7.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Prizren, shtyhet rigjykimi për vrasje në tentativë shkaku i mosmarrëveshjes rreth rrugës dhe largimit të cungave

Për shkak mungesës së të akuzuarve Rinor Xhaferi dhe Bekim Xhaferi, ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Në këtë rast, Rinor Xhaferi akuzohet për veprën penale “Vrasja në tentativë”, Bekim Xhaferi akuzohet për “Pjesëmarrja në rrahje”, ndërsa Agron Sopaj akuzohet për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Lëndim të lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi tha se dy të akuzuarit Xhaferi janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Rinor Xhaferi, avokati Esat Gutaj, ka thënë se përmes telefonit nga i mbrojturi i tij është njoftuar se nuk mund të jetë prezent për arsye personale.

Ndërsa, i pranishëm në seancë ishte i akuzuari Sopaj dhe prokurori Genc Nixha.

Gjykatësja Skenderi tha se në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë do të shtyhet, ndërsa e radhës për këtë rast do të mbahet më 13 mars 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, e ku i akuzuari Rinor Xhaferi, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e ishte dënuar me 15 muaj burgim. Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues kishte rikulifikuar veprën penale nga “Vrasje në tentativë” nga neni 178 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal, në veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 189, par.1.1 të Kodit Penal.

Kurse, Bekim Xhaferi ishte shpallur fajtor për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” dhe ishte dënuar me tre muaj burgim.

Ndërsa, Agron Sopaj ishte shpallur fajtor për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Për lëndim të rëndë trupor, Sopaj ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.

Por, pasi që palët kishin ushtruar ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019, e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas vlerësimit të pretendimeve në ankesa, Apeli vlerësoi se aktgjykimi i kundërshtuar pëmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, par.1, nënpar. 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale.

“Sepse i njëjti nuk përmban gjendjen e fakteve të cilën e ka vërtetuar në bazë të provave të administruara dhe nuk janë dhënë arsye për provat kontradiktore. Aktgjykimi i kundërshtuar është mjaft voluminoz në mënyrë narrative ka dhënë përshkrimin e deponimeve të të gjithë dëshmitarëve dhe provave tjera, pa dhënë konkludimin e vet përkitazi me saktësinë e provave të administruara, cila është gjendja e fakteve të cilën e ka vërtetuar për çfarë arsyesh është mbështet një provë ose jo, etj”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Lidhur me rikualifikimin e veprës penale, Apeli vlerëson se konkludimi i tillë nuk mund të merret si i drejtë dhe i ligjshëm.

“Ky konkludim i gjykatës së shkallës së parë nuk mund të merret si i drejtë dhe i ligjshëm jo vetëm për faktin se janë dhënë arsye të paqarta-kundërthënëse respektivisht nuk janë dhënë arsye të duhura, por edhe për faktin se për ekzistimin e veprës penale të vrasjes në tentativë, nuk kërkohet që kjo vepër penale të kryhet vetëm me dashje direkte, ashtu siç gabimisht ka konkluduar gjykata e shkallës së parë sepse kjo vepër penale ekziston atëherë kur kryhet me dashje evntuale”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.

Fillimisht, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo pas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit Agron Sopaj, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi, akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi, akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.

Sipas prokurorisë, vepra ishte kryer në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.

Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga prokuroria ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi po akuzohet se ka kryer veprën penale, pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime, ai akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” si dhe “Lëndim i lehtë trupor”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Xhamia e Mlikës së Dragashit më e vjetër në Kosovë, besohet se u ndërtua nga një familje siriane

Xhamia e ndërtuar 735 vjet më parë në fshatin Mlikë të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës është xhamia më e vjetër në...

Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 516 gjoba trafiku në 24 orët e fundit. Ndërkaq, janë regjistruar edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve...

Lajmet e Fundit