10.5 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

26 vjet nga masakra e Korishës ku forcat serbe përdorën civilët si mburojë, familjarët kërkojnë drejtësi

Familjarët e viktimave civile, që patën pësuar 26 vjet më parë nga bombat e NATO-s, pasi janë përdorur si mburojë nga forcat serbe në Korishë të Prizrenit, të martën, kanë kërkuar që përgjegjësit për inskenimin e kësaj ngjarjeje të vihen para drejtësisë.

Adem Selimaj ka theksuar se në këtë përvjetor përkujtohen të gjitha viktimat, me kërkesën e kamotshme për drejtësi.

“Sot i përkujtojmë të gjithë, pasi i kemi vëllezër, djem, nipa. Unë e kam humb djalin e vëllait, 22 vjeç”, ka thënë Selimaj.

Edhe Hamdije Thaçi ka bërë të ditur se ka humbur katër familjarë, përkatësisht babën, nënën, djalin e vëllait dhe vajzën e vëllait.

“Çdo vit është e njëjta mërzi, nuk hiqet kurrë”, është shprehur ajo, raporton Telegrafi.

Më 13 maj të vitit 1999 në këtë fshat janë vrarë 77 civilë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë, nga Korisha e Prizrenit si dhe nga disa fshatra të Suharekës.

Asokohe forcat serbe dhunshëm patën inskenuar caqe të rrejshme për NATO-n, me mbi 500 civilë shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat përreth.

Ndërkaq Ylber Kabashi, në emër të banorëve të Korishës, ka përsëritur kërkesën që të ndalohen përpjekjet për barazimin e xhelatit me viktimën.

“”Sot, më shumë se kurrë, kemi për detyrë të pengojmë çdo përpjekje për ta barazuar xhelatin me viktimën. Duhet të kundërshtojmë çdo përpjekje për ta njollosur luftën tonë të drejtë për liri përmes proceseve gjyqësore, të cilat po bëhen në Hagë ndaj komandantëve të UÇK-së”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.

Ish-komandanti i UÇK-së nga kjo zonë, Lulzim Kabashi, ka shprehur qëndrimin se “13 maji i vitit 1999 dëshmoi edhe njëherë se serbët dhe ushtria e tyre përfaqësojnë popullin dhe ushtrinë më të ndyrë në gjithë rruzullin tokësor, përfaqësojnë ligësinë, poshtërsinë e qyqarllëkun”.

Edhe nënkryetari Kujtim Gashi, së bashku me zyrtarë të ekzekutivit, familje të të rënëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e e UÇK-së dhe qytetarë, nderuan të martën viktimat e Korishës, ku u vranë 77 civilë, përfshirë 14 fëmijë.

“Në këtë ditë përkujtimore, kujtohen me nder e krenari të gjithë civilët nga Korisha që humbën jetën për lirinë e Kosovës, me shpresë që sa më parë të vihet drejtësia në vend”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/

Më Shumë

Gjendet i vdekur një person në Prizren

Një person është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Prizren, ka njoftuar Policia e Kosovës. Sipas policisë, vdekja e tij është konfirmuar nga...

Butrinti dhe Tayna “thyejnë rrjetin” me duetin e ri

Dy nga artistët më të pëlqyer të skenës shqiptare, Butrint Imeri dhe Tayna, kanë bashkuar forcat në një duet që me siguri do të...

Lajmet e Fundit