6.2 C
Prizren
E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Dëshmitari Çadraku: Në Rahovec e Prizren të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë

Dëshmitari Halil Çadraku foli të hënën në Hagë për rolin e tij si pjesë e G2-shit apo sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut.

Ai e bëri dallimin në mes sektorit të Zbulimit dhe atij të Kundërzbulimit, për çka tha se ky sektor i fundit mblidhte informacione sa u takon elementeve të dëmshme për UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se pjesë e këtyre elementeve apo strukturave okupuese kishte edhe shumë shqiptarë, për të cilët ai tha se i vije turp. Tha se këto shërbime serbe ishin të sofistikuara dhe përdornin forma të ndryshme që të zbulohej informacion nga UÇK-ja dhe shtoi se brenda tyre kishte edhe shqiptarë.

“Brenda strukturave të shtetit serb ka pas shumë struktura ilegale, shumë struktura të hapura të UDB-së që ishin pjesë e Sigurimit Shtetëror, që ishin pjesë e Milicisë serbe apo ish-pjesëtarë të Milicisë serbe sepse ata kanë shfrytëzuar të gjitha resurset e tyre ose me dëshirë ose me shantazh dikë kanë mujt ta shantazhojnë. Por, ka pas elemente shqiptare brenda këtyre edhe pse ishin strukturë serbe, strukturë okupatore”, tha Çadraku.

Ai u pyet se nga e dinte se pjesë e këtyre strukturave kishte shqiptarë.

“Sigurimi shtetëror në ato vende ku kam jetuar unë, Rahovec, Prizren dhe qytetet të tjera, të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë. Brenda UDB-së ka pas disa. Veç Prizreni i ka pas 10 apo 12 dhe të gjithë ishin trupërisht shqiptarë për të cilët më vjen turp mua për ata, por ata edhe pse sot ndoshta mund të ndihen krenarë për atë punë që kanë bërë, por ata kanë qenë pjesë e UDB-së deri vonë, ashtu kishte edhe Rahoveci, e ashtu kishin edhe qytetet e tjera. Ata janë me emra-mbiemra, i njeh bota, i njeh Kosova, i njihni edhe ju ndoshta”, deklaroi Çadraku.

Sipas tij, këta persona i kanë njohur me emra sepse ata nuk e kanë fshehur veten e tyre kurrë për atë që ishin.

“Atyre personave ua kemi ditur emrin edhe para ’98-ës e ’99-ës”, tha dëshmitari.

Fillimisht, dëshmitari tregoi se kush ishte pjesë e ZKZ-së, sektorë këta që për të dyja shef ishte vetë Çadraku që nga janari i ’99-ës.

“Unë kam qenë Shef i të dy sektorëve, sektorit të Zbulimit dhe sektorit të Kundërzbulimit. Shef i sektorit të Zbulimit ka qenë deri më 2 maj, Xhavit Bajraktari dhe pas vrasjes se tij, atë e ka zëvendësuar Isuf Krasniqi- Mësuesi. Kurse në Sektorin e Kundërzbulimit ka qenë Nezir Çoçaj, e unë kam qenë shef i Zbulim-Kundërzbulimit, të dyjave”, tha Çadraku.

Ai tha se edhe një grua që quhej Shefkie Gashi me nofkën “Peka”, ishte pjesë e zyrës së G2-shit.

“Që nga shkurti i ’99-ës ka qenë edhe Shefkie Gashi apo Peka Gashi, pjesë e zyrës tonë. Peka në atë kohë e kishte rolin e analizave edhe të përshkrimit të situatave apo formave që ne kishim nevojë të raportonim apo të mësonim”, tha Çadraku.

Dëshmitari Çadraku foli edhe për detyrën e tij, duke treguar se kur e mori detyrën u mundua ta konsolidojë sektorin, gjë të cilën sipas tij nuk e arriti në tërësi.

“Detyra ime që nga janari kur e kam marrë, ka qenë ruajtja, mbrojtja e të gjitha formacioneve tona ushtarake dhe territorit sado të lirë që ne operonim, që ta ruajmë dhe mbrojmë nga armiqtë dhe ata që duan të na bënin dëme neve. Fillimisht, kur unë e mora këtë detyrë kam ardhë në Kosovë, asgjë nga ky sektor nuk ishte formuar brenda Zonës Operative të Pashtrikut ku unë isha emëruar, brenda atyne brigadave që operonin brenda vendit se ishin përafërsisht pesë brigada që operonin. Shumicën e kohës kam tentuar që të bënim organizimin, plotësimin, emërimin e sektorëve nga lart-poshtë. Nuk kishim kohë të mjaftueshme për ta realizuar këtë sepse ndodhën shumë gjëra, ndodhën shumë operacione, luftime, por detyra ime në atë kohë ka qenë përafërsisht konsolidimi i sektorit tim nga Zona Operative e Pashtrikut e teposhtë, në Brigada e batalione e kompani”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se rol i tij ishte grumbullimi i informacionit, analizimi dhe raportimi tek komandanti që sipas tij, komandant i tij ishte Drini e më vonë Tahir Sinani.

“Roli im ka qenë grumbullimi i secilit informacion që të kemi të qartë me çka disponojmë si në njerëz, si me atë se çfarë ishim të rrethuar sepse ne ishim të rrethuar me shumë forca armiqësore. Prandaj, në këtë aspekt roli im ka qenë grumbullimi, analizimi edhe raportimi apo njoftimi i komandantit tim. Komandanti im atëherë ishte Drini, e më vonë Tahir Sinani për situatën që na rrethonte në secilin vend e në secilën brigadë”, tha dëshmitari.

Çadraku shtoi se në sektorin e zbulimit, në kushte normale bënte zbulimin e forcave të armikut, vlerësimin e tj, vlerësimin e rrezikshmërisë së fatkeqësive.

Ndërsa, në bazë të asaj që ia kishte shpjeguar Komandant Drini, dëshmitari tha se sektori i Kundërzbulimit e kishte për detyrë ruajtjen e territorit nga elemente të jouniformuara, por që ndoshta do të ishin më të dëmshme se forcat e armikut.

Veç tjerash, dëshmitari tha se shpesh civilët raportonin se një person ishte bashkëpunëtor. Si rrjedhojë, Çadraku tha se bëhej analiza e biografisë, historikut dhe personit në fjalë që vendosej më pas se a duhej të njoftoheshin rojet apo jo.

Dëshmitari pohoi se në Zonën Operative të Pashtrikut kishte postblloqe të cila sipas tij janë vendosur në ato vende ku kishte rrezik që të hynin persona të paautorizuar me qëllim legjitimimi dhe ruajtje territori. Tha se për herë të parë janë ngritur në fshatin Drenoc më 26 prill të 1998-ës.

Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Më Shumë

Zhduket një femër në Rahovec

Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24 orësh ka njoftuar se në Rahovec është zhdukur një femër. Nga PK-ja është bërë e ditur edhe...

Dy ndeshje interesante sot në Superligë, te Ballkani debuton trajneri i ri

Xhiro e 16-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll do të vijojë sot me dy duele interesante. Kampioni në fuqi, Ballkani do të...

Lajmet e Fundit