Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, kanë uruar komunitetin turk në Kosovë me rastin e 105-vjetorit të Turqisë. Ndërkaq, në Prizren, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti turk, ambasadorë të Turqisë në Kosovë dhe në Ballkan, kremtuan 105-vjetorin e Turqisë. Simbolikisht, në lagjen “Kurilla” u mbollën 105 lule.
Më 23 prill, turqit e Kosovës kremtojnë 105-vjetorin e krijimit të shtetit turk. Aktivitetet kulturore janë zhvilluar në nderim dhe respekt të këtij komuniteti në qytetin e Prizrenit. Në lagjen “Kurilla” u mbollën 105 lule, ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga ky komunitet dhe përfaqësues diplomatikë nga Turqia në Kosovë dhe Ballkan.
“Ky është një aktivitet shumë kuptimplotë për të gjithë të rinjtë tanë, sidomos kur bëhet fjale për të ardhmen e tyre, prandaj edhe festojmë sot këtë ditë këtu në Kosovë, por edhe në Prizren, pikërisht në lagjen Kurila ku kemi më shumë pjesëtarë turq, dhe mbjellja e këtyre 105 luleve ishte një ide shumë e mirë”, tha Sabri Tunc Angili, ambasadori i Turqisë në Kosovë.
“Sot ndodhem këtu për të festuar me popullin turk të Kosovës dhe jua përcjell urimet nga presidenti Erdogan për këtë ditë shumë të rëndësishme, dhe me këtë aktivitet këtu na keni emocionuar shumë, sepse keni treguar përkushtimin tuaj ndaj kësaj dite”, tha Yamur Derem, drejtor gjeneral për Marrëdhënie me Ballkanin.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se si komunë në ditët e veçanta i nderojnë të gjitha komunitetet që jetojnë në Prizren.
“Bashkërisht e shënuam këtë ditë, pra po e festojmë ditën e komunitetit, e cila më një farë mënyre është festë edhe për ne, sepse qyteti i Prizrenit i feston të gjitha festat e të gjitha komuniteteve, sepse të gjitha ato janë festa tona dhe kështu do të vazhdojmë të lëvizim drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, tha Totaj.
Prizreni quhet ndryshe edhe qytet multietnik, pasi në këtë komunë bashkëjetojnë, përveç shqiptarëve që janë shumicë, boshnjakët, turqit, serbët dhe romët./rtk/