11.2 C
Prizren
E diel, 27 Prill, 2025

KKSB-ja në Dragash kundërshton AROG FEST-in: Rrezik për ndjeshmërinë kombëtare dhe harmoninë sociale

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Dragashit ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mbajtjes së manifestimit AROG FEST, i cili është planifikuar të mbahet më 5 maj 2025, duke e vlerësuar atë si të papërshtatshëm për komunitetin dhe si rrezik për harmoninë sociale.

Në mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit, anëtarët e KKSB-së diskutuan gjerësisht për organizimin e paralajmëruar të festivalit, duke theksuar se një ngjarje e tillë “nuk përfaqëson vlerat dhe traditat kulturore të komunitetit lokal.”

Përfaqësuesit e sigurisë dhe të institucioneve komunale shprehën shqetësimin se përvojat e mëparshme tregojnë për keqpërdorime të ngjashme.

“Ngjall shqetësime të bazuara në përvojat historike të keqpërdorimit të festave për qëllime politike dhe propagandistike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, përcjell PrizrenPress.

Një tjetër arsye e theksuar është përplasja e datës së festivalit me një ditë me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal dhe mbarë vendin.

“Ky event planifikohet të mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Dëshmorëve, e cila është një datë me ndjeshmëri të veçantë kombëtare dhe historike për qytetarët e Komunës së Dragashit dhe mbarë Republikës së Kosovës”, vijon komunikata.

Në këtë mbledhje, KKSB vlerësoi gjithashtu se mbajtja e AROG FEST mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe në rendin publik.

“Rrezikon të cenojë harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin social në Komunën tonë”, thuhet më tej në njoftim.

Për më tepër, sipas vlerësimit të Këshillit, qëllimi i vërtetë i organizatorëve nuk lidhet me promovimin e kulturës lokale.

“Qëllimi i mbajtjes së manifestimit AROG FEST nuk është promovimi i vlerave kulturore të komunitetit, por ka karakter profitabil”, thekson KKSB-ja.

Në fund të diskutimeve, KKSB-ja apeloi që organizatorët të rishqyrtojnë vendimin për organizimin e festivalit.

“Ftojmë organizatorët që të respektojnë ndjeshmërinë historike dhe kulturore të komunitetit dhe të bashkëpunojnë me institucionet lokale për organizimin e aktiviteteve që promovojnë vlerat autentike të këtij komuniteti”, përfundon njoftimi i Komunës./PrizrenPress.com

Më Shumë

Rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në Dragash pas sanimit të defektit në gypin kryesor

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Hidroregjioni Jugor" në Prizren njofton se, pas një angazhimi maksimal nga ekipi i mirëmbajtjes së Njësisë Operative në Dragash, është...

Të premten rivarrosen eshtrat e njërit prej të zhdukurve gjatë luftës në Rahovec

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se më 25 prill (të premten) do të rivarrosen eshtrat e Elhami Tahiragës, i vrarë në sulmin serb në...

Po të shkruaj…!

Lajmet e Fundit