Sipas raporteve fillestare, shpërthimi që ndodhi në lagjen Bazhdarhane të Prizrenit natën festive të ndërrimit të moteve, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Për ta adresuar situatën dhe për të bërë vlerësim të saktë të pasojave, Komisioni Komunal Vlerësues ka dalë në terren për të evidentuar dëmet. Autoritetet lokale thonë se brenda shtatë ditëve do të publikohen rezultatet zyrtare të hetimeve dhe vlerësimeve.
“Tani e kemi procedurën ku duhet të bëhen kërkesat dhe komisioni në afat prej shtatë ditësh do të del në terren për ta bërë vlerësimin më të saktë të dëmeve, kurse komuna pastaj do t’i shikojë mundësitë që përmes mjeteve financiare që i kemi në dispozicion, e për pjesën tjetër do t’i drejtohemi instancave më të larta, që t’i ndihmojmë banorët të cilët janë prekur nga ky incident”, tha Shaqir Totaj, kryetari Komunës së Prizrenit.
Ndërkaq qytetarët me mjete rrethanore janë munduar që provizorisht t`i përshtatin banesat për kushtet e dimrit.
“Lokali siç po e shihni edhe vete është i mbyllur. Tash a duhet në ATK të shkojmë ta lajmërojmë që nuk po punojmë se asgjë nuk po mundemi ta vlerësojmë. Na kanë thanë mos prekni asgjë tash. Unë e kam të dëmtuar edhe brenda edhe jashtë qysh kanë eksploduar fishekzjarret”, tha Enis Cibo.
“Është djeg totalisht lokali, nuk ka shpëtuar asgjë. Ka qenë kryetari komunës, po presim tash. E kemi bërë ankesën tash po presim. Na thanë që deri të mërkurën vijnë, e nuk dimë asgjë më shumë”, tha Enis Dana.
Natën e 31 dhjetorit dy persona kanë pësuar lëndime, njëri vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, ndërsa u dëmtuan gjashtë banesa dhe vetura që ndodheshin aty në momentin kritik./RTK