1.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Kujdes me asociacionin e komunave serbe

Prishtine beogradNjohës të çështjeve të pushtetit lokal dhe atyre politikë kanë kërkuar nga delegacioni i Kosovës të ketë kujdes kur është në pyetje statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë për “Epokën e re” se, në kuadër të diskutimeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe, duhet të trajtohen me kujdes dy çështje. “E para, duhet të ruhet sistemi njëshkallësh i qeverisjes në Kosovë. Pra, mos të krijohet edhe një nivel tjetër qeverisës, në këtë rast asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet as të duket e as të jetë nivel tjetër i qeverisjes lokale. E dyta, me Kushtetutë dhe të gjitha ligjet në fuqi të cilat i kemi, përgjegjësitë për ushtrimin e kompetencave i kanë komunat si njësi dhe si person juridik”, ka deklaruar Tahiri. Ai ka thënë se delegacioni i Kosovës në dialog duhet të jetë i palëkundur kur është në pyetje një shkallëshmëria e qeverisjes në Kosovë.

“Në këtë kuptim asociacionet gjithkund në botë kanë rol kryesisht të lehtësimit, të koordinimit të politikave dhe kompetencave që komunat i ushtrojnë. Ky është standard ndërkombëtar dhe delegacioni i Kosovës në dialog duhet të jetë i palëkundur sepse, në të kundërtën, do të dëmtohet seriozisht sistemi qeverisës në vend, në të njëjtën kohë edhe sistemi i pushtetit lokal në Kosovë”, është shprehur Tahiri.

Tahiri ka vlerësuar se në parim Kosova nuk do të duhej të kishte më shumë se një asociacion për shkak se, sipas tij, asociacioni i komunave të Kosovës do ta përmbushte lobimin dhe detyrimet që i ka një asociacion për të gjitha komunat. “Megjithatë, me Kushtetutë ne i kemi dhënë mundësi themelimit të më shumë asociacioneve, që mendoj se ka qenë gabim. Dhe meqë është kështu, duhet të ketë kujdes maksimal në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nuk duhet t’i japë përgjegjësi ekzekutive këtij asociacioni. Në qoftë se me statut i jep kompetenca ekzekutive, atëherë problemi shkon më tej dhe lidhet me ligjet e tjera të cilat i japin përgjegjësi pushtetit lokal. Këtu kemi të bëjmë me Ligjin për financat lokale dhe Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar”, ka thënë Tahiri, duke shtruar se debati rreth asociacionit duhet të fokusohet në kompetencat e tij, e jo se ku do ta ketë zyrën. “Në Bruksel janë rreth 750 zyra të asociacioneve të rajoneve të ndryshme të cilat i mbrojnë interesat e anëtarësisë së vet. Vetëm Franca i ka 20 asociacione. Kjo nuk është temë. Nëse kanë para për të lobuar, s’ka kush i ndal, siç nuk mund ta ndalësh as asociacionin e komunave të Kosovës. Problemi nuk është se a do të hapet zyra e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por problemi është sa a interferon ky institucion në sistemin njëshkallësh qeverisës të Kosovës dhe a merr kompetenca ekzekutive”, ka thënë Tahiri.

Kursani: Kosova nuk duhet ta negociojë asociacionin me Serbinë

Edhe njohësi i çështjeve politike, Shpend Kursani, ka folur për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë për “Epokën e re” se delegacioni i Kosovës në dialog me Serbinë në Bruksel nuk duhet të pranojë të negociojë për çështjen e këtij asociacioni. “Sa i përket krijimit të asociacionit të komunave me shumicë së pari, meqenëse kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe ka të bëjë me qytetarët serbë të Kosovës, kjo temë nuk do të duhej të negociohet me Serbinë sepse në momentin kur negociohet me shtetin serb, atëherë e bën këtë shtet hisedar në dhënien e propozimeve dhe bërjen e kërkesave se çfarë duhet të përmbajë ky asociacion. Nëse kjo çështje negociohet me Serbinë, ku mund të sigurohemi ne se ky asociacion mund të jetë i ngjashëm me këtë të komunave të Kosovës sipas ligjeve dhe Kushtetutës?”, ka deklaruar Kursani.

Ai ka vlerësuar se në momentin kur kompetencat e këtij asociacioni do të negociohen me Serbinë atëherë, sipas tij, medoemos do të ketë më shumë kompetenca shumë më të mëdha sesa lejohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Mendoj se problemi do të jetë disa nga kompetencat ekzekutive që do të mund t’i marrë ky asociacion dhe të cilat Serbia është duke u munduar t’i shtyjë në statutin e asociacionit të komunave me shumicë. Ky statut mund të bëhet një lloj kushtetute e improvizuar e serbëve të Kosovës dhe kësisoj mund ta krijojnë një nënshtet brenda Kosovës, pra një autonomi shumë më të madhe e cila do të lidhet shumë më shumë me Serbinë sesa me Kosovën. Prandaj, ata që negociojnë me Serbinë, edhe nëse shtyhen nga BE-ja, nuk duhet të pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë, por duhet ta pranojnë një statut të këtij asociacioni në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës”, është shprehur Kursani, duke shtuar se kryeministri Isa Mustafa nuk mund të refuzojë kurrfarë kërkese të bashkësisë ndërkombëtare kur është në pyetje asociacioni i komunave me shumicë serbe. “Do të duhej që negociatorët e Kosovës të rezistojnë çfarëdo presioni, mirëpo në situatën konkrete nuk besoj se kryeministri mund ta refuzojë çfarëdo kërkese të bashkësisë ndërkombëtare, sepse ky kryeministër nuk mund të refuzojë asgjë për shkak se ia kanë përmendur veprat penale të tij. Isa Mustafa e di se, nëse nuk e dëgjon komunitetin ndërkombëtar, ai mund të përfundojë në burg. Kështu që, çfarëdo që të kërkojë komuniteti ndërkombëtar, është amnisti për Isa Mustafën të qëndrojë në liri”, ka thënë Kursani.

Ndërkaq ministrja e Shtetit, Edita Tahiri, në një intervistë për “Epokën e re” pati deklaruar se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Çështja tjetër që do të diskutohet në dialog, është asociacioni i komunave me shumicë serbe, përkatësisht duhet të diskutohet një plan për zbatim, i cili lidhet me përmbajtjen e statutit të ri të këtij asociacioni. Sipas marrëveshjes së Brukselit, asociacioni duhet të krijohet në bazë të ligjeve ekzistuese të shtetit të Kosovës. Ky asociacion nuk do të ketë asnjëherë kompetenca ekzekutive, sepse Kushtetuta dhe Ligji për vetëqeverisje lokale e përcaktojnë qeverisjen në dy nivele, qendror dhe lokal. Pra, nuk ka ndonjë nivel tjetër ekzekutiv”, ka deklaruar Tahiri.

Më Shumë

Aktakuzë ndaj dy personave për rrëmbim, Prokuroria e Prizrenit jep detaje

Është ngritur aktakuzë ndaj dy personave.   Prokuroria Themelore e Prizrenit, njofton se T.D dhe A.N në bashkëkryerje, kanë kryer vepren penale të “Rrëmbimit”. Në aktakuzë thuhet...

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të Komunës së Dragashit

Në mungesë të të akuzuarit, Abdullah Selmani, të hënën ka dështuar të mbahet seanca, në rastin ku i njëjti po akuzohet për keqpërdorim të...

Lajmet e Fundit