2.5 C
Prizren
E enjte, 19 Shkurt, 2026

OVLUÇK: Ja kontributi i Fatos Klosit, s’ka rëndësi çka mendon politika e vjetër

Organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) përmes një komunikate për media i ka dalë në mbrojtje Fatos Klosit, ish drejtor i Shërbimit Informativ Shqiptar.

OVLUÇK thekson se lufta çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishte të domosdoshme dhe jetike mbështetjen e shtetit amë, Shqipërisë dhe institucioneve të saj, politike e shtetërore dhe cilado qeveri që do të ishte në pushtet, Shtabi i Përgjithshëm do të kërkonte domosdosmërisht krijimin e urave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe të realizimit të misionit historik, çlirimin e Kosovës.

“Duhet pranuar se shteti shqiptar, pavarësisht nga vështirësitë e vitit 1997 dhe më pas, kur vendi ishte i shkatërruar dhe nën monitorimin ndërkombëtar, vuri të gjitha mundësitë e saj institucionale për të bërë të mundur që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të kishte një mjedis të sigurt në Shqipëri. Por, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur mes UÇK-së dhe Shtetit Shqiptar marrëdhënie varësie ose diktati, përkundrazi, ata kanë ruajtur fizionominë dhe personalitetin e tyre politik, juridik dhe ushtarak. Në mes të institucioneve të përcaktuara qartë në dobi të Luftës sonë çlirimtare, do të ishte edhe Shërbimi Informativ Shqiptar, i drejtuar nga zoti Fatos Klosi”, thuhet në komunikatë.

Sipas OVLUÇK-së, vetëm keqdashësit dhe klika titiste, e realizuar edhe një herë përmes një pushteti administrativ, nuk mund të dinë të vërtetën se përmes Shërbimit Shqiptar ishin edhe Institucione të tjera të një rëndësie të veçantë ndërkombëtare dhe përmes zotit Klosi u vendosën lidhje të qëndrueshme me botën ndërkombëtare, në ato fusha ku ishte edhe detyra e tij institucionale.

“Zoti Fatos Klosi, ndoshta edhe më shumë nga sa ishte detyra e tij, u angazhua fuqimisht në përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ndihmoi me të gjitha kompetencat që i jepte detyra e tij, që në luftë shqiptarët të ishin së bashku, që rrugët e shtetit shqiptar të ishin gjithnjë e më të sigurta, që përmes strukturave të tij të krijoheshin lidhje edhe me institucionet e tjera të shtetit shqiptar. Lufta në Kosovë nuk mund të perceptohet pa kontributin e Shqipërisë, pavarësisht se kush qeveriste asaj kohe, ashtu si eksodi i madh i shqiptarëve të Kosovës gjeti mbështetjen më të madhe tek vëllezërit e Shqipërisë”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera theksohet se përpjekjet e vazhdueshme të Klosit në dobi të luftës sonë çlirimtare, duan apo nuk duan strukturat e vjetra politike, janë të një rëndësie të veçantë dhe si të tilla ato kanë mirënjohjen e luftëtarëve, strukturave dhe shtabeve drejtuese të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. /Telegrafi/

Më Shumë

Gazetaria hulumtuese, pasion dhe mision publik që kërkon guxim, përkushtim dhe durim

Nga Musa Sabedini - Çdo hulumtim ka një mision, dhe çdo mision bart në vete një rrezik real. Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për...

Rrahje në Dragash, dy persona përfundojnë në spital

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete të premten në Dragash. Policia ka bërë të...

Derbi në Prizren

Lajmet e Fundit