17.6 C
Prizren
E mërkurë, 6 Gusht, 2025

Ekzili i papërballueshëm

Në shkurt 1942, Stefan Zweig dhe gruaja e tij e re bënë vetëvrasje në Brazil. Shteti brazilian, në nder të shkrimtarit, mbajti një ceremoni mortore shtetërore, me pjesëmarrjen e presidentit të vendit, Getulio Vargas. Lajmi për vetëvrasjen e Zweig  u përhap shpejt në të gjithë botën dhe mediat më të rëndësishme shkruan për të.

Në atë kohë, Zweig ishte një nga autorët më të njohur dhe veprat e tij ishin përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja.

Sipas një prej miqve të tij më të mirë, novelistit Irmgard Keun, Zweig ishte një njeri që, pavarësisht vuajtjeve, ishte i paaftë të urrente dhe mbase kjo e çoi drejt vetëvrasjes.

Vetëvrasja e Stefan Zweig shkaktoi reagime të ndryshme. Tomas Man, pa diskutim lideri i shkrimtarëve gjermanfolës në ekzil, nuk e fshehu indinjatën ndaj atij që cilësoi si një akt frikacakësh. Në një telegram, Man nuk i kurseu vlerësimet për talentin e mikut të tij, por në të njëjtën kohë nuk pajtohej dot me veprimin e tij.

Qëndrimi i Man bëhet edhe më i qartë në një letër dërguar një miku e kolegu shkrimtar: “Zweig nuk duhej t’ua jepte nazistëve kënaqësinë për ta paraqitur veprimin e tij si triumf të tyre. Nëse Stefan do të mund të ushqente më tepër urrejtje për ta, nuk do ta kishte ndërmarrë aktin e vetëvrasjes”.

Pse e kishte kaq të pamundur Zweig të ndërtonte një jetë të re në ekzil?

Stefan Zweig nuk kaloi ndonjëherë momente terrori në jetën e vet, as nuk kishte qenë i detyruar të largohej nxitimthi nga vendi i tij, përkundrazi kishte pasur luksin të zgjidhte edhe destinacionin. Ai e la Austrinë dhe shtëpinë e tij të bukur në Salzburg në vitin 1933, duke shkuar në Britaninë e Madhe dhe duke lënë pas gruan e tij Friderike dhe dy vajzat e saj. Ndryshe nga kolegët e tij gjermanë, përshirë edhe Tomas Man, të cilët e lanë Gjermaninë kur pushteti i Hitlerit ishte fuqizuar, pa shpresë për t’u kthyer më deri në ndërrimin e regjimit, Zweig ishte i lirë të udhëtonte mes Londrës, Vjenës dhe Salzburgut edhe për 5 vite të tjera. Madje, pasaporta austriake e lejoi edhe të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën e Jugut.

Fuqizimi i pushtetit të Hitlerit ndikoi, në fakt, në krijimtarinë e Zweig, pasi ai humbi botuesin e tij. Gjithsesi, në fillim të vendosjes së regjimit nazist, veprat e Zweig vazhdonin ende të qarkullonin në Gjermani.

Vitet e para të ekzilit nuk ishin të vështira. Stefan dhe gruaja e tij kishin marrëdhënie mjaft të mira, madje ai i kërkoi së shoqes t’i gjente një sekretare kur u shpërngul në Londër. Ajo zgjodhi një refugjate gjermane,  Lotte Altman, një grua e re dhe serioze, me të cilën Zweig pati një histori dashurie dhe u martua disa vite më vonë.

Në vitin 1935, Zweig mbërriti në Nju Jork; ishte në kulmin e krijimtarisë së vet. Zweig e dinte që nuk ishte romancier i kalibrit të Tomas Man, e megjithatë shitjet e librave të tij kishin thyer rekorde ndërsa në Gjermani u dogjën bashkë me librat e Frojdit dhe Ajnshtajnit. Zweig asnjëherë nuk u bë politikisht aktiv, asnjëherë nuk u shpreh hapur kundër regjimit të Hitlerit. E megjithatë, ishte pikërisht pushteti i këtij të fundit që e demoralizoi.

Më 7 dhjetor 1941, kur Zweig dhe gruaja e tij Lotte ishin në Brazil, japonezët sulmuan flotën amerikane në Pearl Harbor. Një ditë më pas, Shtetet e Bashkuara shpallën luftë. Zweigu edhe një herë u përfshi nga paniku. Ai i trembej një pushtimi të mundshëm gjerman në Amerikën e Jugut.

Në këtë kohë ai punoi me librin e fundit, “Novela e Shahut”, ku për herë të parë përfshiu në përmbajtje elementë të regjimit nazist. Zweig e përfundoi novelën më 22 shkurt. Të nesërmen, ai dhe e shoqja u gjetën të vdekur. /Botime Shqip/

Më Shumë

Kosova U14 gati për turneun FIBA YDF – Përzgjidhen 14 vajza dhe 14 djem nga Kampi Nacional në Prizren

Pas përfundimit të Kampit Nacional të Federatës së Basketbollit të Kosovës të mbajtur nga 21 deri më 26 korrik në Prizren, janë përzgjedhur lojtaret...

Pse nuk i kuptoj biznesmenët e Shqipërisë

Nga Ben Blushi Njoh shumë nga biznesmenët e Shqipërisë. Janë manipulatorë të admirueshëm. Ata kanë një teknikë marramendëse për të t’i nxjerrë paratë nga xhepi. Me të njëjtën...

Lajmet e Fundit