31.6 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Shejh Kadria – trashëgimtar i shpirtit dervishor dhe i ndërgjegjes kombëtare

Shkruan: Besim Muhadri

Në kujtesën popullore dhe në trashëgiminë historiko-letrare shqiptare, figura të caktuara mbeten të skalitura si bartës të virtyteve të larta shpirtërore dhe të vetëdijes kombëtare. Një ndër është padyshim edhe Shejh Kadria (1854–1903), djali i madh i Dervish Salihut, i cili u shqua si udhëheqës shpirtëror, patriot i vendosur dhe krijues i frymëzuar në traditën e ilahive.

I shkolluar në medresenë e lartë të Prizrenit, Shejh Kadria përfaqësonte atë tipologji të rrallë të dijetarit që ndërthurte dijen fetare me ndjeshmërinë sociale dhe angazhimin atdhetar. Lidhjet e tij të ngushta me Bajram Currin, të trashëguara nga i ati, e vendosën në qendër të zhvillimeve të rëndësishme politike të kohës, sidomos gjatë dhe pas Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Lidhjen e Pejës “Besa-Besë”. Në këtë kuptim, ai nuk ishte vetëm përçues i fjalës së Zotit, por edhe mbrojtës i të drejtës së kombit për liri e vetëvendosje.

Pikërisht ky përkushtim e bëri shënjestër të kundërshtarëve politikë. Më 1903, Shejh Kadria u vra në Gjakovë nga Kadri Çoça, një anëtar i fisit të Kryezinjve, të njohur për qëndrimin e tyre armiqësor ndaj Bajram Currit. Vrasja e tij nuk ishte vetëm një akt politik, por një goditje ndaj një fryme të tërë shenjtërimi që ndërthurte dritën e dijes fetare me idealin kombëtar.

Trashëgimia shpirtërore e Shejh Kadrisë përfshin edhe krijimtarinë poetike të ilahive, një traditë që ai e kishte trashëguar nga i ati, Dervish Salihu. Ndonëse thuhet se ka shkruar shumë illahi, megjithatë, për shkak të rrethanave të ndryshme kohore, ka arritur të mbijetojë vetëm një ilahi, me titull “Mos flini ju dervishë”, e përkthyer nga Dervish Veseli i Rahovecit. Sipas gojëdhënave dhe dëshmive të përçimit të dorës, besohet se kjo poezi është kënduar gjatë ziqrit në varrimin e Sheh Hasanit në Prizren, një ngjarje që për komunitetin mistik të asaj kohe përfaqësonte një humbje të rëndë shpirtërore. Vetë fakti që ilahia e vetme e mbijetuar e Sheh Kadrisë lidhet me këtë çast mortor e ceremonial, i shton një tjetër shtresë përjetimi, duke u bërë jo vetëm thirrje për vetëdije shpirtërore, por edhe një elegji për mikun dhe shehun e ndjerë.

“Mos flini ju dervishë” është më shumë se një këngë devotshmërie – ajo është një thirrje për zgjim shpirtëror, një lament mortor për Sheh Hasanin dhe një reflektim mistik mbi kalueshmërinë e jetës. Kjo ilahi përveç një thirrje për rizgjim të vetëdijes shpirtërore, ajo është edhe një përkushtim ndaj Zotit dhe guxim për të përballuar sfidat e jetës me besim. Vargu i parë, “Çilni sytë, mos flini ju dervishë”, është një ftesë për t’u çliruar nga gjumi shpirtëror – një motiv i përhershëm në letërsinë sufiste që nxit vetëdijesimin dhe reflektimin. Kjo metaforë e zgjimit përsëritet nëpër tërë tekstin si një urdhër moral dhe shpirtëror për të mos u dorëzuar përpara iluzioneve të dynjasë, por për të kërkuar realitetin e amshuar të dijes dhe dritës hyjnore.

Shejh Kadria mbetet në kujtesën historike e shpirtërore të shqiptarëve si një figurë që mishëron dritën e fesë, urtësinë e sufizmit dhe idealet e lirisë. Ai është një trashëgimtar i denjë i rrugës së Dervish Salihut, jo vetëm si bir i tij, por edhe si bartës i një misioni të shenjtë që bashkon botën hyjnore me fatin tokësor të kombit.

Ilahia e tij është një zë që vjen nga thellësia e shpirtit dervishor shqiptar – një zë që fton jo vetëm për përulësi dhe devotshmëri, por edhe për vetëdije kombëtare, që ndriçon një faqe të rëndësishme në kujtesën tonë historiko-letrare.

Marketing

Më Shumë

Aksioni i Prokurorisë në Prizren, 17 të arrestuar dhe makineri të sekuestruara për degradimin e Drinit të Bardhë

Prokuroria Themelore e Prizrenit të mërkurën ka zhvilluar një aksion për veprat penale kundër mjedisit, në 14 lokacione përgjatë lumit Drini i Bardhë, me...

Sot nxehtë, temperaturat deri në 33 gradë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. IHK njofton se temperaturat minimale do...

Lajmet e Fundit