Shkruan: Drita MILLAKU
Si asnjëherë më shumë qytetarët kanë nevojë për drejtësi dhe sistem të drejtë gjyqësor. Në Komunën e Prizrenit kemi pushtetin më të diskredituar dhe më të korruptuar në Kosovë. Kemi një kryetar i cili vazhdon punën thuajse çdo gjë është në rrjedha të normales, edhe atëherë kur pothuajse i tërë ekzekutivi është në hetime për keqpërdorime të detyrës zyrtare. Kjo situatë me keqardhje na kujton komedinë e Çajupit “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” ku thuhet se ligji është në dorë të Maliqit. Qytetarët tanë janë të zhgënjyer nga kjo qeverisje.
Ata kanë humbur besimin jo vetëm në institucionet tona, por edhe në ato ndërkombëtare. Sundimi i rendit dhe ligjit në mbarë territorin e Kosovës në veçanti në komunën e Prizrenit është jo vetëm dëshpërues, por njëkohësisht edhe humbje e shpresës së qytetarëve për një të ardhme më të mirë. Ndërhyrja e politikës në drejtësi është e dëmshme për popullatën tonë sepse na kujton vitet e regjimit. Sa e sa familjarë tanë ishin viktimë e kauzës kombëtare.
Tani pas përfundimit të luftës të përsëriten të njëjtat gjëra tregon se jo vetëm që jemi duke vendnumëruar, por edhe duke u kthyer prapa Ndërhyrja e politikës në drejtësi përveç në nivelin qendror vazhdon të jetë prezente edhe në nivelin lokal, siç është rasti i zyrtarëve të arsimit kur prokuroria pengon dhe zvarrit punën e organeve hetuese. Shtrohet pyetja, çfarë drejtësie është kjo në Kosovë, drejtësi e mafisë? Dëshiroj të potencoj se ndërhyrja e politikës në drejtësi vazhdon të na i mbyll dyert drejt Evropës. Me një mendësi të tillë nuk do të kemi asnjëherë liberalizim, por vetëm azilkërkim. Andaj, ne si subjekt politik do të kundërshtojmë ashpër sa herë që do të hasim në shkelje ligjore, kurdo dhe kudo qofshin ato..