me shumë mundim nga botuesit, studiuesit, por edhe drejtues qeveritar dashamirës të librit, si: Sali Berisha, Bujar Leskaj, Arta Dade, Blendi Klosi etj., ndihen ndjeshëm në gjendjen tepër të rëndë sociale të librit. Libri sot është si mos më keq. Panairet e dikurshme tradicionale të librit, që ndihmoheshin nga çdo qeveri kush më shumë dhe kush më pak, edhe në ditë shumë të vështira, nuk ndihmohen më nga kjo qeveri, ose ndihmohen si me thënë “më ka çu Lala me la gojën”. Niveli i titujve të rinj në tregun shqip, ka një rënie drastike dhe frikësuese, gati gjysmë për gjysmë. Duke ndjekur informacionin e shifrave mëson me dhimbje se niveli i lexuesve shqiptarë ka arritur aktualisht 56 % të lexueseve maqedonas.

Çfarë po ndodh kështu? A e ndjen kush alarmin e kësaj këmbane shkatërruese nga qeveria? A është i shqetësuar dikush në këtë qeveri? A e do kjo qeveri librin apo e ka shpallur armik? Tregu ynë i librit është specifik. Dhe ne jemi një treg i vogël dhe i përçarë. Ne kemi një gjuhë unikale dhe kemi veçse afro 100 vjet që e shkruajmë dhe lexojmë në gjuhën tonë dhe për pasojë kemi gropa të mëdha kolanash nga kultura e qytetërimeve të papërkthyera ende. Çfarë strategjie ka për këto probleme të madha qeveria ? Asnjë qeveri nuk do ta linte fatin e librit shqip në mëshirën barbare të këtij tregu, me këto veçori specifike që ka libri shqip, siç po e lë kjo qeveri. Ndoshta nga që është i qetë, i pazhurmshëm, i mençur apo nga që ai nuk e çjerr kurrë zërin, libri po harrohet dhe anashkalohet. Ai e ka të pamundur të ankohet e të ngrejë zërin për t’u diktuar në sallat e mëdha të debateve mbi ekonominë dhe biznesin. Ai është si ajo “Hirushja e bukur” e përrallës, që merret shpesh në ballot që organizon ekonomia dhe politika, por vetëm për të stolisur individët dhe ambientin e tyre, veç vetëm në dukje. Për fat të keq, zëri i tij sot nuk po dëgjohet e kuptohet në fuqinë dhe thellësinë e vet.

Fuqia e mendjes që ai kultivon, nuk po e bënë “mikeshën” e përhershme të çdo tryeze, me një vend të caktuar në çdo debat e diskutim ekonomik, në çdo zë buxheti, qoftë qendror apo vendor. Madje duket se kjo qeveri po e zbon vetë librin nga këto tryeza. Ndaj mendoj se ka ardhur momenti, i diktuar gjithnjë e më shumë nga koha e fuqisë së mendjes, që libri të ketë vendin e vetë në buxhetin e kësaj qeverie dhe çdo qeverie, bashkie apo institucioni, pasi të gjithë bashkë, pak nga pak, mund ta bëjnë që zëri i tij të arrijë të ushtojë e të dëgjohet fort në ndërgjegjen dhe formimin e çdo të riu apo fëmije në shkollë, apo dhe të çdo individi shqiptar në jetën e tij

Më Shumë

“Beteja 3” në fundjavë

Fundjava pritet të jetë edhe më e ‘zjarrtë’ në basketbollin e Kosovës. Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinale të “Play-offit” në...

Julia Fox për lidhjen me Kanye West: Më la shije të hidhur!

Ylli i “Uncut Gems” Julia Fox tha për revistën InStyle se lidhja në fakt i la “një shije të keqe”. Dhe tani, për shkak...

Lajmet e Fundit