Kjo është përgjigja e Rektorit të UP-së dërguar Ministrit të arsimit, shkencës dhe teknologjisë.
I nderuar Ministër Bajrami,
Ju falenderojmë për shkresën tuaj të dt. 6 janar 2015. Ju rikujtojmë se në takimin tonë të përbashkët me Kryeministrin dhe zëvendës-kryeministrin, më 16 dhjetor 2014 është përkrahur pa rezervë nga të gjithë pjesëmarrësit ideja e programit për përgatitjen e kandidatëve që i takojnë kategorive të luftës, duke i përfshirë edhe kandidatët të cilët nuk kanë arritur të regjistrohen këtë vit në Universitetin e Prishtinës.
Ju kemi sqaruar edhe më parë se memorandumi është një dokument mirëkuptimi me të cilin Universiteti ka shprehur vullnetin e mirë që t’u ndihmojë kategorive të dala nga lufta për regjistrim në Universitet, ndërkaq vet Memorandumi nuk përcakton asnjë modalitet të konkretizimit të këtij vullneti të mirë. Një dokument mirëkuptimi, sipas praktikës dhe parimeve juridike, nuk mund të paraqesë referencë ligjore që obligon palët. Dy ligje që rregullojnë statusin e kategorive të dala nga lufta, Ligji nr. 04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre dhe Ligji Nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, parashohin përparësi për regjistrimin e këtyre kategorive në institucione arsimore publike, por në kushte të barabarta.
Gjithashtu ju kemi sqaruar se në konkursin për pranimin e studentëve të rinj në muajin korrik 2014 (në kohën e ish-Rektorit Berishaj) edhe pse ishte paraparë përcaktimi i një kuote për kandidatët që u takojnë kategorive të luftës dhe kanë arritur pragun minimal të kalueshmërisë, kjo kuotë ishte anashkaluar meqenëse kërkesa e vetme e shoqatave ka qenë të pranohen të gjithë kandidatët që ndodhen në lista, pa marrë parasysh nëse kanë arritur pragun minimal të kalueshmërisë ose jo. Ne kemi gjetur një situatë të tillë faktike, pasi dihet se zgjedhja e menaxhmentit të ri të Universitetit është bërë në muajin shtator 2014 dhe përcaktimi i çfarëdo kuote pas mbylljes së konkursit të afatit e parë nuk ka kuptim pasi në konkursin e afatit të dytë të miratuar nga Senati i Universitetit këto nuk ishin të parapara.
Universiteti i Prishtinës brenda hapësirës ligjore, u ka bërë zgjidhje fëmijëve të dëshmorëve përmes vendimeve të Senatit të Universitetit nga të cilat kanë përfituar gjithsej 129 studentë, një fakt që, në bazë të përshtypjes së krijuar në opinion, sikur po anashkalohet.
Prandaj na habit deklarata juaj se tërhiqeni nga angazhimi i mëtejmë në zgjidhjen e këtij problemi i cili është krijuar pikërisht nga mungesa e përputhjes së kërkesës së shoqatave me institucionin e konkursit, respektimit të autonomisë së universitetit dhe zbatimit të ligjshmërisë. Kërkesat për regjistrimin e të gjithë kandidatëve nga listat e shoqatave nuk kanë qenë as joformale, as jozyrtare, siç sugjeroni në shkresën tuaj, nga se janë shtruar nga përfaqësuesit e shoqatave, ndërsa janë miratuar më vonë edhe nga ministri Buja, i cili ka nxjerrë vendim për pranimin e studentëve nga listat e shoqatave pa asnjë referencë në kuota apo kritere.
Qeveria e Kosovës nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për të siguruar kushte normale të punës për Universitetin, përderisa puna jonë është e bazuar në aktet juridike në fuqi.
Me respekt, Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu
Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”