10.9 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

20 mijë euro për të emigruar në SHBA me dokumente italiane

Pas një hetimi 6-mujor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, policia arreston në flagrancë pesë persona, të cilët nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara trafikonin klandestinë në gjithë botën kundrejt pagesave nga 5 mijë deri në 20 mijë euro.

Një dokument i falsifikuar që ra në dorë të prokurorisë rreth 6 muaj më parë, çoi në zbulimin e një grupi të strukturuar kriminal, i cili nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara trafikonte klandestinë në të gjitha vendet e Europës, SHBA-së dhe Kanada.

Pas një hetimi 6-mujor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u bë i mundur zbulimi i dy bazave të falsifikimit të dokumenteve në Tiranë dhe Shkodër, ndërsa në pranga përfunduan pesë persona si pjesë e grupit.

Policia i konsideroi të arrestuarit pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që kryenin falsifikimin e dokumenteve për llogari të personave që donin të udhëtonin jashtë vendit si shtetas të huaj. Në operacion e koduar “Emigracioni i Paligjshëm”, të zhvilluar në Tiranë dhe në Shkodër, janë zbuluar laboratorë të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas policisë, 5 të arrestuarit rekrutonin njerëz që ishin të interesuar të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kanadasë kundrejt shumave të parave. Për ata që donin të shkonin në vendet e BE-së duhet të paguanin 5000 euro, ndërsa 20 000 dollarë për në SHBA dhe Kanada.

Nga hetimet rezulton se pasi i pajisnin me dokumentacion të falsifikuar, kryesisht italian, personat e interesuar i instruktonin sesi duhet të silleshin në aeroportet e huaja dhe i orientonin me anë të telefonit. Personat e interesuar për të kaluar kufirin në dalje nga Shqipëria përdornin pasaportë biometrike dhe në aeroportet e huaja përdornin pasaportat e falsifikuara, me të cilat ishin pajisur nga grupi kriminal.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe ambientet në pronësi të të dyshuarve, policia gjeti pajisje që i kishin shndërruar në laboratorë të vërtetë falsifikimi.

“Nga kontrolli i ushtruar u gjetën dhe sekuestruan makineri prodhimi karta elektronike, pjesë e makinerisë, printer profesional, pistoletë zhurmuese, tri pasaporta italiane me gjeneralitete italiane, 24 karta identiteti italiane pa gjeneralitete dhe 10 karta identiteti italiane me gjeneralitete”, tha policia. Po ashtu, të arrestuarit kishin edhe leje drejtimi e leje qarkullimi italiane të falsifikuara, si dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për falsifikimin e dokumenteve, si letër të posaçme, vula, bojë, apo dhe mjetë të tjera që përdoreshin për kryerjen e falsifikimit të dokumenteve.

Të arrestuar:

Bajram Xhaja, 58 vjeç, banues në Tiranë

Kujtim Emiri, 59 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë

Xhelil Alla, 43 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë

Sofije Pepaj, 50 vjeç, lindur dhe banuese në Shkodër

Mihal Gjoka, 56 vjeç, banues në Tiranë

/Mapo/

Më Shumë

Policia në Prizren shpall në kërkim dy persona të dyshuar për vjedhje

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët lidhur me një rast penal të ndodhur më 28 shkurt...

Abdixhiku: Suhareka foli, i tha po ndryshimit që po troket në dyert e Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaron se Suhareka i tha “po” ndryshimit që po troket në dyert e Kosovës, pas tubimit që mbajti sonte...

Lajmet e Fundit