Drejtori i Inspektoratit, Bedri Bytyqi, ish-drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu, si dhe drejtori i Emergjencave, Bedrija Ejupagiq po dyshohen për dy vepra penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, si dhe mos evitim të rrezikut.
Tre zyrtarë të komunës së Prizrenit janë duke u hetuar nga prokuroria, me dyshimin për neglizhencë në rastin tragjik të shembjes së një shtëpie në qendrën historike të Prizrenit, ku gjeti vdekjen trevjeçarja, Xheneta Gashi në qershor të këtij viti.
Hetimet kanë filluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se gjatë periudhës kohore janar e deri më 06.06.2016 në Prizren, në cilësinë e personave përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, të tre të pandehurit, në kundërshtim me detyrimet dhe fushë veprimtarinë e tyre të përcaktuar me ligj, nuk kanë ndërmarrë masa për vendosjen e pajisjeve përreth shtëpive me predispozitë të shembjes, për të evituar veprimin e rrezikshëm, mbrojtjen e kalimtarëve dhe njerëzve të cilët banonin përreth. Andaj, nga mosveprimi i këtyre të pandehurve vjen deri të shembja e objektit të vjetër – një shtëpie në rrugën “Marin Barleti”, me ç ‘rast nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur.
Po ashtu, të pandehurit në periudhën e njëjtë kohore nuk kanë ndërmarr paraprakisht masa për evitimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët përreth shtëpisë me predispozitë të shembjes, e cila ndodhej në rrugën “Marin Barleti”, në zonën e qendrës historike të Prizrenit dhe nga mos ndërmarrja preventive e masave mbrojtëse nga personat përgjegjës të lartpërmendur, gjatë shembjes së shtëpisë, nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur. /PrizrenPress.com/