Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj E.K. dhe B.K. për fajde, pasi ishin zënë në flagrancë në mars sivjet duke marrë 10 mijë euro nga viktima.
Sipas aktakuzës, nga shkurti i 2021-s, të akuzuarit kishin marrë shumë joproporcionale në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin E.G.. Fillimisht viktima kishte kërkuar 3000 euro borxh, me afat kthimi për dy muaj. Pasi ia kishte dhënë, i akuzuar E.K. i kishte kërkuar kamatë mujore prej 650 eurosh.
Pasi s’kishte arritur ta kthente borxhin, i akuzuari E.K. ia kishte dhënë viktimës edhe 2500 euro të tjera, të cilat i kishte marrë nga xhaxhai i tij, i akuzuari B.K.. Për këtë shumë, i dëmtuari ishte paralajmëruar për të paguar nga 500 euro kamatë mujore.

Pasi i dëmtuari s’kishte arritur ta paguante borxhin me kohë, të akuzuarit, sipas aktakuzës, ia kishin rritur kamatën sërish. E pasi prapë s’ishte kthyer borxhin, ata i kishin dhënë sërish para dhe kamata mujore nga muaji shkurt i vitit 2021 e deri në shkurt 2025 atij i ishte bërë 1650 euro në muaj. Sipas aktakuzës, kamata e të dëmtuarit ka mbërritur në 25 mijë euro.
Më 18 mars 2025, i akuzuari E.K. i kishte dërguar një mesazh të dmtuarit duke i thënë se i ke borxh edhe 13 mijë e 650 euro ose duhet ta bartë banesën tek noteri në emër të tij. Një javë më pas, ata ishin takuar dhe pas bisedimeve, të akuzuarit nga i dëmtuari kanë marrë 10 mijë euro dhe në këtë rast ka ndërhyrë Policia duke i arrestuari të dyshuarit.
Pos dyshimeve për veprën fajdeja, E.K. akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa B.K. për detyrim, pasi dyshohet se ia ka marrë dhunshëm një veturë të dëmtuarit e ai detyrohet të marrë një veturë me qira për ta kthyer automjetin e tij. Po ashtu dyshohet se të dëmtuarit ia ka hequr orën e dorës në vlerë 1300 euro dhe e ka kërcënuar se nëse s’i paguan borxhet dhe kamatat do të shkojnë tek noteri për t’ia marrë banesën.
Pos dënimit, Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen edhe mjetet dhe objektet me të cilat është kryer vepra penale dhe 18 mijë euro, veturën Mercedes, armë e telefona.