Kosova ka shënuar përkeqësim në lirinë e mediave, krahasuar me një vit më parë. Organizata Freedom House ka publikuar të mërkurën raportin e përvitshëm për lirinë e shtypit në botë, i cili mbulon 199 vende dhe territore.
Kosova sivjet zë vendin e 100-të, krahasuar me pozitën numër 98 që ka mbajtur vitin e kaluar.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirija Shabani, thotë se raporti nuk është befasues dhe se është pritur vlerësim madje edhe më negativ. Shabani thotë se kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë kanë tendenca të rritjes.
“Sulmet, kërcënimet, shantazhet dhe censurat ndaj gazetarëve këtë vit kanë shënuar rritje. Vitin e kaluar kemi pasur 24 raste të raportuara në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, ndërsa vetëm këtë vit, prej janarit deri më tani, i kemi dhjetë raste të tilla. Kjo tregon se situata gjithnjë e më tepër po përkeqësohet”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e Freedom House për vitin 2015, Kosova radhitet në mesin e vendeve pjesërisht të lira, me 49 pikë. Shkalla 0 është rezultati më pozitiv, ndërsa 100-shi më negativ.
Vehbi Kajtazi është gazetar në të përditshmen “Koha Ditore”. Ai thotë se është përballur me shumë presione, pasi ka raportuar për korrupsion të dyshuar brenda misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX. Kërcënimet ndaj tij janë përmendur edhe në raportin e organizatës Amnesty International për situatën e të drejtave të njeriut.
Kajtazi, raportin e organizatës Freedom House e cilëson si konstatim të gjendjes reale të mediave në Kosovë.
“Vitin e kaluar, janë ngritur dy aktakuza kundër dy personave për kërcënim ndaj meje. Kjo sigurisht se është dëshmi konkrete se personat e caktuar, për të cilët kam shkruar unë dhe nuk u ka pëlqyer puna ime, kanë zgjedhur mënyrën e gabuar të komunikimit me gazetarë – pra, kanë zgjedhur që përmes kërcënimit dhe forcës të komunikojnë me mua”, thotë Kajtazi.
Në raportin e Freedom House, vendet e rajonit radhiten si vijon: Maqedonia në pozitën numër 125, Bosnja 108, Shqipëria 97, Serbia 82 dhe Mali i Zi 79. Të gjitha këto shtete bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira.
Në përgjithësi, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2014 në pikën më të ulët në më shumë se dhjetë vjet.
Freedom House thotë se Bjellorusia, rajoni i Krimesë i aneksuar nga Rusia, Irani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë në mesin e dhjetë vendeve dhe territoreve që kanë vlerësimet më të ulëta për lirinë e shtypit. Në krye të listës së vendeve të lira radhiten Norvegjia, Suedia dhe Belgjika. /Rel/