Radio Televizioni i Kosovës po organizon edicionin e dytë të Festivalit të Këngës. Këngët konkurruese tashmë janë përzgjedhur, derisa po punohet në detajet e fundit për këtë event i cili më datat 24,25 dhe 26 tetor do të transmetohet drejtpërdrejtë në RTK.
Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, ka shpalosur detajet për edicionin e sivjetmë. Ai ka thënë se në një moment ky festival do ta dërgojë këngën edhe në Eurovision.
Boshnjaku, tha se sivjet janë në konkurrencë 18 këngë.
“Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit kemi jo vetëm artistë nga Kosova por dhe edhe nga Shqipëria edhe nga Maqedonia e Veriut dhe kudo që ka shqiptarë”, tha ai.
Me gjithë sfidat për organizimin e një ngjarjeje të këtij niveli për tri ditë radhazi, Boshnjaku tha se festivali do të shkëlqejë në formën të cilën tashmë e ka marrë.
“Ky festival do ta dërgojë këngën edhe në Eurosong, mirëpo edhe për artistë qoftë të rinj apo ata të cilët janë në skenë është një platformë më ndryshe ku e shfaqin talentin e tyre para publikut”.
Për organizimin e festivalit të RTK-së po kontribuojnë edhe institucionet qendrore e lokale.
“Memorandumi është nënshkruar për disa vite me Ministrinë e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë me të gjitha mundësitë që i ka pasur që të organizohet si është më së miri përkundër të gjitha sfidave që i kemi pasur”, tha ai.
Derisa përgatitjet po shkojnë nga përfundimi, Festivali i Këngës në RTK do të mbahet më 24, 25, dhe 26 tetor./RTK/
Marketing