8.8 C
Prizren
E martë, 19 Mars, 2024

Poeti kombëtar

Fjala e mbajtur në Shkodër me rastin e promovimit të veprave të Gjergj Fishtës, në shënim të 150-vjetorit të lindjes së tij.

Nga: Sabri Hamiti

Të çmuar dijetarë e dinjitarë, miq të zemrës, që na ka mbledhur Gjergj Fishta në këtë solemnitet shpirtëror në Shkodër!

Gjergj Fishta dyzet vjet të krijimtarisë i bëri në Shkodër, si asnjë pararendës i tij. Poligrafia e tij letrare rrok lirikën, dramatikën e satirikën, duke rivizituar kulturat letrare antike greke e latine, me Homerin, tragjedianët grekë e poetët latinë dhe duke rikujtuar paraardhësit shqiptarë: Pal Engjëllin, Marin Barletin, Gjon Buzukun, Pjetër Bogdanin. Si nxënës e nyjëtues i Rilindjes shqiptare, u nis nga rrënjët e kësaj kulture për të bërë sublimimin e saj në trajtë letrare, mbështetur në imagjinatën popullore, në thelbin kanunor e kanonor të botës autentike. Të gjitha këto duke i kaluar nëpër pasionin e krijuesit që mbrendashkruan elementet klasike: ‘e vërteta’, ‘e drejta’, ‘bukuria’, ‘masa’.

Gjergj Fishta në eposin ‘Lahuta e Malcís’, heroikën barletiane e thuri në shqip në trollin shqiptar, duke krijuar variantet e heroikës vendëse: të luftëtarit (Oso Kuka), të mentarit (Marash Uci), të bukurisë e të dashurisë (Tringa). Kryevepra e tij krijoi idealen kombëtare të Votrës, për t’ia thënë Vetes e Botës, me një shqipe të gjallë, si paraqitëse thelbësore e jetës individuale e kolektive.

Në lirikën e tij vokative e metafizike, te ‘Mrizi i Zânavet’ e te ‘Vallja e Parrizit’, alternoi mjeshtërinë e artikulimit të figurës gjenuine me ndjeshmëri shpërthyese të shqipes dhe mjeshtërinë e versifikimit klasik të mendimit të thellësive, që rrokin frymën bogdaniane të krijuesit, krijimit dhe kujtesës, për të shkëlqyer me dramatikën e poezisë personale te ‘Nji lule vjeshtet’.

Format dramatike të veprës së tij ngjallin ndeshjen humane të botës shqiptare që lidhin kalimin e kësaj bote nga Antika në Modernitet. Format e dramave të Fishtës me tema të përjetshme të botës shqiptare nisin nga tragjedia klasike: ‘Juda Makabé’ e ‘Ifigjenia n’Aulli’ për të arritur te melodrama, ‘Jerina’, që shkon kah drama lirike. Krijuesi Fishta krijoi vet repertuarin dramatik të teatrit të Shkodrës, të cilin e themeloi.

Mirëpo Gjergj Fishta pasionant për shqiptarin shfaqet fuqishëm sidomos me satirikën, që e lidhë me realen, nëpërmes së cilës bën kirurgjinë e mentalitetit e mjedisit. Në një orë anatomie, krijuesi shenjon e përmbys të keqen e trashëguar dhe të keqen aktuale, në veprat ‘Anzat e Parnasit’ dhe Gomari i Babatasit. Madje satirën e vet rrënuese e ngreh në piedestal në veprën ‘Nën hajat të Parrizit’.

Të gjitha veprat letrare Fishta i shkruan në trajtë të vargut, popullor apo klasik, madje më kadencë e rimë. Mirëpo veprat kritike dhe estetike i shkruan në trajtë të prozës. Këtu krijuesi i jepet argumentit dhe diskutimit, porse nuk i ikën shkrimit me temperament. Kur pranon apo kur kundërshton, ligjërimi i tij shfaqet me fraza të ndërliqshme në trajtë gradacioni për të artikuluar përmbylljen me qartësi ekselente. Kjo, herë na kujton ligjëratën e Frang Bardhit te ‘Apologjia e Skënderbeut’, dhe më thellë e më shpesh ligjëratën e Pjetër Bogdanit te vepra ‘Cuneus Prophetarum’, që rrok dije kanonike, humane, zbuluese, të nyjëtuar me gjuhë konceptuale të habitshme.

Për të gjallë Fishta u bë shkrimtar i epokës, madje u kurorëzua Poet kombëtar, nga lexuesit dhe interpretuesit e dy brezave letrar. U quajt ‘popullor’, për ‘gjuhën shqipe’ të tij (Shantoja); u quajt ‘interpretues i shpirtit shqiptar’ (Koliqi), ‘epiku i shekullit’ (Poradeci); ‘hero i kulturës’ (Maloki); mirëpo mendimin përmbledhës të tyre e shkroi Zef Skiroi i riu në ‘Historinë e letërsisë shqipe’:

Në historinë e letërsisë kombëtare Gjergj Fishta zë në poezi dhe në ndërgjegjësimin e të qenit shqiptar atë vend që zë Skënderbeu në historinë politike e ushtarake të Shqipërisë. Për hir të këtij bashkimi, që është privilegj i gjenive, ‘nuk mund të mohohet Fishta pa mohuar Shqipërinë’.

Por, Shqipëria e diktaturës komuniste e ndaloi Gjeniun e letrave shqipe Gjergj Fishtën dhe eshtrat e këtij shqiptari i hodhi në lumë. Ngjashëm me zhvarrimin e Pjetër Bogdanit, më 1689, në Prishtinë!

Para 25 vjetësh, të prirë nga Zef Pllumi, u mblodhëm në Shkodër për t’i vënë në vend reliket e Fishtës dhe veprën e tij në piedestal. Po këtë vit u botua në Prishtinë vepra e poetit në katër vëllime.

Seicili ka tregimin e vet për leximin e Fishtës mbasi u ndalua nga diktatura shqiptare. Por askund nuk tingëlluan më me kumbim vargjet e thirrjet e Poetit se sa në Prishtinën e akullit e të furtunës të vitit 1997.

‘Oj Zânë, t’këndojm…t’vajtojm deshta me thânun’ dhe ‘Çohi, të dekun!’
Ashtu si kumbon edhe sot refreni i himnit të tij të flamurit:
Bini Toskë, ju, bini Gegë
Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!

Është kënga solemne e Gjergj shqiptarit, që patë zgjedhur emrin e vet artistik: Gegë Toska.

Kthimi solemn i Gjeniut të letrave është botimi i veprave të tij sot në Shkodër.

Më Shumë

Moti sot me vranësira, diell e shi

Sot parashihet të mbajë mot me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell. Kohë pas kohe pritet të ketë reshje lokale shiu, të cilat në...

59 vjet nga ndarja nga jeta e Fan Nolit

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të...

Lajmet e Fundit