Tushemishti është fshati turistik 5 km larg qytetit të Pogradecit. Përveç vlerave që i ka falur natyra Tushemishti u bë i njohur pas xhirimeve të filmit “Zonja nga Qyteti”.
Rrugica e fshatit është e nëjtë me atë të rreth 40 viteve më parë, qendra po ashtu. Ato janë rikonstruktuar me mjeshtëri duke ruajtur origjinalitetin. Kushdo që viziton fshatin mund të shohë e të prekë burimin ku Ollga është rrëzuar, por edhe lumin ku rrëzoi postierin. Lokali në qendër të fshatit aty ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit ka marrë emrin tij. Në shtëpitë e fshatit është ruajtur e paprekur arkitektura e tyre ashtu si kalldrëmet e oborreve dhe saksitë e luleve. Ky origjinalitet, mikpritja e banorëve të zonës dhe klima i rikthen pushuesit në fshatin që thuhet se është ndërtuar mbi ujë.
Vizitorët besnikë të fshatit turistik thonë se ai ka ndryshuar për mirë, duke patur parasysh restaurimet e shtëpive dhe të rrugicave me kalldrëm si edhe ndërtimet e hoteleve.
Rreth 50 vjet më parë inxhinjeri Artan Ylli ka vizituar për herë të parë Pogradecin dhe tani së bashku me miqtë e tij Artani është turisti i çdo stine në Tushemisht.
Njëra ndër protagonistet e filmit Zonja nga qyteti, Rajmonda Bulku, ruan kujtimet më të bukura nga koha e xhirimeve. Shumë ka ndryshuar fshati sipas saj, por ajo që është trashëguar më mirë është mikpritja e banorëve të tij. Ka me shume jete ashtu siç ka me tepër vizitore, sepse atëherë kur xhirohej filmi “Zonja nga Qyteti” vizitoret ishin të kufizuar pasi Tushemishti ishte fshat kufitar. Sigurisht bahçet me molle jane me te pakta pasi janë zëvendësuar me ndërtimet shumëkatëshe, por mikpritja dhe infrastruktura modern e përshtatur me tradicionalen rikthejnë në dimër dhe verë vizitorët rinj dhe ata besnikë të fshatit buzë Liqenit të Ohrit.