2.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Haxhi Shala dënohet me tri vite burg nga Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shalën, Sabit Januzim dhe Ismet Bahtijarim, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë. Kështu trupi gjykues pranoi marrëveshjen e fajësisë që të akuzuarit arritën më herët me Prokurorinë e Specializuar.

Shala u dënua me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me dy vjet burgim. Koha e qëndruar në paraburgim, sipas trupit gjykues, do t’iu llogaritet në dënim.

“Sa i takon kohës së llogaritur në paraburgim, trupi gjykues vëren se zoti Januzi dhe Bahtijari janë arrestuar më 5 tetor 2023 dhe të dy janë ndaluar në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 6 tetor 2023. Trupi gjykues e zbret kohën e paraburgimit që prej 5 tetorit 2023. Sa i takon zotit Shala, trupi gjykues vëren se ai është arrestuar më 11 dhjetor 2023 dhe ka qenë i ndaluar në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që nga 12 dhjetori i vitit 2023. Për rrjedhojë e zbret kohën e paraburgimit që prej 11 dhjetorit 2023”, tha gjykatësja teksa lexoi vendimin e trupit gjykues.

Në nisje të seancës, tre të akuzuarit u deklaruan se janë pajtuar që të paguajnë në total 500 euro për zhdëmtimin e viktimës në këtë rast, të identifikuar vetëm si “viktima 01”. Sipas marrëveshjes, 400 euro do t’i paguajë Shala, 100 Januzi, ndërkaq Bahtijari nuk do të paguajë për zhdëmtim. Kjo shumë duhet t’i paguhet viktimës deri më 19 shkurt.

Shala, Januzi dhe Bahtijari e kishin pranuar fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.

Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë lidhur me pranimin e fajësisë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.

Çfarë thotë aktakuza për Shalën, Januzin e Bahtijarin?

Aktakuza e konfirmuar për tre të akuzuarit më 10 korrik të vitit 2023, thotë se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023 Haxhi Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, kontaktuan një dëshmitar.

Më saktësisht, sipas aktakuzës, Ismet Bahtijari i bëri një vizitë dëshmitarit në shtëpinë e tij më 5 prill ndërsa Sabit Jonuzi bëri një vizitë më 12 prill.

Tutje në aktakuzë thuhet se dëshmitarit iu kërkua tërheqja e dëshmisë dhe iu ofruan benefite në këmbim.

Vepra në grup, sipas Prokurorisë, u krye nën direktivën e Haxhi Shalës.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Marketing

Më Shumë

Klajdi hap zemrën me Rozanën: Kam qenë i dashuruar me Elvana Gjatën

Ditën e sotme Klajdi Musabelliu ka vendosur që të hapet me Rozana Radin, edhe pse me të ka patur debate mjaft të forta me...

Bukoshi i Suharekës bëhet me çerdhe të re për fëmijët

Sot, në fshatin Bukosh të Suharekës, u përurua çerdhja e re për fëmijë, një investim i rëndësishëm nga Komuna e Suharekës për përmirësimin e...

Lajmet e Fundit