Në Kosovë edhe më tej brengos fakti se një pjesë jo e vogël e kosovarëve nuk po mësohen të festojnë pa armë, ndërkohë që shprehja e gëzimit me qitje me armë në ahengje të ndryshme po bartë rrezikun edhe me pasoja katastrofave, me plagosje ose edhe me humbje të jetës së njerëzve.
Dëshmi për këtë janë të dhënat statistikore që dalin nga Policia e Kosovës e që ndërlidhen me këtë dukuri të pranishme ende te kosovarët, si dhe të dhënat e përgjithshme për konfiskime armësh pa leje që gjenden në duar të popullatës. Statistikat policore bëjnë të ditur se gjatë dekadës (2003 – 2013) policia ka konfiskuar 17,531 armë, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë konfiskuar 1,318 armë dhe 37.211 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.
festimi me arme
Rasti i fundit, i dokumentuar, i përdorimit të armës gjatë festimit ishte ai i ditës së premte në fshatin Sllovi të Lipjanit, kur një person gjatë ahengut familjar festoi duke shtënë me armë, ndërsa forcat e rendit atij i kanë konfiskuar një armë, AK-47 me 9 gëzhoja dhe një karikator. Por, i dyshuari pas intervistës, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë ditë më parë për KosovaLive se edhe këtë vit Policia e Kosovës përmes planit të sezonit veror, planifikon veprimet e saja në parandalimin e përdorimit të armë edhe nëpër ahengje-dasma.
baki kelani
“Policia e Kosovës vazhdimisht ka punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi, e në këtë kontekst edhe reduktimin, zvogëlimin e armëve ilegale që mund të jenë si një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e përgjithshme”, theksoi Kelani.
Sipas tij, çdo rast kur policia identifikon persona që posedojnë armë ilegale i trajton ata në bazë të rregullave dhe procedurave ligjore siç janë paraparë me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Kelani ka bërë të ditur se viti kur policia ka konfiskuar më së shumti armë të llojeve të ndryshme, ka qenë para dhjetë viteve, në 2005-tën, kur janë konfiskuar 1,919 armë.
Ai ka prezantuar edhe statistika për konfiskim armësh për periudhën 2003 – 2013, të cilat sillen rreth 1.500 – 2.000 për vit. Sipas këtyre të dhënave në vitin 2003 policia ka konfiskuar 1,610 armë, në 2004 – 1,515, në 2005 – 1,919, në 2006 – 1,754, në 2007 – 1,610, në 2008 – 1,616, në 2009 – 1,477, në 2010 – 1,613, në 2011 – 1,542, në 2012 – 1,509 dhe në 2013 – 1,366./kosovalive.com/