Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar dhe dënuar krimet e kryera nga forcat serbe më 31 mars 1999 në Pastasel të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës.
“Në ditën e fundit të muajit mars, përkujtojmë dhe denoncojmë krimet që më 31 mars 1999 Serbia kreu në Pastasel të Rahovecit e në Burim të Malishevës,” ka deklaruar Kurti, përcjell PrizrenPress.
Ai rikujtoi se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999, regjimi i Slobodan Millosheviqit intensifikoi veprimet për zbatimin e planit gjenocidal ‘Patkoi’. Sipas tij, forcat ushtarake dhe policore serbe, gjatë javës së fundit të marsit, vranë qindra civilë të pafajshëm dhe të pambrojtur, torturuan, plaçkitën dhe dhunuan mijëra të tjerë, si dhe shkatërruan prona e pasuri të pallogaritshme në gjithë Kosovën.
Kurti përmendi një sërë masakrash të kryera nga forcat serbe në vende të ndryshme të Kosovës, përfshirë Krushën e Madhe dhe Krushën e Vogël, familjen Berisha në Suharekë, Izbicën, Podujevën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Skenderajn dhe shumë të tjera.
“Këto data përkujtimore janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore dhe ushtarake u përpoq të shfaroste popullsinë shqiptare vendase në Kosovë,” theksoi ai.
Kryeministri kërkoi që drejtësia të veprojë më fuqishëm në ndjekjen dhe dënimin e përgjegjësve për këto krime, duke theksuar se, pavarësisht përmirësimeve në sistemin e drejtësisë, mbetet ende një pasivitet i madh në këtë drejtim.
Kurti gjithashtu nënvizoi rëndësinë e mbledhjes dhe dokumentimit të dëshmive për krimet e luftës nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një hap i domosdoshëm për drejtësi dhe për të nderuar të rënët.
“Me dhembje dhe krenari i kujtojmë të gjithë të rënët, sot e gjithmonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!” përfundoi Kurti./PrizrenPress.com