Pikërisht kur u mendua se gjërat po qartësohen dhe Hillary Clinton nga Demokratët e Donald Trump nga Republikanët po ecnin sigurt drejt fitoreve respektive për t’u shpallur kandidatë të partive të tyre për President, gjërat janë komplikuar përsëri.
Pesë shtetet e radhës kanë votuar dhe fituesit nuk janë ata që supozohej, të paktën jo në përmasën që pritej, njofton Klan Kosova.
Hillary Clinton ka arritur të fitojë vetëm një shtet ndërsa Bernie Sanders ka fituar dy, nga gjithsejtë tri shtete në të cilat votohej për Demokratë.
Clinton ka fituar Louisianan bindshëm, por ka humbur nga Sanders në Kansas e Nebraska.
Kurse në katër shtete që kanë votuar për Republikanët dy i ka fituar Donald Trump e dy të tjerat Ted Cruz. Kandidati tjetër serioz nga Republikanët, Marco Rubio nuk ka arritur të fitojë asnjë shtet duke u gjendur tashmë në një pozitë shumë të vështirë.
Cruz arriti ta fitojë Maine-in dhe Kansasin, kurse Trump fitoi një shtet shumë të rëndësishme siç është Louisiana dhe po ashtu edhe Kentuckyn.
Me dy fitoret e sotme Trump arrin në shifrën e 12 shteteve të fituara, kurse Curz ka gjashtë.
Edhe nga Demokratët Hillary Clinton ka krijuar një epërsi ndaj Sanders. Clinton ka fituar 11 shtete, kurse Sanders ka të fituara shtatë.
Gara do të vazhdojë edhe gjatë, sepse shumë shtete të tjera rreth e për çark Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë mbetur të votojnë dhe numri i delegatëve që duhet të arrihet për të fituar nominimin nga të dy partitë është shumë i madh.
Për ta fituar nominimin për President nga radhët e Demokratëve njëri nga kandidatët duhet të mbledhë 2383 delegatë (përfshirë superdelegatët). Për momentin Hillary Clinton prinë me 1104, kurse Sanders ka 446 sosh.
Ndërsa për ta fituar nominimin nga radhët e Republikanëve nevojiten 1237 delegatë – Donald Trump prinë me 347, Cruz ka 267, kurse Rubio 116.
Derisa të arrihen këto shifra kandidatët do të garojnë mes vete, për të fituar besimin e qytetarëve i cili do të iu nevojitet më shumë se kurrë ditën e zgjedhjeve të përgjithshme për Presidentin e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë caktuar të mbahen me tetë nëntor 2016.