13.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Prill, 2024

“Shtëpia e Lirisë” – Berisha zyrtarizon koalicionin me LSI-në

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat ka konfirmuar koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Sipas Berishës ky koalicion do të quhet “Shtëpia e Lirisë”.

Ai bëri me dije se, po negociohet edhe me partitë e tjera, të cilat duan të jenë pjesë e kësaj “shtëpie”.

“Negociata janë në vazhdim dhe deri sa janë në proces mund të them se këta kandidatë kanë një mbështetje të gjerë. Kandidatët janë shumë të pëlqyer”, deklaroi ish-lideri i selisë blu.

Nga konferenca, Berisha njoftoi se nëse kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për këto zgjedhje nuk arrijnë të fitojnë, ky komision do të mbajë përgjegjësinë totale.

I pyetur nga gazetarët se “nëse ndjen keqardhje se kandidatët do të garojnë nën logon e LSI-së, ai u ravijëzoi se Shtëpia e Lirisë do të ketë logon e saj të koalicionit.

“Logoja do të jetë e re. Koalicioni do të quhet ‘Shtëpia e Lirisë’ dhe do të ketë logon e vet. Logoja nuk është me e partisë, por e koalicionit”, deklaroi Berisha.

Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë

Komisioni i Rithemelimit ka përmbyllur procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve të lokaleve të 6 marsit, më 30 janar.

Rezultati i parë i dalë nga votimet, ka qenë ai i Vorës, ku 332 persona kanë votuar në tërësi.

Fitues ka dalë Lulzim Vrana, me 277 vota pro. Rivali i tij në garë, Luan Gani, ka marrë 55 vota.

Kryetari i Komisionit vendor të votimit dhe numërimit, Agron Marku, ishte ai i cili ka shpalosur edhe rezultatin e votimeve.

Në Dibër është shpallur fitues kandidati Premtim Kryemadhi, me 424 vota të marra prej 713 që ishin në total.

Dy kandidatët e tjerë, Behar Dema dhe Dafina Muda, kanë marrë respektivisht 158 dhe 121 vota. Dhjetë vota ndërkohë, kanë qenë të pavlefshme.

Durrësi ka parë fitues kandidatin Ardjan Muka, i cili ka marrë 1 mijë e 546 vota. Përballë tij ishte Silvja Gjepali, e cila nuk ka shkuar më shumë se 373 vota. Në këtë bashki, ka pasur 11 vota të pavlefshme.

Për Bashkinë e Rrogozhinës, personi më i votuar ka qenë Hekuran Xhani, me 211 vota. Kështu, ai do të jetë garues i Komisionit të Rithemelimit në zgjedhjet lokale të 6 marsit.

Kandidatët e tjerë kanë marrë numër më të ulët votash, ku më i afërti ka qenë Sokol Gosa, me 70 të tilla. Eqerem Deliu mori 23 vota, Vladimir Manushi shtatë dhe Hajrulla Tafa, tre të tilla.

Bashkia e Lushnjës do të ketë për kandidat nga lëvizja e Berishës Elton Banon, i cili mori 671 vota në primare.

Mes katër kandidatësh, Bano ka arritur të sigurojë më shumë se gjysmën e votave.

Arben Zaimi mori 240 të tilla, Erion Iljazi 49 dhe Indrit Qerimi, 92.

Bardh Spahia, do të kompletojë listën e Berishës, pasi ka rezultuar fitues në procesin e zhvilluar në Shkodër.

Kështu, gjashtë kandidatët e Komisionit të Rithemelimit, do të kenë tashmë një muaj kohë, për të zhvilluar fushatën e tyre në rrethet përkatëse. /Albanianpost.com

Më Shumë

Kryetari Shaqir Totaj në SHBA afirmon bashkëpunimin e Prizrenit me Amerikën

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me Drejtoreshën e Zyrës së Evropës...

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

Lajmet e Fundit