Duhet të çlirohemi nga familja! Duhet të çlirohemi nga mind-seti nënshtrues që familja mbjell tek ne përmes dhunës fizike, e sidomos moral-psikologjike. Familja nuk duhet parë më si një institucion i shenjtë (seç kam një përshtypje se mbrapa çdo të shenjte fshihet një pisllëk i madh). Duhet parë si një grup social ku njerëzit që e përbëjnë atë familje i ndërtojnë relacionet e tyre mbi bazë të respektit të ndërsjellë, arsyes, e ku liritë, të drejtat dhe detyrimet i takojnë secilit. Familja nuk duhet parë as si detyrim, e as si nevojë
Dritan Dragusha
“Le të hedhë gurë mbi të ai që nuk ka mëkatuar kurrë!”, u thoshte Jezusi disa burrave që po hedhnin gur mbi një grua që kishte prishur kurorën. Sikur ta përmbysim këtë thënie në realitetin tonë kosovar, atëherë do t’i binte edhe kështu: le ta ngris dorën dikush që në familje nuk ka parë dhunë asnjëherë, ose ku ai vet nuk ka qenë i dhunuar ose dhunues?!
Babai e rrahu nënën pse ajo i kishte hedhur gjellës shumë krip, edhe pse, gjellës i mungonte edhe ca krip. Vëllai i vogël për të pestën herë i kërkoi që motra e madhe t’i sillte një gotë ujë dhe ajo e kryente këtë shërbim shpejt dhe pa fjalë. Nëna i kërkoi vajzës që t’i pastronte të gjitha enët e darkës dhe t’i rregullonte dhomat e fjetjes. Kjo mënyrë jetese ishte rutinore dhe për më keq marrëdhëniet e tilla nuk vëheshin në pikëpyetje, sepse ato ishin përbrendësuar aq shumë sa që përjetoheshin si marrëdhënie normale. Gjithçka që e karakterizonte familjen ishte dhuna, e cila kishte stratifikimet e saj. Babai rrah nënën, vllau torturon motrën, kurse nëna shfryen në vajzën e saj. Një cikël i normalizuar marrëdhëniesh dhunuese brenda një familje.
Kjo është, pak a shumë, pasqyra që e karakterizon familjen shqiptare dikur, e edhe sot. E tërë kjo dhunë mbulohet me një vello morale absurde, që ka për qëllim që të kodifikoj pastaj edhe sjelljet e secilit antar të familjes. Pra, vendi ku dhuna merr karakter shenjtërues, aty nga ku buron ajo, është familja. Dhunën që po e shohim sot nuk është e rastësishme, as si një devijim momental. Kjo dhunë vazhdimisht ujitet me shumë zell në shoqërinë tonë, duke filluar që në familje. Duke qenë shoqëri patriarkale, arkaike, familja tek ne është parë si institucioni më i lartë në hierarkinë e vlerave shoqërore (kështu shihet edhe sot). Kundërshtimi i familjes është kundërshtim i kryevlerës, pra, rrjedhimisht është kundërshtim i gjithë rendit vleror. Kjo ka bërë që të ndërtohen autoritete shoqërore që mënyrë jetese e kanë dhunën. Bindja ndaj këtyre autoriteteve dhunuese tek fëmiu ngulitet që në familje: mos fol!, mos ia kthe fjalën se është më i vjetër!, mos u vesh ashtu!, mos qesh!, mos…! Të gjitha këto MOS kanë ndikuar në formimin e karakterit tonë si individ, ku pastaj kjo ka bërë që ta ndërtojmë një shoqëri që dhunën e ka si mjet komunikimi.
Abuzimit permanent i ekspozohemi qysh në familje. Prandaj, shoqëria jonë në përgjithësi ka elemente autoritariste. Kjo shoqëri nuk ka mundur të çlirohet nga patriarkalizmi edhe përkundër zhvillimeve që kanë ndodh, madje, në disa raste ky zhvillim vetëm sa i ka barrikaduar edhe më fort në pozicionin fillestar. Jemi shoqëri sado-mazokiste. Bile-bile kjo është e vetmja formë e të ndërtuarit raporte mes nesh dhe një marrëdhënie të tillë e gjejmë të shtrirë në tërë konstruktin ndërsocial. Si në familje, në kopshte, në qytet, në shkolla, në universitete, në politikë etj., pothuajse në çdo raport interpersonal dhe institucional a grupor na karakterizon dhuna.
Mënyra se si një fëmi rritet, se si do të trajtohet nga prindërit e tij, nga familjarët, në shumicën e rasteve do të ndikoj pastaj se si do të sillet ai në familje dhe në shoqëri. Aktualisht kjo familje dhe kjo shoqëri e tillë ka krijuar dhe vazhdon të krijoj njerëz të frustruar, monstrum madje. Njerëz që edhe ngatërresat më të imta mundohen t’i zgjedhin me dhunë.
Duhet të çlirohemi nga familja! Duhet të çlirohemi nga mind-seti nënshtrues që familja mbjell tek ne përmes dhunës fizike, e sidomos moral-psikologjike. Familja nuk duhet parë më si një institucion i shenjtë (seç kam një përshtypje se mbrapa çdo të shenjte fshihet një pisllëk i madh). Duhet parë si një grup social ku njerëzit që e përbëjnë atë familje i ndërtojnë relacionet e tyre mbi bazë të respektit të ndërsjellë, arsyes, e ku liritë, të drejtat dhe detyrimet i takojnë secilit. Familja nuk duhet parë as si detyrim, e as si nevojë. Ajo nuk duhet parë vetëm si lidhje gjaku (instiktive, shtazarake), madje duhet kaluar nga ky nivel i dhënë dhe të ndërtohen relacione të tjera racionale, ku marrëdhënia t’i përkasë një dimensioni shoqërisht më miqësor. Përndryshe, e dhunshmja vetëm sa do të theksohet e do të bëhet pjesë edhe e identitetit tonë, ashtu siç tani pothuajse e kemi./Express