Shkruan: Prof. dr. Hajdin Abazi (Lum Haxhiu)
Afrim Mustafa, “Bardhësitë e atdheut”, enciklopedia për 2 500 dëshmorë të tri ushtrive çlirimtare: UÇK-së në Kosovë, UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe UÇK-së në Maqedoni, Botoi Autori, Shtëpia Botuese “Newborn Publishing”, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Prishtinë dhe Radio “Zëri i Sharrit”, Kaçanik – Ferizaj, mars 2016
Bardhësia, simbol i dritës dhe i së mirës…
Autori Afrim Mustafa ka ndërmarrë një punë tepër të madhe e të mundimshme për të krijuar, po të shprehem metaforikisht, një antologji të të pavdekshmëve, përkatësisht një kompilim të një kompozicioni të tërësisë së dëshmorëve të atdheut, të çlirimit e të lirisë. Nuk ka mirënjohje më të mirë sesa kjo që mund t’u shprehet dëshmorëve: ata mbeten kështu përjetësisht në kujtesën tonë.
Të shkruhet një antologji apo të kompilohet një kompozicion me të pavdekshmit, me dëshmorët e kombit, është një ndërmarrje me shumë të panjohura, që kërkon shumë angazhim, mund, këmbëngulje, durim dhe përkushtim. T’i përpilosh biografitë, t’i mbledhësh të dhënat, t’i sistemosh ato, ta përshkruash aktin e rënies, është një punë e cila kërkon angazhim në terren, sa në një cep të atdheut, sa në tjetrin, sa në lindje, sa në perëndim, sa në veri, sa në jug. Ky është një angazhim i cili kërkon të hedhë dritë mbi jetën e atyre që vetë u shkrinë e u shndërruan në dritë, në liri.
“Bardhësitë e atdheut” i publicistit Afrim Mustafa është një metaforë shumë e qëlluar. Bardhësia është simbol i së mirës, i dritës, i mirësisë, i përparimtares, i ndryshimeve pozitive, sinqeritetit dhe çiltërsisë, dashurisë hyjnore për atdheun. Duke i shfletuar faqet e këtij libri, të duket sikur po ecën një rrjedheje shekullore të sakrificës, të flijimit e të mundit, përpjekjeve dhe organizimeve për mbrojtjen e ruajtjen e qenies kombëtare dhe të atdheut tonë, kundër të cilave ndër shekuj janë ndërsyer shumë lakmitarë të huaj, pushtues të egër, njëlloj si këta të fundit, serbët, të cilët krahas dhunës ndërmorën edhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova vetëm e vetëm për ta serbizuar atë, për ta shndërruar dhunshëm në tokë serbe. Ata që e ndalën këtë revan serbomadh e etnocid të tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e më trimat e saj ishin ata që ndodhen brenda këtyre kopertinave, sepse këta derdhën gjakun e flijuan jetët e tyre për të ndalur etnocidin, në mbrojtje të identitetit shqiptar dhe të atdheut ilirik.
Libër që nderon kurbanet e lirisë sonë…
Duke i shfletuar faqet e këtyre “Bardhësive të atdheut”, në fytyrat e çdo dëshmori sheh urrejtjen për robërinë, etnocidin, diskriminimin dhe dashurinë për atdheun, për vendlindjen, për të afërmit e farefisin. Të gjithë këta nuk janë vetëm se kurban të lirisë sonë, kurban që me vetëdije të plotë dhe me gatishmëri sypatrembur shkuan në altarin e sakrificës, me qëllim që të shpëtohet atdheu, të shpëtohet populli, të ruhet shqiptarizma dhe të sendërtohet liria, liria për të gjithë e për çdo njërin, pa përjashtim dhe pa diskriminim. Ata ishin kryengritës dhe amanet na e lanë atdheun, kombin e lirinë, të cilat ne duhet t’i ruajmë e t’i zhvillojmë në vazhdimësi. Sepse, pa atdhe e pa komb, nuk jemi as ne, nuk kemi emër, pra identitet dhe mund të jemi gjithkushi e askush; identiteti është çështja jetike për individin, si njeri, por edhe për kolektivin, si komb. Identiteti na bën të ndjehemi ashtu sikurse jemi, ashtu sikurse duam të ndjehemi, dhe siç duam ne vetë, pa na detyruar askush ndryshe ose pa asnjë imponim. Ky është parimi themelor i lirisë, e cila, për t’u përmbushur, kërkohet edhe respekti i ndërsjellë, toleranca dhe mirëkuptimi, jetesa në paqes, stabilitet e liri, ku të gjithë së bashku e secili veç e veç mund të sëndërtohemi, ashtu sikurse ndjehemi, natyrisht pa e cenuar lirinë dhe të drejtën e askujt tjetër. Kaq e thjeshtë, por edhe kaq thelbësore, është kauza për të cilën flijuan jetët e tyre, në të tria luftërat çlirimtarët, dëshmorët e atdheut, ata që shkuan në pavdekësi.
Ky libër është i një rëndësie të veçantë. Ky është një libër me karakter historik, sepse rrëfen për ata që e bënë historinë me gjakun e jetën e tyre. Është një libër me karakter faktografik, sepse sjell të dhëna, evidenca dhe fakte, madje të shtrirë në të tria luftërat çlirimtare, që nga fillimi e deri te fundi i tyre. Është një libër me karakter edukativ, sepse duke u treguar brezave të rinj për ata që flijuan jetën për lirinë, i mësojnë ata se sa e shtrenjtë është liria, se sa shumë kërkohet të duhet, të çmohet e të ruhet ajo. Është një libër kujtesë, sepse si një kompozicion në pikturë, ka mbledhur emrat e dëshmorëve të kombit në luftërat e fundit çlirimtare, i ka futur brenda dy kopertinave dhe mjafton të hapen ato, për t’u shpalosur sakrifica, flijimi dhe rëniet në altarin e lirisë.
Natyrisht, të gjitha këto vetëm në nismë. Që të bëhet tamam i këtillë, ky libër kërkohet të plotësohet edhe më biografi të dëshmorëve të tjerë të kombit . Që të përmbushet misioni i këtij libri, ai pra duhet të shtohet, të pasurohet dhe të përplotësohet me të dhëna, me fakte e me fotografi. Kështu që autorin e pret një punë e madhe edhe në të ardhmen, në përpjekjen për të realizuar projektin e tij të nisur me këtë libër. Uroj që autori t’ia dalë me punën e tij dhe ta begatojë galerinë e të të pavdekshmëve të këtij libri. Po qe se arrin ta bëjë këtë, autori do të krijojë në plotësi një kryevepër që të pavdekshmit t’i mbajë përherë pranë nesh, me ne e në mesin tonë dhe përditshmërisht.
(Autori i këtij recensioni është njeri nga eprorët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktualisht është ambasador i Republikës së Kosovës në Suedi)