Në komunën e Rahovecit gjendet sipërfaqja me e madhe në Kosovë me vreshta. E këtë vit, vreshtarët e kësaj komune nuk presin rendimente të kënaqshme. Gjendja në terren lë për të dëshiruar.

“Nuk është e mirë , gati  80 % është dëmtuar, nga vrugu dhe kushtet atmosferike që ishin shumë të vështira këtë vit . 110 ditë kemi pas shi, faktikisht 5 herë në ditë  binte shi. Kështu që, ishte shumë vështirë për me mbrojt. Kosova është në gjendje pak më të mirë sepse kemi 20 deri në 30 % prodhim, por Maqedonia dhe vendet e tjera janë të shkatërruara në 98 %”, tha Mustaf Hoxha, vreshtar.

Gjeneratat e reja pak po merren me vreshtari, thonë në Rahovec.

“Rinia pothuajse nuk merret me vreshtari , pasi që shumë të rinjë synimin e kanë të dalin jashtë, me vreshtari kohëve të fundit e kanë parë se nuk ka perspektivë , nuk ka shitje, kanë punuar të rinjtë dhe ju kanë ndihmuar prindërve, por në fund nuk e kanë shitur rrushin, nuk kanë marrë asnjë cent nga rrushi “, theksoi vreshtari, Habib Dina.

Në bazë të parametrave, në vreshta këtë vit duhet të luftohet fort për të nxjerrë verëra normale, pasi ato kulminante janë të paarritshme, thotë eksperti Labinot Shulina .

Sipas drejtorit të Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë në Rahovec, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Ylber Kuqi, edhe këtë vit vëmendja e qeverisë është fokusuar në këtë sektor.

“Të gjitha qeveritë kanë treguar në vazhdimësi një interesim të madh për sektorin e vreshtarisë dhe vertarisë dhe kanë qenë të  përfaqësuara në kuadër të planit  për zhvillim rural , tek masa 1 dhe masa 3 , ku për çdo vit qeveria akordon vlerën prej 750 mijë eurove  . Njëkohësisht qeveria e ka vendosur me prioritet sektorin e vreshtarisë  edhe tek programi për pagesa direkte  ku për çdo vit akordon nga 1 mijë euro për hektarë , njëkohësisht edhe tek prodhimi i verërave për çdo litër verë të prodhuar dhe deklaruar zyrtarisht  ndan 0.04 cent” , tha ai.

Më 1 , 2 dhe 3 shtator  starton festivali  “Hardhfest” , ndërkaq komuna e Rahovecit nis zyrtarisht vjeljen e rrushit./rtk