Përkujtohet shkrimtari dhe kritiku letrar Yrjet Berisha, në 10 -vjetorin e ndarjes nga jeta

Kanë kaluar 10 vite nga koha kur shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha u nda nga jeta. Në këtë përvjetor të vdekjes, ai u përkujtua përmes poezisë, në një aktivitet të organizuar për nder të veprës së tij.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. dr. Xhafer Beqiraj tha se shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha mbetet një nga figurat e shquara të letërsisë shqiptare. Sipas tij, karriera akademike e Yrjetit u zhvillua në mënyrë sistematike.

“Ai kontribuoi në fushën e letërsisë, të kritikës letrare dhe si pedagog në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren”, tha Beqiraj.

Sipas tij, Yrjeti ishte një mendimtar i thellë.

“Ai ia kushtoi një jetë përhapjes së dijes. Ishte pjesë e grupeve kërkimore e shkencore që i dhanë vlerë të shtuar shkencës dhe letërsisë shqiptare”.

“Në fushën e letërsisë prof. dr. Yrjet Berisha është një autor shumë dimensional. Vepra e tij përfshin poezi, prozë dhe dramë”, u shpreh Beqiraj.

Ndërkaq, gazetari dhe publicisti, Demir Reshiti tha se prof. dr. Yrjet Berisha është një personalitet i njohur i letrave shqipe.

“Jeta dhe vepra e tij do të mbesin përherë të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”, tha Reshiti.

Sipas tij, tërë opusi i krijimtarisë së Yrjetit reflekton mbi jetën dhe atdheun e tij.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është puna si studiues dhe kritik letrar. Ai ka bërë hulumtime të thella dhe ka shkruar studime të rëndësishme, që kulmojnë me studimin Proza e Martin Camajt, studim ky që është botuar pas vdekjes së autorit dhe që përbën një kontribut të çmuar për letërsinë shqipe dhe teorinë estetike”, tha Reshiti.

Yrjet Berisha lindi më 1955 në Buçe të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku magjistroi dhe doktoroi. Ai shkroi prozë, poezi, eseistikë, dhe dramë. Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ai ka botuar shumë punime shkencore, si dhe libra letrarë; “Anatomia e vetmisë” (poezi – 1994), “Vetë” (poezi – 1994), “Edhe rastësi” (poezi – 2000), “Ora” (dramë – 2000), si dhe romanin “Ulkiani”, më 2004. Poezitë e tij u botuan edhe në gjuhën kroate, suedeze, rumune, ruse etj. Takimi letrar përkujtimor u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani” në Prizren.

Shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha u nda nga jeta në vitin 2015./PrizrenPress.com/

Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe turmë


marketing

 

Më Shumë

Komuna e Prizrenit ngre shqetësimin për operimin e guidave ilegale turistike

Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me praninë dhe operimin e guidave ilegale turistike në qytet, duke...

‘As të gjallë, as të vdekur’ –Ja ku u mbajt për gjysmë shekulli trupi i Azem Galicës që serbët të mos e gjenin kurrë

Në ditët e fundit të korrikut të vitit 1924, Azem Galica, u plagos rëndë gjatë betejës kundër ushtrisë jugosllave që kishte rrethuar Drenicën me...

Lajmet e Fundit