Çështja e personave të pagjetur, si trashëgimi e dhimbshme e luftërave kudo në botë, është njëra nga plagët më të rënda të shoqërisë në Kosovë që kërkon zbardhje të plotë të fatit të të pagjeturve për të siguruar paqen shpirtërore edhe për të gjitha familjet e këtyre personave, që edhe 16 vjet pas luftës evidencohen si të zhdukur.
Familjarët e këtyre personave vazhdimisht vlerësojnë se përpjekjet e deritashme të institucioneve vendore, por edhe të faktorit ndërkombëtar, kanë qenë të pamjaftueshme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, e pranon se dhimbja për të pagjeturit bëhet më e madhe me kalimin e kohës dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje po mban peng shpirtrat e familjarëve të tyre dhe gjithashtu edhe çdo proces të normalizimit të jetës në Kosovë.
Në një bisedë për KosovaLive ai flet për vështirësitë që po e përcjellin procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe thekson se përpjekjet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të shtohen po aq sa edhe përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë, duke nxjerrë përpara saj të gjithë përgjegjësit për krimet e kryera.
Ai përmend se numri i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë ende është rreth 1.600, prej të cilëve më se 400 i përkasin komunitetit joshqiptar.
Gjetaj tregon se aktualisht caku i gjurmimeve për të pagjeturit është një lokacion në Serbi, në Novi Pazar, saktësisht në fshatin Kozarevo ku dyshohej për një varrezë masive. Me 23 prill të këtij viti aty edhe kishin nisur gërmimet, mirëpo ato u ndërprenë pasi që ishte vlerësuar se punimet janë duke u zhvilluar në pjesë të gabuar.
Vazhdimi i gërmimeve në pjesën tjetër të lumit në fshatin Kozarevo, që vlerësohej se ndodhej varreza masive, nuk u lejua nga pala serbe me arsyetimin e mungesës së një urdhërese gjyqësore për gërmime në atë pjesë.
Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj, nuk e di se kur mund të rifillojnë punimet në gërmim, ngase kjo varet nga pala serbe, e cila duhet t’i lejojë gërmimet e stopuara para më shumë se një muaji.
“Dyshimet tona për ekzistimin e një varreze masive në fshatin Kozarevo të Novi Pazarit janë përputhur edhe me disa informacione nga pala serbe. U bë kërkesa për gërmime vlerësuese dhe këtë e lejoi pala serbe.
Gërmimet filluan me 23 prill, mirëpo nuk vazhduan ditën tjetër me që nga pala serbe erdhi njoftimi se po gërmohet në anën e gabuar, në anën e djathtë të rrjedhjes së atij lumi, edhe pse informacionet tona ishin për anën e majtë.
Ndërprerjen pala serbe e arsyetoi me mungesë të urdhëresës gjyqësore për gërmime në anën tjetër, urdhëresë kjo që po pritet tash e më shumë se një muaj”, deklaron Gjetaj.
Sipas tij, nuk është kjo hera e parë që ka zvarritje të tilla nga pala serbe për të cilën thotë se vazhdimisht përpiqet që t’i ikë përgjegjësisë.
“Nuk është vetëm kjo zvarritje, sepse vazhdimisht ka pasur zvarritje. Pala serbe vazhdimisht përpiqet për t’i ikur kësaj përgjegjësie. Ne vazhdimisht bëjmë një presion te autoritetet serbe, por kjo po shihet se nuk po mjafton. Ky presion duhet të jetë shumë më i madh ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar”, thotë Gjetaj.
Ai pohoi se kërkesë e palës kosovare është që gërmimet të rifillojnë menjëherë, ndërsa ka shtuar se kjo varet nga ajo serbe e cila duhet të caktojë një datë.
“Ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të rifillojnë gërmimet, por jemi në kompletim të informacioneve shtesë dhe kur t’i kompletojmë do t’ia përcjellim palës serbe. Kërkesat tona janë që të fillojnë menjëherë, ndërsa ata të caktojnë datë, sepse e kanë të drejtën të sigurojnë një urdhëresë gjyqësore”, shton Gjetaj.
Ai për KosovaLive tregon se pala kosovare ka marrë përsipër që të sigurojë edhe imazhe satelitore të periudhës së bombardimeve për të ditur a ka pasur ndonjë lëvizje, ndryshim të konfiguracionit të tokës, apo hapësirës aty ku dyshohet për lokacionin që mund të jetë një varrezë masive./KosovaLive/