5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Roli i EULEX-it, Qeverisë dhe periudha e tranzicionit në Kosovë

Afrim HotiAfrim Hoti

Ndërtimi i një organizimi shoqëror para se të gjithash kërkon një mund dhe sakrificë. Populli shqiptar, duke qenë i vetëdijshëm për identitetin e tij autokton dhe përgjegjësinë historike e cila e përcolli me shekuj, nuk e lanë atë që të heqë dorë nga organizmi i cili para se të gjithash do të ishte në shërbimin e tij në rrugëtimin drejt shkruarjes së historisë së ardhshme.

Duke qenë se kjo sakrificë është përcjellë ndër shekuj, është tejet e pakuptueshme se si sot ne ballafaqohemi me rrezikun i cili na kanos si shoqëri dhe si komb. Lufta e fundit e cila përcillej me ëndje nga aspiratat e popullit shqiptar kundër kolonizimit të tij nga Serbia, sot është duke u tentuar që të kontrabandohet dhe të shtrembërohet nga rruga e drejtë.

Kontrabandimi i këtij qëllimi, fatkeqësisht, sot është duke u bërë nga individët të cilët dje, sot dhe nesër do të thirren në luftën e drejtë të këtij populli, vetëm mbi bazën e propagandimit që i shërben politikës ditore të një grupi politik i cili sot e mban pushtetin me çdo çmim. Madje edhe kundër vullnetit të popullit!

Ne jemi dëshmitar që kohës së fundit, të gjithë mendojmë se në mënyrë të padrejtë sot tentohet të njolloset dhe të stigmatizohet lufta e popullit tonë! Kjo luftë speciale nuk është kurdisur sot, në mënyrë që të na gjen edhe aq të befasueshëm. Ajo u përcoll nga procese serike e të ndërlidhura njëra me tjetrën! Ndërsa tani, efektet janë vetëm pjesë e rezultatit të cilin e mbollëm dje, për ta korrur sot.

Le ta analizojmë se cila është makineria e cila sot po e dirigjon këtë operacion me mision të caktuar!

Ne sot, çuditërisht, e kemi një strukturë institucionale, e cila me të vërtet e bënë Kosovën sui generis. Kosova sot ballafaqohet me një praktikë institucionale, ku në brendinë e saj e ka një strukturë komanduese me cilësi ekzekutive, e cila nuk ia njeh subjektivitetin, ndërsa e obligon këtë “të panjohur” qe t’i zbaton të gjitha direktivat e kësaj krijese komanduese e quajtur EULEX. Mision i BE-së, i instaluar, parafrazojë ME FTESËN e vet Republikës së Kosovës. Shumë e çuditshme, i ftuari nuk e njeh ftuesin!

Ky mision i cili ka qëndrim neutral ndaj Republikës së Kosovës, sot nga vet republika e Kosovës i njihen tre komponente ekzekutive më vitale; atë nga sektori i policisë, doganave dhe më kryesori – komponenta e gjyqësorit.

Republika e Kosovës shkoi edhe më larg. Ajo nxori edhe një ligj të veçantë me të cilin ia konkretizojë këtij misioni kompetencat në sektorin e gjyqësisë, konkretisht ne gjyqësi dhe prokurori. Ligji për kompetencat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it përcaktojë kompetencën lëndore të gjykatësve dhe prokurorëve duke i dhënë të drejtat për udhëheqjen e procedurave gjyqësore sipas detyrës zyrtare dhe sipas vendimmarrjes së brendshme strukturore të EULEX-it.

Ne shkuam edhe më larg, themeluam edhe Prokurorinë speciale, e cila kinse do t’i shërbente luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar! Por, çka përfituam nga kjo strukturë e specializuar?! Asgjë, përpos disa prokurorë që paguhen gati sa dy herë që kolegët e tyre paguhen nëpër prokurorit themelore dhe atë të Apelit! Kjo prokurori, nuk iu përshtat qëllimit formal për çka është krijuar, por në të kundërtën, ajo shërbejë si institucion shtesë për t’i garantuar EULEX-it kontrollin ekzekutiv!

Andaj, sot të flasësh për themelimin e një gjykate speciale, është njëjtë sikur të vazhdosh rehatin ekzekutive të misionit i cili nuk e njeh themeluesin e këtyre kompetencave! Nuk e njeh këtë Kuvend, nuk e njeh as vet sistemin të cilin e kontrollon! Propozimi i grupit parlamentar të PDK-së për themelimin e një gjykate speciale për krime të luftës, vetëm sa do ta ngrinte pazarin e shantazhit në mes të kësaj qeverie të korruptuar dhe misionit të BE i cili nuk e njeh këtë qeveri.

Kërkesa e PDK-së për këtë strukturë gjyqësore i shërben kësaj aparature e cila sot është duke i zhvilluar këto procese që do të përdoren si mjet i shantazhit në të ardhmen. Propozuesi, pra PDK, ka vetëm një qëllim retorik, t’i gjuaj hi syve popullit, duke ikur nga esenca dhe ajo e domosdoshmja.

E përkrah kërkesën për debat parlamentar për heqjen e mandatit të EULEX nga ky Kuvend, debat i kërkuar nga deputeti, z.Emin Gërbeshi, sepse nevoja është që ky mision, i cili për këto pesë vite nuk bëri asgjë tjetër, vetëm se i joshi pjesëtarët e vet me paga të majme, ndërsa popullin e Kosovës e demoralizojë nga drejtësia dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi.

Andaj, duke e ditur që propozimi i grupit parlamentar të PDK është i qëllimshëm dhe i shërben strukturave, tanimë të njohura, ilegale të saj, që prodhojnë shantazhe dhe individ të dëgjueshëm, nuk mund të përkrahet. Nuk mund të përkrahet propozuesi i cili në çdo moment është i gatshëm që servilizmin e vet ta dëshmojë para ndërkombëtarëve të cilëve edhe sot mendon se do t’i rehatojë me kompetenca të reja edhe në këtë Gjykatë të propozuara nga të njëjtit.

Ne kemi edhe kapacitete dhe bazë të mjaftueshme juridiko-ligjore që të gjitha rastet që ndërlidhen me krimet e luftës, të gjykohen nga gjykatat vendore dhe nga gjykatësit vendor! Këto procedura mund të ngihen edhe nga prokurorët vendor, ku ka bazë dhe përgatitje profesionale.

Por, mungesa kryesore është përkrahja ndaj sistemit të drejtësisë, të cilin me qëllim e sabotojnë, këta që sot e kanë interesin që ta themelojnë një gjykatë të tillë! Në vend të përkrahjes institucionale, këtu është zgjedhur një metodë më e ndryshme! Metoda e krijimit të rrjetit institucional, me qëllim të dekoncentrimit të sistemit gjyqësor, alla përçaje e sundo!

Pra, këta zotëri dëshirojnë që sistemin gjyqësor ta ristrukturojnë edhe më tej, që duke ristrukturuar ta deorientojnë nga pavarësia dhe qëllimi parësor i tij.

EULEX duhet ta mbarojë misionin e tij të dështuar, ndërsa ne, në vend të krijimit të strukturave të reja, duhet të forcojmë këto ekzistueset të cilat janë të mjaftueshme, por jo të përkrahura sa duhet.

(Autori është deputet i Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës)

Më Shumë

Nis Fest 63 në RTSH, 15 artistë prekin sot skenën magjike

Vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e natës së parë të FEST 63 në RTSH që do ngjisë në skenë artistë të ndryshëm,...

Mbyllen 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e...

Lajmet e Fundit