5.1 C
Prizren
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Hapet edicioni i 12-të i “Dokufestit” në Prizren

Dokufesti hapetFluturakja grafike e ilustruar në muret e vjetra në hyrje të kinemasë “Lumëbardhi” në Prizren ka mirëpritur mysafirët në natën e hapjes së edicionit të 12-të të festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest”, që sivjet synon t’i thyejë kufijtë përmes paraqitjes së krijimeve nga regjisorë të ndryshëm botërorë.

Para nisjes së “fluturimit” nëpër botë për të parë tregimet e ndryshme për ngjarje, vende e njerëz, të ftuarit në ceremoninë e hapjes kanë pasur rastin që të ndjekin një performancë artistike prej afër 20 minutash, që njëherësh ka qenë edhe mirëseardhja në “Dokufestin” e 12-të që ka për moto “Theji kufijtë”. Në kuadër të kësaj paraqitjeje është përmendur se zyrtarët me pasaporta diplomatike mund t’i kalojnë kufijtë e caktuar që janë të pakalueshëm për qytetarët e thjeshtë. Por, është përmendur edhe vënia e kufijve në raportet ndërnjerëzore qofshin ato mentalë, gjinorë politikë, a klasor. E udhëtimi filmik ka nisur pikërisht me dokumentarin që trajton çështjen se pse njerëzit tregojnë rrëfime. “Stories We Tell” (Tregimet që i rrëfejmë) i autores Sarah Polley ka nisur me rrëfimin e brendshëm në familje. Në natën e parë të edicionit të 12-të të “Dokufestit” janë shfaqur 7 filma dokumentarë në 4 kinema të ndryshme.

Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet gjatë nëntë ditëve të festivalit do të shfaqen 250 filma, prej të cilëve 106 në programin garues.

“Ky është programi më i madh që ndonjëherë ka pasur “Dokufesti””, ka konfirmuar Nurkollari, transmeton Koha.

Drejtori ekzekutiv i festivalit, Eroll Bilibani, ka sqaruar se krahas 200 mysafirëve të botës së filmit, në organizimin e sivjetmë janë angazhuar rreth 200 persona, ku numrin dërrmues e përbëjnë vullnetarët e rinj të festivalit. “Urojmë që ky numër i madh mysafirëve do të na ndihmojë në thyerjen e kufijve, çfarëdo qofshin ata. Besojmë se pas përvojës së tyre në Prizren ata do të bartin fjalën e mirë për këtë vend dhe njerëzit e këtij vendi”, është shprehur Bilibani.

Por projektimi i filmave nuk është ndodhia e vetme në “Dokufest”. Të shtunën për herë të dytë ka nisur punën punëtoria “Kino Prizreni”, që ka mbledhur mbi 20 të rinj nga Kosova, Shqipëria e rajoni, të cilët do të krijojnë filma me buxhet shumë të vogël apo edhe pa buxhet gjatë ditëve të festivalit.

“Kjo punëtori është pjesë e lëvizjes botërore të krijimit të filmave pa buxhet, ku pjesëmarrësit ndihmojnë njëri-tjetrin”, ka thënë Berat Brestovci, drejtues i punëtorisë. Sipas tij, filmat e realizuar do të shfaqen në këtë edicion të “Dokufestit”.

Në ditën e dytë të festivalit pritet që të shfaqen 25 filma në 6 kinema të ndryshme, gjatë programit të ditës dhe natës. Të dielën i zhvillon punimet edhe paneli i parë në këtë edicion i titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën”.

Më Shumë

Murati: Sot dalin pagat e sektorit publik dhe shtesat prej 100 eurosh

Ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur një konferencë për media. Ai në fjalën e tij para mediave u shpreh se...

Restaurimi i rrugës “Marin Barleti” në Prizren: Mbi 1 milion euro të shpenzuara, puna vazhdon

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Ceku, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizituan dje punimet në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, ku...

Lajmet e Fundit