28.5 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025

LDK, mos u fsheh!

Shkelqim Hysenaj

Hedhja e gazit të parë lotsjellës, që çoi në bllokimin e punimeve të Kuvendit, këtu e gjashtë muaj më parë, gati nga të gjithë dhe sidomos nga ata të koalicionit PDK-LDK u parodizua pa fre. Asnjë prej tyre nuk do ta besonte se ajo që nisi si një gjetje e çastit do të paralizonte Parlamentin edhe pas gjashtë muajsh. Asnjë prej tyre nuk do ta besonte se gazi lotsjellës do të ishte “eureka” e opozitës, leva që kërkonte Arkimedi.

Ashtu siç nuk e ka besuar asnjë, se gazi do të jetë po aq i “fortë” sa dhe pozicionet fort të kundërta që krijuan mes tyre partitë politike në vend. Të gjendur në këtë situatë pa rrugëdalje, Thaçi-Mustafa u detyruan që ta ndërrojnë mënyrën e qëndrimit ndaj opozitës, tashmë duke u përpjekur që qytetarëve t’ua shesin idenë e pavlerë të dialogut në spektrin politik. Kryeministri, Isa Mustafa, që s’u votua as nga deputetët e partisë së tij, ka harruar shumë shpejt veprimin dinak për prishje të koalicionit VLAN.

Çdo thirrje që vjen nga ai për opozitarët është e pasinqertë dhe në këtë grackë nuk duhet të rrëshqasë asnjë nga liderët e opozitës. Ata duhet t’i thonë “Jo” dialogut, për faktin se Isa Mustafa i mashtroi të gjithë. Mashtroi deputetët, simpatizantët, votuesit e LDK-së, të “Vetëvendosjes”, të “Nismës” dhe të AAK-së. Si për çudi gjatë seancës së fundit, pasi opozita hodhi gazin lotsjellës në sallë, u panë fare pak deputetë të LDK-së, të mos flasim për ministrat dhe përfaqësuesit e tjerë të këtij subjekti.

Ndonëse janë në pushtet dhe udhëheqin me Qeverinë ata u larguan duke e lënë PDK-në të përballet e vetme me opozitën. Kryeministri, ministri i Brendshëm e as ai i FSK-së nuk u dukën gjatë kohës gjersa situata u tensionua brenda sallës në Kuvend. Isa Mustafa është i vetëdijshëm se në këto rrethana nuk do të mundë të çojë përpara asnjë nga planet dhe agjendat e tij, madje as atë të zgjedhjes së Thaçit president.

Frika nga rënia e Qeverisë e ka shtyrë partinë e Isa Mustafës që të bëjë fushatë për Hashim Thaçin, në mënyrë që të bëhet president. Isa Mustafa s’u ndal së foluri se si ai do t’i sigurojë votat për Presidencën e Hashim Thaçit, dikur por dhe tani, kundërshtarit më të madh politik që ka pasur LDK-ja. Si për të na mashtruar edhe në çështjen e presidentit, kryeministri u mundua vazhdimisht ditët e fundit ta lidhte me agjenda evropiane, ligje që duhen miratuar, por kjo gjë mbetet vetëm një sajesë. Kryeministër, mos na lodhni me agjenda evropiane! Zgjedhja e presidentit për ju është prioritet.

Por, a do t’ia arrijë ta zgjedhë Mustafa Thaçin president. Jo! Këtë do të mundë ta bëjë vetëm në salla alternative ose me përjashtimin e të gjithë deputetëve opozitarë. Mustafa që i mëshon fort argumentit se në Kuvend palët duhet të sillen institucionalisht, si mund të kërkojë ta zgjedhë president “armikun” e betuar të LDK-së pa praninë e ligjvënësve opozitarë.

Çfarë duhet të bëjë LDK-ja?

Duhet të dalë kundër partnerit të koalicionit. Në të kundërtën do të jetë i destinuar që në zgjedhjet, të cilat me gjasë nuk do të vonojnë, do të jetë parti e dorës së dytë. Mustafa duhet të fillojë të luajë “lojën” e Hashimit, i cili për të ruajtur pushtetin e tij dhe të partisë së tij përdor çdo skenar të mundshëm. Në këto kushte, LDK-ja mund të nisë e vetme diskutime me partitë e tjera politike, por, pse jo, nëse kjo gjendje s’ka përfundim, edhe të dalë nga koalicioni dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

LDK-ja duhet të jetë më e guximshme sepse edhe nëse nuk arrin ta zgjedhë Hashim Thaçin president, në çdo skenar tjetër do të mbesin pa pushtet./zeri/

Më Shumë

Me armë në brez në qendër të Suharekës – Arrestohet 25 vjeçari nga Suhareka

Një person është arrestuar mbrëmjen e së martës në Suharekë, pasi gjatë kontrollit në veturën e tij, policia ka zbuluar një armë zjarri të...

Globoqica me ndriçim publik – Komuna e Dragashit përmbush edhe një premtim

Fshati Globoqicë tashmë ka ndriçim publik funksional, pas përfundimit të projektit të realizuar nga Komuna e Dragashit, raporton Prizren Press. Ky investim pritet të përmirësojë...

Lajmet e Fundit