Isa Mustafës as gjatë vitit 2016 nuk do t’ia lëshojnë derën hallexhinjtë. Partitë opozitare do të jenë të parët që me anë të protestave do të kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të Hashim Thaçit.
E gjatë janarit të drejtat e tyre me protestë pritet t’i kërkojnë edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Derisa, duarkryq nuk do të rrinë edhe pensionistët e UÇK’së. Edhe kjo kategori ka paralajmëruar protesta gjatë këtij viti, nëse Isa Mustafa dhe qeveria e tij nuk i respektojnë marrëveshjet e arritura me ta.
Një veprim revoltues ndaj qeverisë Mustafa e kanë paralajmëruar edhe mësimdhënësit.
Por, drejtues të Sindikatës së Arsimimit kanë thënë se nuk do të dalin pranë qeverisë për t’i kërkuar drejtat e tyre, ata do të hynë në grevë në të gjitha institucionet arsimore për muajin janar.
Në përgjithësi, viti i ri do të nisë me telashe të mëdha për udhëheqësit.
Kërkohet dorëheqja e Isa Mustafës
Blloku opozitar me datë 9 janar do e bëjë hapjen e fillimit të protestave. Kësaj here me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, si dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi.
“Me 9 janar jemi të bashkuar të gjithë, jo vetëm opozita por çdo qytetar që Kosova të ketë një të ardhme të mirë dhe mos t`i pamundësohet e ardhmja në mënyrë që mos të kontrabandohet me marrëveshjet”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.
E për muajin janar para Qeverisë pritet të mblidhen edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata u deklaruan se nëse gjatë këtyre ditëve nuk dalin pensionet për veteranët e luftës atëherë edhe veteranët do të dalin me protesta për realizimin e qëllimeve të tyre.
Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e veteranëve, Xhevdet Qeriqi, në një prononcim për gazetën Fjala është shprehur se nëse Qeveria e Kosovës nuk i përfundon obligimet e saja kundrejt veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë muaji janar do të jetë ai në të cilin veteranët do ti shprehin pakënaqësitë e tyre me demonstrata kundrejt Qeverisë së Kosovës.
“Ne si këshill e kemi paralajmëruar Qeverinë se në Janar do të dalim me protesta. Tashmë ka filluar shpërndarja e disa certifikatave. Por shumë veteran kanë mbetur pa to. Qeveria mos të na detyrojë që të dalim në protesta”, ka thënë Qeriqi për Gazetën Fjala.
Qeriqi ka paralajmëruar se nëse Qeveria nuk ndërmerr masa ndaj këtyre kërkesave veteranët do të mbajnë edhe protesta të tjera.
“Nëse nuk fillon me dhënien e kontributeve për ushtarët e UÇK-së atëherë dhe ne do dalim Qeveria ka filluar me ndarjen e disa certifikatave për veteranët”, ka shtuar ai.
Veteranët kërkojnë pensionet
Ndërkaq pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po dalin të jenë ‘mollë sherri’, edhe në mes të Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo e fundit ende nuk ua ka lëshuar pensionet shumë prej veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E OVL-e UCK-së po shprehet e ashpër kundrejt qeverisë s ai përket kësaj çështje.
Kryetari i OVL-së, Xhavit Jashari është shprehur se Qeveria e Kosovës duhet ti respektoj marrëveshjet që i ka bërë me veteranët e UCK-së. Ai u shpreh që pensionet për veteranët ende nuk kanë dalë në bankë në formë retroaktive. Jashari ka thënë për Gazetën Fjala se qeveria është e detyruar që ti respektoj marrëveshjet me veteranët.
“Nëse Qeveria nuk jep rezultate, atëherë reagimet tona do të jenë të pashmangshme. Do të detyrojmë Qeverinë që me protesta dhe demonstrata që të na i ndaj mjetet”, ka thënë Jashari për gazetën Fjala.
Edhe Këshilli Drejtues i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK), ka paralajmëruar grevë në të gjitha institucionet arsimore për muajin janar, si shenjë revolte ndaj institucioneve qendrore dhe lokale të shtetit lidhur me qasjen e tyre kundrejt mësimdhënësve në të gjitha komunat e Kosovës.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Gazetën Fjala se ka gjasa që SBASHK-u të fillojë me grevë në muajin janar.
“Nëse pensionet nuk janë përmirësuar dhe nëse Qeveria nuk e rregullon ligjin për benifitet 90-99 atëherë ne do e fillojmë edhe grevën e paraparë. Nëse Qeveria nuk e mbanë premtimin atëherë ne do ta shohim qartë se me datë 27 janar ne do ta fillojmë grevës”, ka thënë kreu i SBASHK-ut. /GazetaFjala