18.3 C
Prizren
E martë, 16 Shtator, 2025

Feim Fetoshi përdor pushtetin për të goditur bizneset e rivalëve politik

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në qeverinë komunale në Rahovec Feim Fetoshi, ka marrë vendim që në qendër të fshatit Ratkoc të ndërtohet një park i gjelbër në një sipërfaqe prej 2-3 ari. Hapësira në fjalë deri më tani ju ka shërbyer banorëve të lagjes dhe disa bizneseve të vogla që operojnë në këtë zonë.

Mirëpo, kryesia e fshatit Ratkoc, banorët e lagjes dhe bizneset në fjalë, i kanë dërguar një letër drejtorit Fetoshi ku kërkojnë anulimin e vendimit në fjalë. Në kërkesën e tyre ata konsiderojnë se hapësira ku dëshirojnë të ndërtojnë parkun kufizon lëvizjen e lirë të qytetarëve, pamundëson zhvillimin e bizneseve dhe nuk është në prioritetet e kryesisë së fshatit për këtë qëllim dhe madje nuk është kërkuar një investim i tillë. Nëse investimi ndodh, atëherë rrezikohet të mbyllen tetë biznese në këtë lagje.

Përfaqësuesit e bizneseve të vogla në këtë zonë konsiderojnë se vendimet e drejtorit Fetoshi në vazhdimësi kanë qenë të njëanshme dhe arbitrare. Investimet që janë bërë në këtë hapësirë janë realizuar pa kërkesën dhe miratimin e banorëve të lagjes dhe të biznesve.

Ata thonë se drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike Feim Fetoshi ka për qëllim dëmtimin e bizneseve që ai i konsideron “armiqësore” ndaj tij. Fillimisht Fetoshi ka devijuar rrugën lokale në dëm të bizneseve që ju përkasin të afërmve të ish-kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me të cilin Fetoshi ka pasur mospajtime të thella.

Në bisedë me kryesinë e fshatit Ratkoc mësuam se Fetoshi i ka kërcënuar ata se, nëse e kundërshtojnë këtë park, atëherë nuk do të ketë investime të tjera në fshatin Ratkoc. Por, kryesia e fshatit Ratkoc është e vendosur që të kundërshtojë vendimet arbitrare të drejtorit Fetoshi, duke mos u pajtuar me vendimin e tij pa marrëveshje paraprake me kryesinë dhe banorët e lagjes.

Drejtuesit e fshatit Ratkoc i propozojnë disa alternativa të reja Fetoshit, pasi që në këtë fshat ka mjaft hapësira ku ka mundësi të investohet për rregullimin e hapësirave gjelbëruese dhe një ndër to është edhe ish hapësira e QMF-së, që aktualisht ka mbetur pa kujdes institucional, si dhe disa hapësira të tjera ku mund të ndikohet në përmirësimin e kushteve të jetës së banorëve të fshatit Ratkoc. .

Banorët thonë se do të përdorin të gjitha mjetet e lejueshme demokratike që kjo hapësirë të mos ngushtohet, në të kundërtën ata do të protestojnë edhe tek organet më të larta të vendit.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, Feim Fetoshi, nuk i është përgjigjur pyetjeve të portalit RahovecPress rreth kësaj çështje. Ai i ka thënë portalit, se nuk i jep përgjigje deri sa të dëshmohet se portali RahovecPress është pjese e mediave të shkruara, edhe pse RahovecPress si medium i vetëm në komunën tonë është i regjistruar në organet kompetente, në ato çfarë është përcaktuar me ligjet aktuale në fuqi të Republikës së Kosovës./RahovecPress/

Më Shumë

Shërbimi i Zjarrfikësve në Dragash pajiset me mjete teknike falë KFOR-it Italian

Shërbimi i Zjarrfikësve në Dragash është pajisur dje me një kontingjent të ri mjete teknike, të cilat do të rrisin efikasitetin dhe cilësinë e...

Ilir Cakaj emërohet Administrator i Gjykatës Themelore në Prizren

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), në mbledhjen e mbajtur më 5 shtator 2025, ka miratuar rekomandimin e Komisionit vlerësues dhe me 10 vota unanime...

Lajmet e Fundit