Drejtori gjeneral i kësaj kompanie, Naim Ukaj, thotë për emisionin ‘Toka’ në RTK se 6 vjet më parë kishin filluar veprimtarinë me shpezëri, asokohe me kapacitete të vogla, derisa tani në partneritet me një bashkatdhetar nga Zvicra kanë vendosur të investojnë seriozisht në këtë sektor, duke e kthyer fermën në një prej më të mëdhave në vend dhe tashmë janë të gatshëm edhe për tregun evropian. Ferma gjendet në Korishë të Prizrenit dhe ka një sipërfaqe prej 3 hektarësh.

Ai thotë se ferma e mbarështimit të zogjve të mishit është fjala e fundit e teknologjisë dhe se zogjtë rriten në kafaz me standard të BE-së, ku nuk kryhet asnjë trajtim ndaj zogjve, as me antibiotik e as me  steroide.

Ukaj thotë se 3 elemente bazike për rritje të shëndetshme të një zogu janë temperatura e ajrit, ushqimi dhe uji.

“Temperaturat në fillim janë më të larta dhe me kalimin e kohës ato duhet të bien. Ushqimi preferohet të jetë granular që zogu t’i marrë të gjitha mineralet dhe vitaminat që janë të nevojshme për rritje të shëndoshë. Mesatarisht për 32 ditë të rritjes një zog shpenzon 1.8 kilogram ushqim”, shprehet Ukaj.

Ai thotë se sistemi i avancuar i rritjes eviton nevojën për përdorim të medikamenteve dhe vaksinim të zogjve.

“Ndriçimi, njëjtë si temperaturat, varet nga mosha e zogjve. Në fillim temperatura duhet të jetë më e lartë duke u ulur gjatë rritjes së zogjve. Ky model i fermës është i vetmi në Kosovë e ndoshta edhe në regjion. Prandaj, për të mbrojtur shëndetin e zogjve krahas teknologjisë së avancuar në këtë fermë zbatohet edhe një rregull i prerë për punonjësit. Ata gjatë gjithë procesit të rritjes së zogjve nuk guxojnë të dalin nga njëra fermë në tjetrën”, tregon Ukaj për emisionin ‘Toka’ në RTK, duke shtuar se procesi i rritjes së zogjve deri në ditën e therjes, zgjatë 32 ditë.

Gjithashtu në këtë fermë krahas metodologjisë së avancuar për mbarështim të zogjve, e avancuar është  edhe thertorja e tyre.

Ukaj thotë se aktualisht kjo kompani realizon deri në 4 mijë therje të zogjve në ditë.

“Pasi të kryhet therja e cila realizohet  me metodën hallall, zogjtë kalojnë në procesin e heqjes së organeve  të brendshmëve dhe këmbëve, pastaj kalojnë në frigorifer, i cili eviton praninë e ndonjë bakteri të mundshëm. E tek, pastaj vjen procesi më i rëndësishëm, ai i paketimit dhe procesi i ndarjes së zogjve në këtë thertore, mbi 90 për qind është automatik”, thotë Ukaj.

Bruno & Brentoni Home me super oferta që nuk duhen humbur në Prizren!

Sipas Ukajt, shitja e zogjve është e sigurt dhe aktualisht të tërin e kryejnë brenda vendit tonë.

E veçanta e kësaj kompanie, sipas Ukajt është edhe përmbushja e standardeve të Bashkimit Evropian për eksportim të mishit të pulës në Evropë.

“Çmimi i mishit të zogut është i mirë dhe konkurrues me produktet të cilat importohen . Në këtë kompani aktualisht i kemi të punësuar 36 punëtorë dhe paga minimale neto e tyre është 450 euro”, thotë Ukaj.

Ukaj tregon se nga Ministria e Bujqësisë kanë përfituar grant për mbarështimin e pulave vojse me sistem gjysmë të lirë.

“Familja jonë, së bashku me bashkatdhetarin nga Zvicra, për këtë biznes kemi investuar mbi 3 milionë euro. Energjia elektrike me ndryshimet e fundit e ka trefishuar koston, mirëpo aktualisht jemi  angazhuar  në investime të prodhimit të energjisë përmes sistemit solar dhe planifikojmë që në dy vitet e ardhshme t’i rrisim kapacitetet që të arrijmë t’i therim minimalisht 300 mijë zogj brenda një muaji”, thotë Ukaj për emisionin ‘Toka’ në RTK.

NISU – Çdo natë për Ulqin me Bashkimi Reisen nga 27 qershori!