Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve (KML) të UÇK-së ka njoftuar se të hënën do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të vonesave dhe parregullsive tjera që po ndodhin në lidhje me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithëse thanë se do të angazhohen që protesta të jetë paqësore, ata nuk kanë garantuar që gjithçka do të shkojë mirë për shkak të padrejtësive të mëdha që u janë bërë veteranëve nga ana e Qeverisë.
Kryetari i KML të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një konferencë për media tha se veteranët përkundër marrjes së certifikatave, janë ballafaquar me vonesën e marrjes së pensionit që i takon me statutin e veteranit të luftës.
Qeriqi deklaroi se kjo protestë vjen si pasojë e padrejtësive që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Ju njoftojmë se veteranët e luftës ditën e hënë nga ora 12:00 do të protestojnë para Qeverisë së Republikës së Kosovës, për padrejtësitë që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së. Pra, i kemi disa kërkesa, të cilat kërkojmë nga ana e Qeverisë që të përmbushen”, tha ai.
Ai ka lexuar disa kërkesa të Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ndër to edhe atë që Komisioni të ndërmarrë masa rreth lëshimeve që i ka bërë dhe të hiqen nga lista, ata persona të cilët nuk kanë marrë pjesë fare në luftë.
“Qeveria e Kosovës t’i kryejë obligimet që u ka mbetur në borxh veteranëve në pension, prej datës së aplikimit. Komisioni Qeveritar për njohjen e statutit të veteranit të marrë një vendim që t’u hapë rrugë invalidëve, që të aplikojnë për të drejtën në pension. Qeveria e Republikës së Kosovës të emërojë një komision mjekësor, i cili do ta përcaktojë shkallën e invalidit për ata invalidë të cilët nuk e kanë të zgjidhur këtë problem. Kërkojmë nga Komisioni që në kohë sa më të shkurtër të përfundojë shqyrtimin”, ka thënë ai.
Qeriqi shtoi se protesta do të jetë paqësore, mirëpo për këtë nuk mund të garantohet, edhe pse si Këshill do të angazhohen në mbajtjen e rregullit. Ai theksoi se padrejtësitë e mëdha që janë bërë ndaj veteranëve nga ana e Qeverisë, mund të ndikojë në eskalim të situatës.
Sipas tij, nëse Qeveria është e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre, ata mund edhe ta anulojnë protestën.
“Ne jemi të hapur, të hapur deri ditën e hënë në rast se ata pranojnë që t’i përmbushin këto kërkesa, ne do ta anulojmë protestën”, tha ai.
Vlerësohet se rreth 3 mijë deri në 4 mijë veteranë janë ballafaquar me vonesë të marrjes së pensionit.