15.5 C
Prizren
E martë, 6 Maj, 2025

Një dritë në pikturat e kujtesës

Piktori Bujar Zela vjen me një ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar

Ka një dritë në tablotë e mëdha që kanë mbushur hapësirën e hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. Një dritë që ti e sheh që larg teksa ngjit shkallët për të bërë një shëtitje bri pikturave plot jetë që Bujar Zela i ka marrë nga studioja e tij në Vjenë, për t’i bërë bashkë në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Një pikturë nuk është e tillë nëse nuk reflekton te ty diçka, dhe tablotë e Zelës ta japin lehtë atë ndjesinë e një komunikimi të heshtur. Me tematika të ndryshme, ajo çfarë i bashkon këto piktura është kujtesa. Piktori është treguar i kujdesshëm që pavarësisht rrugëtimit të tij personal, të mos humbë lidhjen me një realitet që ka qenë gjithë jeta e tij. Shqipëria e kryesisht Tirana, qyteti i tij i lindjes vjen përmes dimensioneve që mbartin brenda dhe dramacitetin e një kaosi që e ka pushtuar sot, nën ndjesinë e bukur të një malli për kohën e dikurshme. Tirana në tablotë e artistit është ajo e një kujtese që është përpjekur që teksa e hidhte në telajo të mos humbte asgjë nga ëmbëlsie e një kohe që kishte kaq shumë dashuri.

Bujar Zela është përpjekur ta kthejë këtë kohë, dhe ti e ndien teksa kalon nga një tablo në tjetrën, ku erërat e së shkuarës të shoqërojnë bashkë me kujtimet e tua personale të fëmijërisë apo adoleshencës së vonë. Artisti ka dashur ta bëjë të përjetshme të shkuarën, duke e sjellë si një zë që kumbon fort për të tashmen, dhe si një mesazh për t’i rikthyer jo vetëm ato rrugë ku praron pranvera, por ato portrete të qeta njerëzish. Jo më kot, ai e ka quajtur ekspozitën “Ndjenja e ngjyrave”, pasi gjithçka për të është ndjenjë, dhe kjo shëtitje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar duket sikur prek ndjenjat e tua. I larguar drejt Austrisë pas viteve ’90, aty ku edhe jeton ende sot, duket se Zela ka ruajtur një identitet të pastër në historitë që mbart çdo pikturë. Ai ka përjetësuar në ngjyrë personazhe që jo vetëm kanë qenë të rëndësishme në rrugëtimin e tij, por edhe tonin.

Aktori Roland Trebicka, piktori Sali Shijaku, aktorët Kadri Roshi, e Sandër Prosi e figura të tjera historike apo kulturore vijnë përmes portretit, një gjini e lëvruar herët prej tij. Nuk mungon as portreti i një vajze siriane, për të treguar ndjeshmërinë ndaj aktualitetit. Kostumi kombëtar është element në disa piktura si një mënyrë për të ruajtur detaje të një identiteti që na veçon. Peizazhe romantike shfaqen në tablonë ku një çadër e kuqe ka mbuluar mendimet e një vajze që ecën në shi. Janë gjithsej 80 punime të më shumë se dy dekadave krijimtari, të përzgjedhura me kujdes me një mori pikturash të tjera që i ka lënë në studion në Vjenë. Nuk mungojnë në këtë ekspozitë dhe pikturat për Vjenën, qytetin që i dha një tjetër dimension krijimtarisë së tij si artist. Qyteti i Moxartit, e ka bërë më të ndjeshëm dhe kjo ndihet në çdo telajo. Janë rrugë të dashura të Vjenës, momente që e lidhin atë me këtë qytet që ka dashur t’i japë përmes telajove që të emocionojnë.

Ky është takimi i parë i artistit me publikun, një takim që ka hezituar ta bëjë këto vite, duke besuar se koha duhet të jetë më shumë për pikturën.

Në Vjenë ai ka prezantuar shpesh punët në galeri private, duke i botuar dhe në katalogë të ndryshëm. “Te krijuesi Zela gjen gjithmonë spontanitetin dhe motivet më të dashura të qytetit që ai banon dhe ekspresivitetin e ngjyrave. Ai i prezanton ndjenjat me ngjyra, po ashtu impresionon dhe fantazinë”, shkruan kritika vjeneze për piktorin shqiptar. “Arti me jetën time është i lidhur ngushtë. Arti për mua është jeta, si çdo njeri që nuk jeton pa frymë, unë nuk jetoj dot pa art. Ama që të jetosh me artin është një rrugë e mendueshme, duhet shumë punë, shumë luftë e shumë iniciativë për të ecur aty dhe shkallët e larta që kërkon të arrish”, thotë ai.

Ekspozita për publikun do të qëndrojë deri më datë 27 mars, në Muzeun Historik Kombëtar. /Shqip/

Më Shumë

Tri shtëpi tradicionale në Prizren drejt restaurimit – dëshmitë e së kaluarës do të ruhen

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka njoftuar në profilin e tij në Facebook se tri shtëpi tradicionale në Prizren janë futur...

Ish-operatori sjell rrëfime nga prapaskenat e Kino Lumbardhit në Prizren

Programi i klubit të filmit Kinemaja e Zgjeruar në Kino Lumbardh në Prizren vijon këtë javë me bisedë dhe shfaqje të filmit, duke shpalosur...

Lajmet e Fundit