Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka folur për zhvillimet e fundit, në një intervistë për Zona B të Klan Kosovës, ku ka deklaruar se zgjidhja për dalje nga kriza është ose referendumi ose mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe formimi i një Qeverie teknike.
“Mund të shkohet edhe në Referndum. Por më mirë do të ishte shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeveri teknike gjashtë muajshe, apo nëntë muajsh”.
“Megjithatë shkuarja në zgjedhje me këtë Qeveri do ta riciklonte këtë situatë që e kemi, e ne duhet të kemi kujdes që kjo të mos riciklohet”, pohoi Krasniqi.
Krasniqi: Qeveria nuk e kupton Demokracinë
Koalicioni qeverisës nuk e ka kuptuar demokracinë dhe mendon se gjithmonë numrat kanë të drejtë, ka thënë ish-kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, “por siç njihet edhe nga Tocqueville ekziston edhe tirania e numrave”, ka shtuar ish-anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës duke përdorur si referencë filozofin e famshëm francez, Alexis de Tocqueville.
Krasniqi, në intervistën e tij në Zona B të Klan Kosovës tha se “hedhja e gazit lotsjellës nuk është problem edhe pse për syrin e njeriut nuk është e mirë”.
“Unë jam i bindur që jo vetëm këta drejtues, kryeministri dhe zëvendësi i tij që nuk kanë komunikuar më Opozitën, por ata nuk kanë pasur asnjë komunikim normal edhe brenda për brenda koalicionit të tyre”.
“Të gjitha këto e kanë shty opozitën t’i ndërmarr këto veprime dhe pa këto veprime nuk do të bëheshin të zëshme për padrejtësinë dhe dëmet që iu kanë bërë Kosovës nga këto dy marrëveshje”.
“Ndërsa Parlamenti është dashur të kursehet. Kryetari i Kuvendit është dashur të kërkojë që problemet e krijuara jashtë Kuvendit të rregullohen jashtë tij, e jo të bëhet arenë e luftimeve”.
“Kjo situatë ka ardhur këtu, sepse Pozita është komod me numrat. Por edhe sikur të tranoheshin 120 deputetët e Kuvendit e të votonin pro, jam i bindur se kjo është e keqe”, pohoi Krasniqi.
Krasniqi: Po krijohet një problem 100 vjeçar
Problemi që mund ta krijojë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është thjesht një problem momental, por ai do të vazhdojë edhe për 100 vjetët e ardhshme ka thënë ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.
“Jemi duke krijuar problem 100 vjeçar. Ata kanë kompetenca ekzekutive në arsim, në shëndetësi, në polici. Frika është që ka shumë ngjashmëri me Bosnjën dhe një ditë mund të rrëshqitet në atë drejtim. Këto bisedime në Bruksel nuk janë bërë me qytetarët serbë, por me politikanët serbë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij negociatat që do të duhej të ishin teknik janë shndërruar në negociata politike.
“Ne nuk kemi problem me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, problemi është se nuk është bërë fare ky normalizim”.
Për Krasniqin situata e tanishme edhe gjeostrategjikë nuk është fare e pëlqyeshme për Kosovën.
“Tash e kemi një situatë pak më të vështirë, pasi pozicioni i Serbisë është më i favorshëm. Në njërën anë e kemi Rusinë që e mbështet Serbinë dhe BE-në që po mundohet ta tërheq Serbinë nga Rusia edhe në këtë situatë gjeostrategjikë jemi në pozitë të pafavorshme”.
Kurse, duke folur për serbët e Kosovës Krasniqi tha se “nuk po shihet asgjë që është integruar ajo pjesë e Kosovës në ndonjë formë, më tepër kemi një zgjerim të asaj politike sesa integrim”.
Krasniqi: Asociacioni s’ka të bëjë me Pakon e Ahtisaarit
Dokumenti që kornizën Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk ka të përbashkëta as me Kushtetutën e Kosovës e as me Pakon e Ahtisaarit, ka thënë anëtari i Nismës për Kosovën dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Nuk ka të bëjë madje as me “Kartën Evropiane për Vetëqeverisje lokale”, shtoi Krasniqi.
“Në Bosnje pas lufte kështu është filluar me komunat serbe të Bosnjës ku janë quajtur ‘Zajednicë’ është i njëjti term dhe asnjë parim në BE nuk e lejon një ndarje etnike”.
Krasniqi tha se bisedimet në Bruksel nuk guxojnë të krahasone me ato në Vjenë sepse nuk ngjasojnë fare.
“Edhe në Rambuje edhe në Vjenë ka qenë në bisedim edhe dhoma e dytë dhe në mes të dy dhomave përfaqësuesit kosovarë kanë zgjedh 2/3 shumicën e dyfishtë”.
“Në Vjenë është bërë një kompromis i dhimbshëm, por është shpërblyer me shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. E kemi ditur që po bëjmë kompromis, por si rezultat do të ishte Kosova e pavarur”.
“Për çka është bërë kompromisi në Bruksel, ky jo vetëm që nuk është kompromis, është komprometim”, tha Krasniqi.
“Çdo përpjekje për të bërë barazim të bisedimeve të Vjenës dhe Brukselit është e paqëndrueshme. Këto dokumente që ne po i nënshkruajmë nuk kemi marrëveshje të përfunduara, kemi pjesë të marrëveshjeve”, shtoi ai.
“Marrëveshja e 19 prillit në fund të fundit është diskutuar dhe është votuar në Kuvend, ndërsa marrëveshja e 25 gushtit nuk është paraparë fare diskutimi dhe votimi në Kuvend”.
Sipas Krasniqi me marrëveshjen e fundit dhe mospyetjen e Parlamentit të Kosovës u tentua të zhvleftësohet legjislativi.
“Ka qenë një tentativë e hapur për të ia marr fuqinë Kuvendit”.
Krasniqi tha po ashtu se serbët e Kosovës nuk janë problem, por problem është dirigjimi i tyre dhe instrumentalizimi që iu bëhet atyre nga Serbia.
Krasniqi: Pushtetarët në Kosovë janë autoritarë dhe autokratë
Krizat kryesisht ndodhin në demokraci të brishta, por në Kosovë pushteti është shumë autoritar dhe nuk pranojnë argumente, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës, ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Në demokraci gjithmonë ekzistojnë mundësi, sidomos në demokracitë e brishta ekzistojnë mundësitë të ndodhin gjërat e tilla”.
“Kjo ndodh sepse njerëzit në pushtet nuk i respektojnë rregullat e demokracisë, janë më shumë autoritarë dhe autokratë dhe nuk e pranojnë gjuhën e argumentimit”, ka thënë Krasniqi
“Në anën tjetër kemi disa marrëveshje që janë shumë problematike. Mos transparenca, mos komunikimi me opozitën, mos transparenca me nënshkrimin e marrëveshjeve, komunikimi bukur i vrazhdë me opozitën dhe opinionin publik i bërë nga kryeministri dhe ekipi i tij, por thelbi i problemit është te marrëveshjet që janë të këqija”.
Krasniqi ka folur edhe për pozicionin e tij politik kur ishte në krye të Kuvendit të Kosovës dhe tash që i takon Nismës për Kosovën, e cila është pjese e Opozitës në Kosovë.
“Qëndrimin ndaj meje në Kuvend të gjithë e kanë pasur pozitiv, ndoshta për shkak të kaluarës sime dhe raportit korrekt të krijuar mes pozitës dhe opozitës”.
“Tani kemi një realitet pak sa të ri për shumë arsye. Ky koalicion i ri është formuar në rrethana mjaft të ndërlikuara, duke marrë vendime në kundërshtim me shumicën, në asnjë vend nuk ka ndodhur që një shumicë të mos mundet ta formojë koalicionin qeveritar”, tha Krasniqi në Zona B.