5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tourenne: Beogradi interes për Zogun, hodhi para në llogarinë e tij

71453Të duhet një grua Ahmet, herët a vonë. Kurrë nuk është parë një mbret pa mbretëreshë.
– Ç’flet dhe ti! Këtu jemi në Shqipëri, jo në ndonjë fshat të Hungarisë. Ajo për të cilën njerëzit interesohen këtu, nuk është statusi im, por gjaku im. Unë jam i biri i Xhemal Pashë Zogut, trashëgimtar i…
– E di, e di, – i thashë, duke i dhënë shishen e rakisë, – bëra shaka, Ahmet.
– Rri e pyes veten nganjëherë, nëse nuk do të kishte qenë më mirë ta kisha rrëmbyer, thjesht, – psherëtiu ai.
Termi ‘zogist’, që me kohë do të njihte ditë të bukura, lindi tamam në atë epokë dhe kuptonte turmën e njerëzve mediokër që ndiqnin Ahmetin symbyllur. Një tufë mustaqellinjsh, llafazanësh të zhurmshëm, feudalësh që i ishin nënshtruar Zogut, reformistësh të bindur se ai përpiqej për të mirën e përgjithshme e mbi të gjitha ata që pasi kishin qëndruar për një kohë të gjatë kurrizpërkulur, nuk dinin më të qëndronin drejt dhe kërkonin autoritetin, sikundër qeni kërkon një zot.
Zogistë e antizogistë
Për sa u përket miqve të detyruar, atyre që forca a shantazhi i kishte detyruar të rreshtoheshin pas më të fortit, ata ishin të gatshëm në çdo orë të braktisnin anijen. Nga ana tjetër e barrikadës, tufa e antizogistëve ishte e një përbërjeje më të mirë. Pa u mëdyshur fare, Fan Noli atyre u shtonte edhe atë që ai quante ‘popull’. Tashmë në Shqipëri cilësonin si opinion publik, term që më parë ishte krejt i panjohur, mendimin e disa krijesave koti, që krejt papritur u bënë të një rëndësie thelbësore. Ahmeti zgërdhinte dhëmbët, i brengosur nga kthesa që morën ngjarjet:
– Ja, më akuzojnë se e kam marrë pushtetin pa miratimin e popullit. A thua se ndonjë nga këta deputetë u ka kërkuar mendimin bujqve që i ushqejnë.
Demokracia ra mbi Shqipëri sikundër gërbula në Mesjetë, pa bërë dallim, duke ngjallur kaos në kalim e sipër. Nuk ishte demokraci në kuptimin e vërtetë, më tepër i ngjante një demokracie primitive, që i nevrikoste fshatarët analfabetë dhe kështu ata mendonin se i kundërviheshin pushtetit të uzurpuar. Me kalimin e kohës kam kuptuar se në thelb ky është parimi i të gjitha demokracive moderne…
Bota e Ahmetit u shemb pas disa muajsh, si një kështjellë rëre. Ka diçka magjepsëse në këtë mekanikë të dështimit, tipike e Ballkanit, e aftë që brenda disa javësh të arrijë atë që krizave evropiane do t’u duhen dhjetë vjet.
NOLI
Vetëm Fan Noli e dinte për çfarë fliste dhe sipas rastit vishte kostume të ndryshme, duke përshtatur fjalimet, madje edhe pozat: peshkopi fliste në emër të zotit, politikani në emër të popullit, burri i njohur në emër të traditave, shqiptari në emër të armëve.
Ahmeti ishte i hipnotizuar nga prestigji i funksionit të tij, i titullit që mbante, po kurrizin nuk e përkuli.
– Nuk kam arsye të tërhiqem, jam kryeministër, – më përsëriste me pamje monarku, kur merrja në sy ta këshilloja të hollonte me ca ujë verën e tij.
Kështu ndodhi që ai e pa me sytë e tij rënien, i mbështjellë me krenarinë e dëshpëruar të shpresave të mëdha që po shuheshin.
Në atë vend ku nuk kishte mundësi të tjera argëtimi, ku kinemaja ishte ende një mit, fushata elektorale njohu një sukses të madh. Parlamenti u bë një vend zbavitjeje, gjithkush vinte të jepte mendimin e tij te dyert e sallës. Noli arriti të fitojë tridhjetë e pesë vende, nga nëntëdhjetë e pesë gjithsej dhe Ahmeti mori dyzet, një pjesë të mirë me kërcënime, premtime e duke manovruar nën tavolinë. Të tjerët, që u mblodhën nën emrin e keqzgjedhur të të Pavarurve, u rreshtuan me druajtje pas shumicës. Menjëherë u fol për skandal dhe qeveria u akuzua se kishte bërë presion mbi ta. Opozitarët nxituan të ngrenë shtabin në Vlorë. Zogun, që tashmë nuk qeveriste, e kërcënuan me rrufetë e pakënaqësisë popullore. Ai ngriti supet. Kryengritja shpërtheu në Veri e pastaj në Jug të vendit. Një pjesë e mirë e ushtrisë u josh nga fjalët e sheqerosura të Fan Nolit. Dhe ky pastaj e quajti të nevojshme të bënte thirrje për kryengritje të armatosur.
Peshkopi nuk kërkonte një ndarje të re e aq më pak një përvojë të re si ajo e Mirditës. Ai donte Shqipërinë dhe për këtë do t’i duhej të qëronte jo një qeveri, por një njeri.
– Qeveria do të lërë Tiranën, – më tha Ahmeti, duke ardhur një mëngjes në parlament. Ushtria e Fan Nolit, e përforcuar nga kryengritës të të gjitha ngjyrave, ishte vetëm pak kilometra jashtë qytetit. Prej disa ditësh po e ndjeja frikën e një përplasjeje, të një lufte civile, që me tre të shtëna topi do ta kishte shndërruar në gërmadhë një kryeqytet, edhe ashtu tepër modest.
Në Beograd…
– Sot në mbrëmje ne do të nisemi për në Beograd.
– Beograd? Po nuk ka shumë kohë që ne masakruam njerëzit e tyre në Prizren.
– Mos u shqetëso. Kam vendosur një urë me jugosllavët. Ata nuk kanë ndërmend të jetojnë gjithë kohën me kujtimin e Mirditës. Ajo që u intereson tani është që të luajnë me karta të mira. Mërgimi në Beograd do të jetë i shkurtër e aq. Pas disa muajsh do të kthehemi. Unë nuk kam marrë fund, Kurt.
As që e vë në dyshim, – fola, pa besuar asnjë grimë në fjalët e mia.
Beogradi na u shfaq si një kurtizane, plot hire e parfume. M’u duk sikur po kthehesha nga syrgjyni e jo e kundërta. Iu kthyem jetës mondane, që na kishte munguar aq shumë. Nga një restorant në një pritje, nga një vallëzim në një tavernë, ne po zbulonim edhe një herë jetën midis kotësive.
Ndërkohë që Ahmeti ishte lëshuar dyerve të ambasadave, unë u dhashë pas një historie, që do ta quaja dashuri, në mungesë të një termi më të përshtatshëm…
Kjo parantezë vazhdoi nja gjashtë muaj, aq sa iu desh Fan Nolit të ngecte në baltë. Unë qepa një kostum të ri, nxora veglërinë time të diplomatit dhe iu kushtova pritjeve, ku krijoja lidhje që më shërbenin për të bërë aleanca me njerëz me peshë në Beograd. E pëlqente apo jo, qeveria e Beogradit ishte e interesuar për kthimin e Ahmetit në Shqipëri. Prandaj dhe nuk kurseheshin në derdhjen e shumave të mira në llogarinë e tij bankare. Shoqëritë naftënxjerrëse, duke qenë pak të prira të hynin në bisedime me atë që në Shqipëri quhej revolucioni demokratik borgjez, u treguan po aq zemërgjera sa edhe mikpritësit tanë dhe i hapën mirë qeset. Pa lëmoshën e tyre – që e dinim mirë sa pa interes ishte – është e sigurt se ne nuk do ta kishim parë më Tiranën. Naftënxjerrësit ishin barometri ynë, rrallëherë qëllon të vënë bast për kalin e keq.
Angus Mak Nall na siguroi për mbështetjen Anglo-Persiane, duke investuar në armët tona pa bërë hesap, si të qe duke shpuar puse nafte. Në një telegram të gushtit 1924, na dha të kuptojmë se, po ta deshte puna, do të mund të blinin edhe mbështetjen e të shumëmoralshmes Lidhje të Kombeve.
Ne pajisëm ushtrinë tonë të vogël, që Beogradi na kishte lejuar ta strehonim në një kazermë të sajuar në afërsi të kufirit.
Ahmeti më ngarkoi të rekrutoja mercenarë, që do t’u shtoheshin njerëzve të Beogradit.
Gjithsesi dua që jugosllavët të jenë më të pakët në numër, – këmbëngulte Ahmeti.
… Ngjau që, në një klub të zgjedhur, në qendër të qytetit, u njoha me Dimitri Nikolajeviç Anakhin-in.
Anakhini mbërriti në kohë. Përfytyrimi im i parë për këtë kapiten të dikurshëm rus i afrohej disi idesë që kisha për Antikrishtin; pothuaj dy metra e gjatë, i rëndë si një buall, si i gdhendur me sakicë, leshverdhë, qimeshkurtër, me sy në gri aq të çelur, sa kur e shihje në disa kënde ngjante si i verbër. Mbante veshur një mantel të gjerë të zi, nën të cilin dukej një kostum me vija, e megjithatë në vështrim të parë të shtinte ethet e vdekjes.
… – Po filloj nga buxheti.
Bah, – ia bëri ai plot gëzim, – kur bëhet një pazar, ka një që humb gjithnjë në kohë…

(Marrë nga romani historik “Ahmet Zogu. Një mbret në Shqipëri”)

Më Shumë

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

Zafir Berisha garën për deputet e fillon nga vendlindja

Kandidati për deputet i koalicionit Nisma-AAK, Zafir Berisha, ka filluar betejën politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nga fshati i lindjes, Billushë. “Ky është...

Lajmet e Fundit