Këto vizita, sipas zyrtarëve komunalë, do të realizohen në të gjitha shkollat, përfshirë edhe ato private që veprojnë në Komunën e Prizrenit.
“Në organizim të Drejtorisë së Shëndetësisë kanë filluar përsëri vizitat sistematike, që janë të rëndësishme, sepse ka mundësi që në faza të hershme të detektohen anomalitë e ndryshme, të cilat pastaj më lehtë mund të trajtohen”, ka thënë Totaj.
Sipas tij ekipet mjekësore janë të përkushtuara për mbarëvajtjen e këtij procesi, derisa ka vlerësuar lartë edhe bashkëpunimin e mësimdhënësve dhe të nxënësve.
“Jam shumë i sigurt se në përfundim të këtyre vizitave do të kemi të dhëna të cilat do t’i shërbejnë Drejtorisë së Shëndetësisë për një planifikim më të mirë të veprimeve mëtutjeshme në drejtim të mbrojtjes së shëndetit publik, por edhe individualë të nxënësve”, është shprehur Totaj.
Drejtori i Shëndetësisë, Simir Krasniqi ka theksuar se pas vizitave në shkollat e Komunës së Prizrenit do të bëhet përpunimi i të dhënave si dhe prezantimi i gjetjeve lidhur me shëndetin e nxënësve përkatësisht anomalitë eventuale.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Fadil Bajraktari ka shprehur qëndrimin se detyra dhe misioni i autoriteteve është që fëmijët të marrin jo vetëm dituri, por të jenë edhe të shëndetshëm.
“Ne jemi mobilizuar, edhe kemi përgatitur ekipin. Besoj që do ta kryejmë me sukses për një muaj e pesë-gjashtë ditë sa do zgjatë kjo fushatë”, ka deklaruar Bajraktari.
Në këto vizita, sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, do të përfshihen mbi 6.500 nxënës, të cilëve do t’u bëhen kontrollime shëndetësore të detajuara për t’i identifikuar dhe adresuar nevojat e mundshme mjekësore. /Telegrafi