Shkruan: Blerim Çoçaj
8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren.
Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze.
Drejtësia vendore e ndërkombëtare, ka dështuar në gjetjen e vrasësve.
19 vjet pas, familjarët kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”.
Ruzhdi Rexha, vëllai i “Drinit” tregon se, dëshira e familjes është që kjo vrasje të ndriçohet sa më shpejt.
“Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që të zbardhin këtë vrasje”, thotë Rexha, shkruan “PrizrenPress”.
Ish-komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha -‘Drini’ u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” , në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.
Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.
Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.
Gjykata Speciale, pritet ndërkaq që ta rikthejë rastin e vrasjes së “Drinit”.
Ajo në dhjetor të vitit të kaluar, ka ftuar dëshmitarin kryesor të këtij krimi, Remzi Shalën.
Ai nuk i është përgjigjur ftesës.
Në vitin 2002, Shala, ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qen një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.
Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij.
Pas vrasjes së komandant “Drinit”, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut e shefit të tij.
Remzi Shala nga Suhareka u vetë-deklarua se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë. Në një postim në “Facebook”, ish-pjesëtari i UÇK ‘së pati shkruar se nuk do t’i përgjigjet Speciales, pasi nuk e njeh këtë institucion.
Prokurori i Gjykatës Speciale, vitin e kaluar po ashtu është raportuar se ka marrë disa dosje në Gjykatën e Prizrenit, për krimet e luftës e pasluftës.
Ky organ i ndjekjes ka kohë që është duke bërë hetime në Kosovë, në lidhej me krimet e supozuara të pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku janë intervistuar një numër i madh i dëshmitareve e të akuzuarve të mundshëm.
Njëra nga vrasjet më misterioze që pati tronditur Prizrenin, pasluftës ka qenë vrasja e komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’.
Vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha ka humbër besimin në drejtësi.
“Në atë kohë ishte UNMIK-u. Edhe pse i mbajti dy procese, dështoi në zbardhjen e vrasjes së ‘Drinit’. Ne jemi djegur dhe nuk e di a mund t’i besojmë më profesionalizimit të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ai, për “PrizrenPress”.
Ai thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar dy herë në gjetjen e vrasësve të “Drinit”.
“Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë që kjo vrasje të zbardhet nga organet tona. Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që të zbardhin këtë vrasje. Për ne është e rëndësishme që të zbardhet vrasja, pavarësisht se kush e bënë vendorë apo ndërkombëtarë“, shprehet ai.
Qamile Rexha, nëna e komandant “Drinit” tregon se, Ekremi ishte djali më i mirë i saj.
“Por, na vranë”.
Ajo, ka një dëshirë para vdekjes.
“Veç të gjendet kush e vrau,” shprehet nëna Qamile.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në shkurt të vitit të kaluar, dekoroi me Medaljen e Pavarësisë bashkëshorten dhe dy djemtë e ish- komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-“Drini”. /PrizrenPress.com/