14.8 C
Prizren
E hënë, 30 Shtator, 2024

Çfarë të lexojmë këtë verë?!

Nga Eni Myrtollari

Këtë verë, krahas përgatitjeve të shumta për pushime, duhet të mendojmë edhe për librat që do të marrim me vete. Shtëpia Botuese DITURIA rekomandon disa libra për t’i pasur në valixhen e udhëtimit, tituj që mendojmë se i përshtaten shijeve të çdo lexuesi.

Shtegu i parfumeve –Nëse kërkoni libra argëtues, të këndshëm dhe të shkruar bukur, Shtegu i parfumeve është libri që duhet të lexoni këtë verë. Ky është pa dyshim fenomeni editorial i vitit, jo vetëm në Itali, një sukses i jashtëzakonshëm që para se të botohej, fitues i disa çmimeve prestigjioze letrare në Europë, për stilin e mrekullueshëm me të cilin është shkruar dhe për historinë e treguar. Autorja është shkrimtarja italiane Cristina Caboni, e cila në muajin qershor ishte në Tiranë, me ftesë të Shtëpisë Botuese DITURIA, për t’i prezantuar librin e saj edhe lexuesit shqiptar.

Shtegu i parfumeve, romani bestseller i Cristina Cabonit, rrëfen historinë e Elenës, një vajzë 26-vjeçare, që rrjedh nga një familje parfumieresh dhe ka dhuntinë të krijojë parfume që i përshtaten personalitetit të secilit. Pasi ka humbur besimin në dashuri dhe ka mbetur e vetme, Elena niset në Paris, në kërkim të një mundësie të re dhe një pune në një prej parfumerive më prestigjioze të kryeqytetit francez. Aty takon Kailin, një djalosh, që gjithashtu është i pasionuar pas luleve dhe i përkushtuar në mënyrë të veçantë ndaj kultivimit të trëndafilave. Do ndiqni rrugëtimin e saj nga Firencja e luleve në Parisin magjik të parfumeve, historinë e saj të mrekullueshme të dashurisë me Kailin, në sfondin e luleve dhe aromave, si edhe përpjekjet e Elenës për të gjetur parfumin perfekt, një zotim që duhet me doemos ta përmbushë. Ajo arrin të gjejë erzinën e përkryer, që është rruga për në zemrën e njerëzve…

Shopaholic – Sophie Kinsella, shkrimtarja tashmë e njohur nga lexuesi ynë me 10 tituj në shqip. Ta fillojmë me kolanën“Shopaholic”, pra E fiksuar pas dyqaneve…, dhe ju propozojmë gjithë serinë. Pse?! Sepse humori i hollë i Kinsellës, situatat argëtuese – më saktë, aventurat që vijnë prej “pasionit” të shfrenuar të Beki Blumvudit për të blerë me tepri – e bëjnë personazhin e saj shumë të dashur për lexuesin, me cilësitë, optimizmin, humorin dhe natyrën e ëmbël që e karakterizon.

Sophie Kinsella vjen edhe me një tufë romanesh mjaft argëtues! Ta fillojmë me Nata e martesës. Loti, një vajzë bukuroshe dhe e zonja, pas ndarjes nga i fejuari, rastësisht takon të dashurin e saj të hershëm, Benin…Keqkuptimet e rastit bëhen shkas për ndodhi komike dhe mjaft zbavitëse. Nuk duhet t’u ndaheni po ashtu titujve të tjerë shumë të këndshëm:Mbretëresha e shtëpisë, E mban dot një të fshehtë? Pushime në vilë, Zonja e funeraleve, Ta kam numrin, ku Kinsella, që herë vjen me pseudonim, herë me emrin e vërtetë, (Madeleine Wickham) nuk heq dorë nga stili i saj i këndshëm i të shkruarit, i lehtë dhe dëfryes për ditët nën çadër.

Identiteti – Për të gjithë ata që kanë pasur rastin të lexojnë librat e shkrimtarit të njohur bashkëkohor, Milan Kundera, botuar më herët nga DITURIA (Shakaja dhe Mosdija), tani mund të kenë në dorë një roman po aq shkëlqyer: Identiteti, përkthyer me mjeshtëri nga Mira Meksi, është cilësuar si romani më i mirë, më i shndritshmi i Kunderës.

Shantali, tanimë 40 vjeç dhe me një divorc mbi supe, kupton se burrat nuk e kthejnë më kokën për ta parë, si dikur, dhe këtë gjë ia beson të dashurit të saj, Zhan-Markut. Ai, nga ana e vet, nis një lojë të fshehtë. I dërgon të dashurës letra, duke u hequr si një adhurues anonim, të cilit ajo i duket “e bukur, shumë e bukur”. Nis kështu një ëndërr/zhgjëndërr që vetëm Kundera mund ta rrëfejë. Një libër për kujtesën dhe harresën, identitetin dhe veten, por edhe për tjetrin. Sa i njohim njerëzit që kemi përkrah?!

Mosdija –Një histori njerëzore rrëfen edhe romani Mosdija. Irena dhe Jozefi, të mërguar prej 20 vjetësh, kthehen në qytetin e tyre, në Pragë, pas rënies së komunizmit. Takohen në aeroport; Irena – e emocionuar nga ky takim, ndërsa Jozefit ajo as që i kujtohet. Çfarë mund t’i ndodhë kujtimeve të një njeriu gjatë një odiseje njëzetvjeçare?Kundera fshin kufijtë mes reales dhe joreales në një roman për kujtesën, mallin dhe nostalgjinë. Sqarimi i hollësishëm i Kunderës që në hyrje për prejardhjen etimologjike të fjalës“nostalgji”, (sqarim i qëllimshëm, sigurisht!) përsiatjet e tij nëpër rrëfim, krahasimet e historisë së personazheve me atë të mërgimtarit më të madh të njerëzimit, Uliksit, kalimet nga e tashmja në të shkuarën, ndërprerjet e rrëfimit, sikur të ishin sekuenca filmi, janë elementet që përbëjnë thelbin e këtij romani.

Vetmitari– Romani i vetëm i dramaturgut me origjinë rumune, Eugène Ionesco, Vetmitari është një rekomandim për këdo që nuk do të shkëputet nga leximi i librave të mirë edhe gjatë ditëve të nxehta. Historia e një nëpunësi mediokër, të cilit papritur i vjen një trashëgimi nga një xhaxha amerikan, që nuk e njihte aspak. Jeta prej njeriu të pasur e këtij personazhi pa emër rrjedh e qetë dhe thuajse monotone në përpjekjet e tij për komunikim me ata që e rrethojnë. Pasditet e tij kalojnë teksa këqyr fytyrat e kalimtarëve nga dritarja e restorantit ku drekon çdo ditë… i vetëm. Ankthi, vetmia dhe shtypja e njeriut modern nga çka e rrethon,janë kryefjala e këtij romani të shkruar në vitin 1973, por që mbetet aktual edhe sot.

Rastësisht një vend bosh – J.K.Rowling, autorja e serisë së famshme Harry Potter, në vijim të suksesit të jashtëzakonshëm të romanit të saj të parë për të rritur, Rastësisht një vend bosh – një dramë në një qytezë idilike të Anglisë – po shkëlqen sërish në zhanrin e romanit policor. Shtëpia Botuese DITURIA sapo ka botuar vëllimin e dytë të kësaj serie të re, me detektivin e mprehtë Kormoran Strajk. Pas zbulimit të vrasjes së bujshme të supermodeles Lula Landri në librin e parë të serisë, me titull Kënga e Qyqes, Kormoran Strajku kthehet! Krimbi i Mëndafshit është suksesi i radhës i autores Rowling, nën pseudonimin Robert Galbraith, kombinim i dy emrave me domethënie për vetë autoren. Në dalje të tij, romani i parë pati mjaft sukses, e kohët e fundit shitjet kanë kapur majat. Librat e Galbraithit vazhdojnë të jenë suksese të padiskutueshme në mbarë botën, kjo prej rrëfimit të shkëlqyer dhe stilit të saj, ndërsa studiot e filmave kanë blerë të drejtat për realizimin e tyre. Kanali BBC One ka shfaqur së fundmi me një numër rekord shikuesish serialin e bazuar te romani Rastësisht një vend bosh.

Krimbi i mëndafshit –Një shkrimtar ekstravagant largohet papritur nga shtëpia, kësaj here për një kohë të gjatë. E shoqja kërkon ndihmën e detektivit Strajk për të kthyer Ouen Kunin në shtëpi. Një vrasje thuajse e përkryer, për një libër komprometues, i cili nuk arrin të botohet, e që shkakton jo pak shqetësim në rrethet letrare të Londrës, shumë të dyshuar…por, asgjë që Kormoran Strajk dhe ndihmësja e tij simpatike, Robin Elakot, nuk mund ta zgjidhin. Në romanin e ri të Robert Galbraithit, personazhet kryesore nuk janë vetëm viktima dhe vrasësi, por detektivët e ngarkuar për zgjidhjen e misterit. Kërshëria për të zbuluar vrasësin e shkrimtarit Kuini do ju ngërthejë deri në faqet e fundit!

Kolona e Shteteve dhe Popujve – Për lexuesin e dhënë pas librave historikë dhe të interesuar për të mësuar më shumë rreth formimit të shteteve dhe historinë e popujve, do sugjeronim “Kolonën e Shteteve dhe Popujve”, e cila këtë vit është pasuruar me tituj të rinj: Historia e Anglisë, e Norvegjisë,e Austrisë dhe e Finlandës. Botime që do ju japin informacion për shtetet, këndvështrime të reja mbi vende dhe popuj, që nga themelimi deri në ditët tona. Autorët e këtyre librave janë profesorë ndër më të njohurit në vendet përkatëse, të cilët sjellin historinë e vendeve të tyre përmes vëzhgimesh, analizash dhe krahasimesh, në mënyrë koncize dhe të saktë.

Më Shumë

Njohja e viteve të 90-ta për pensionet e punonjësve të arsimit, SBAShk dorëzon sot peticionin me mbi 20 mijë nënshkrime

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), do të dorëzoj sot në Kuvendin e Kosovës një peticion me 20,458 nënshkrime të mbledhura...

Ardian Krasniqi fiton me nokaut

Boksieri shqiptar, nipi i Luan Krasniqit, Ardiani, e ka fituar meçin për WBO Intercontinental, kundër boksierit nga Uganda, Saul Ivan Male. Krasniqi meçin e fitoi...

Prizreni pa rivalë

Lajmet e Fundit