32 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Mashtrimi i madh me vizat

Pushteti joserioz lë në izolim kosovarët. Para pak muajsh na thoshin se është në dorën e BE-së vendimi, kurse tash e pranojnë se e kanë në duart e tyre liberalizimin e vizave, raporton Gazeta Kosova Sot

Lajmi më i ri dëshpërues për agjendën e liberalizimit të vizave për kosovarët është parë nga analistët dhe subjektet politike të opozitës, si një shuplakë e re shumë e rëndë për Qeverinë e Kosovës, e cila ka më shumë se një vit që po luan lojë të pandershme, mashtruese e dyfytyrëshe me këtë proces. Krerët e institucioneve dhe zyrtarët e ministrive të ndryshme, ka kohë që po e mashtrojnë popullin me mënyrën e komunikimit të procesit dhe obligimeve që duhet të kryhen për liberalizimin e vizave, pasi një herë thanë se varet nga BE-ja, se këta i kanë kryer të gjitha detyrat, e tash po e thonë të kundërtën, e shpikën Demarkacionin me Malin e Zi si kriter të ri fantom dhe fajin përsëri po e bartin te vetja.

Është një vlerësim i analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, sipas të cilëve Bashkimi Evropian po e ndëshkon lidershipin qeverisës të Kosovës, e për pasojë edhe qytetarët e Kosovë, me mosliberalizim të vizave për shkak të korrupsionit galopant dhe jo për ndonjë arsye tjetër.

“Shtyrja e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës pikësëpari vjen si pasojë e aktorëve politikë vendorë, që ende nuk kanë dëshmuar pjekuri politike për të qenë të gatshëm për një sfidë të tillë që është hap shumë i rëndë- sishëm për të ardhmen e vendit”, tha për “Kosova Sot” njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrime, Adlum Ramadani.

Proceset integruese, në rrezik

Sipas Ramadanit, mospërmbushja e kritereve bazë nga institucionet vendore, padyshim se dënohet përmes shtyrjes së procesit, i cili si i tillë pastaj ndikon edhe në agjendën politike të vendit si prioritet që në rrethana të tilla që ka Kosova padyshim se është shqetësuese, pasi mbyllen dyert për çështje të tjera të rëndësisë së veçantë për të ardhmen integruese të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

“I ashtuquajturi kriteri i korrupsionit, padyshim se është njëri ndër elementet që gjithsesi se duhet luftuar përmes mekanizmave kompetentë, por që në rastin e Kosovës ka dështuar të japë rezultate frytdhënëse pikërisht për faktin se të njëjtat mekanizma janë instrumente me agjenda politike, të cilat shfrytëzojnë imunitetin ligjor për t’u dalë në krahë atyre që do duhej të ishin prapa grilave”, tha ai.

Sipas tij, kjo klasë politike e papërgjegjshme po rrezikon jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe shumë procese të tjera të rëndësishme të agjendës së integrimit evropian dhe hapjes ndërkombëtare.

“Në suaza të tilla, Kosova rrezikon jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe të ardhmen euro-atlantike, rrugëtim ky që do t’i siguronte Kosovës të ardhme me prosperitet, mirëqenie sociale dhe padyshim kushte sigurie, faktorë kyçë që tashmë kanë filluar të marrin rrugën drejt humnerës së famshme të vendeve që nga fatkeqësia rrëshqitën në shtete të dështuara për t’u udhëhequr pastaj në regjime autoritare-diktatoriale”, tha Ramadani për “Kosova Sot”.

BE-së nuk i ngutet për Kosovën

Edhe analistja e fushës së integrimeve evropiane nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike Albana Merja vlerëson se me mënyrën e votimit dhe interpretimit të këtij procesi nga Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, LIBE, u pa që Kosova me hapa është duke stagnuar në procesin e liberalizimit të vizave, përkundër premtimeve të deritanishme pompoze e kontroverse të qeveritarëve.

“Votimi i djeshëm në Komitetin për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, LIBE, tregoi që në këto momente Kosova si asnjëherë më parë e ka humbur mbështetjen e Parlamentit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave. Deputetët votuan pro raportit të Fajonit për liberalizimin e vizave me Kosovën, por në anën tjetër kundër propozimit të përshpejtimit të këtij procesi. Kjo e fundit e fut Kosovën në një procedurë më të zgjatur drejt lëvizjes së lirë”, theksoi ajo.

“Evidenca në luftimin e krimit të organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionit në nivele të larta, vazhdon të mbetet një ndër kërkesat kryesore nga ana e BE-së. Përveç luftimit të këtyre dukurive, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës, Parlamenti dhe institucione të tjera relevante, të fillojnë një proces të lobimit intensiv dhe të koordinuar, në mënyrë që të garantojnë që do të ketë rezultat pozitiv, gjatë votimit të amendamenteve në seancë plenare të Parlamentit Evropian”, tha Merja për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Posta e Kosovës me pullë postare për 100-vjetorin e IKShPK-së

Për nder të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot...

203 studentë dhe 50 nxënës përfitues të bursës komunale në Rahovec

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka takuar studentët që ndjekin studimet në universitetet publike, në profile dhe drejtime të ndryshme. Në këtë takim,...

Lajmet e Fundit