22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Falja e të burgosurve në dorë të Hashim Thaçit

Ka dy vite që 1016 të burgosur kërkojnë mëshirë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Mirëpo e para e shtetit gjatë kësaj periudhe nuk e ka falur as edhe një të burgosur që janë në vuajtje të dënimit.

Nëpër të gjitha burgjet e Kosovës janë rreth 1600 të burgosur. Ata do të duhet të presin që kërkesat e tyre t`i dërgojnë tek presidenti i ri Hashim Thaçi i cili do ta marrë zyrtarisht mandatin me 7 prill, të njëjtën ditë kur përfundon mandati pesë vjeçarë i Jahjagës.

Zyra e Presidentes së Kosovës tregoi për Gazetën Fjala se gjatë dy viteve në adresë të presidentes kishin arritur më shumë se 500 kërkesa për falje.

“Në vitin 2015 kemi pas 512 kërkesa për falje. Në vitin 2016 kemi pasur 504 kërkesa për falje”, thuhet në këtë përgjigje.

Megjithëkëtë presidenca nuk u përgjigj kur është pyetur nga Gazeta Fjala për arsyen e mos faljes së asnjë të burgosuri.

Falja e të burgosurve ka filluar të bëhet nga vitit 2009, kur ish presidenti Fatmir Sejdiu pati falur 62 të burgosur.

Betim Musliu drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha se keqpërdorimi i institutit të Faljes Presidenciale në të kaluarën nga ish-Presidentë ka ndikuar në rënien drastike të faljes së të dënuarve në vitet e fundit nga Presidentja Jahjaga.

Sipas Musliut Presidentja Jahjaga duhet të shpreh mëshirën e saj për ata të dënuar që kanë dëshmuar sjellje të mira dhe që plotësojnë kriteret e ligjit për t’i falur.

“Nuk është e drejtë që për shkak të keqpërdorimit të faljes në të kaluarën të pësojnë vazhdimisht të dënuarit që meritojnë falje”.

“Natyrisht, Presidentja nuk është dashur dhe askush nuk duhet të bëjnë shkelje të ligjit, por për ata që meritojnë dhe i plotësojnë kriteret ligjore, falja duhet të zbatohet sepse është një korrektues i mirë që ndikon tek të gjithë të dënuarit e tjerë që të kenë sjellje të mira gjatë vuajtjes në burgje që të ri socializohen dhe thjesht në raste të caktuara falja shërben edhe si institut përmes të cilit korrektohen gabimet e gjykatësve me rastin e shqiptimit të dënimeve”, tha Musliu.

Presidentët e vendit këtë të drejtë ligjore zakonisht e kanë shfrytëzuar më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë së vendit.

Por Musliu thotë se duhet bërë e qartë se Kushtetuta dhe Ligji për Falje nuk kufizohet në data dhe në numër të të dënuarve që mund të falen.

“Në Kosovë është krijuar praktikë që falja e të dënuarve të bëhet me rastin e Pavarësisë së Kosovës, por nuk ka asnjë kufizim që edhe për festa tjera të rëndësishme Presidentja të fal të dënuarit për të shprehur mëshirën e saj ndaj të dënuarve me sjellje të mira”, tha Musliu.

Nga ana tjetër  kryetari i organizatës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMLNj), Behgjet Shala, ka thënë për Gazetën Fjala se mos falja e të burgosurve nga ana e presidentes po u humbë vullnetin atyre pasi qe ata ndihen të diskriminuar që presidentja ka thyer praktikën disa vjeçare për faljen.

Sipas Shalës mos falja dhe moszbatimi i praktikës nga presidentja ndikon në rebelimin si dhe ngjallë konflikte në burgje nga të burgosurit.

“Është gjithçka në rregull që presidentja t’i fal të burgosurit, ngase ata ka dy vite që presin mëshirën e saj. Është pa koment që për dy vite mos të falet asnjë i burgosur nga ana e presidentës “, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.

“Presidentja është dashur që me falje t’i inkurajojë me falje të dënuarit”, ka shtuar Shala. Ai shpreson që presidenti i ardhshëm  i Kosovës, Hashim Thaçi mos ta ndjekë praktikën e Jahjagës dhe t’i fal të burgosurit.

“Nuk është asgjë që dikush që është i  dënuar me 40 vjet burg t`i falen 4 vite, dmth të burgosurit nuk po falen nga burgu, por atyre në këtë mënyrë u ipet përkrahje dhe një mundësi për përmirësim”, ka shpjeguar Shala.

Presidentja Atifete Jahjaga në vitin 2014 për herë të fundit kishte falur dënimin e të burgosurve, me vendim të saj ishin falur vetëm 2 nga 515 sa kishin kërkuar.  /Gazeta Fjala/

Më Shumë

Fillon realizimi i projektit për restaurimin e shtegut drejt Kalasë së Prizrenit

Ka nisur shtrimi i shtegut drejt Kalasë së Prizrenit. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës në zonën e nënkalasë, duke...

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Lajmet e Fundit