Nxënësit e fshatit Gjonaj janë detyruar që ta fillojnë edhe një vit të ri shkollor në objektin e vjetër të shkollës, pasi objekti i ri ende nuk është bërë gati.
Këshilltari komunal Haziz Hodaj, që vjen nga ky fshat, tha për “Kosova Sot” se fshati ka rreth 6 mijë banorë rezidentë e jorezidentë, derisa është i privuar nga infrastruktura elementare. Ai shprehet se është strëzgjatur përfundimi i projektit të objektit të ri të shkollës. “Këtë vit është pritur që të fillojë viti i ri shkollor në këtë objekt e në fakt ka filluar në objektet e vjetra”, ka thënë Hodaj,shkruan Gazeta Kosova Sot.
Hodaj, njëherësh veprimtar i hershëm i fshatit Gjonaj, thotë se shqetëson fakti që banorët e këtij fshati janë harruar nga pushteti lokal. “Veçanërisht është keq për nxënësit vonesa e projektit në rregullimin e objektit shkollor në fshatin Gjonaj, gurthemeli i të cilit është vënë para sa vitesh”, thotë Hodaj. Ai thotë se në vend se objekti të ishte i gatshëm që të vihet në dispozicion nxënësve, ai po dëmtohet nga njerëz të papërgjegjshëm sepse është lënë pas dore. Ai paralajmëron ankesa edhe në organe të tjera, siç është Inspeksioni Shtetëror i Arsimit. Ai me këtë rast ka akuzuar edhe pushtetin lokal për papërgjegjësi ndaj qytetarëve e posaçërisht fëmijëve të këtij lokaliteti, duke shtuar se zvarritja e realizimit të këtij projekti dëshmon papërgjegjësinë që ka pushteti lokal.
“U zgjaten veshët” duke pritur
Në anën tjetër, drejtori i ri për arsim në Prizren, Zihadin Shemsedini, tha se për këtë çështje do të angazhohet maksimalisht, dhe se sipas tij ai veçse ka kontaktuar punëkryesit në realizimin e këtij projekti. “Përderisa të jetë i gatshëm ky objekt, nxënësit e këtij lokaliteti edhe për një kohë mësimet do t’i ndjekin në objektet e vjetra në kushte tejet të vështira”, ka thënë Shemsedini, derisa shton se ky rast nuk është i vetmi në komunën e Prizrenit.
Edhe stafi i shkollës janë të shqetësuar për vonesat. “Aktualisht fshati Gjonaj ka dy objekte shkollore dhe ka 912 nxënës, por që të dyja këto shkolla nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat e shkollës”, pohon drejtori i shkollës, Latif Çoçaj. Kurse për objektin e ri të shkollës në këtë fshat, ai pohon se kjo shkollë na i “zgjati veshët” dhe ende s’po kryhet. “Moti ka filluar që në vitin 2010, por ajo nuk përfundoi akoma. Siç duket ajo duke u ndërtuar filloi të vjetrohet”, pohon ai për “Kosova Sot”.
Mirëpo, drejtori i Arsimit në Prizren, Zehadin Shemsedini pohon se sa i përket shkollës në Gjonaj, vitin e kaluar kishte pasur të zotuara 92 mijë euro për ta përfunduar komplet pagesën e projektit, por punëkryesi nuk i ka kryer punimet. “Me këtë premtoj se paratë e planifikuara unë do të angazhohem maksimalisht për kat rast… më shumë nuk di çka të them”, ka thënë Shemsedini. Ndryshe, për gati një vit në këtë shkollë punëkryesi nuk ka punuar pothuajse asgjë dhe objekti ka nisë të shkatërrohet. “Javën që vjen do të mbahet një takim me punëkryesin dhe me mbikëqyrësit e pastaj të shohim nëse dëshiron të punojë ai apo t’i ndërpritet kontrata, si i papërgjegjshëm në punë”, ka thënë drejtori Shemsedini.
Punëkryesit i duan paratë pa u kryer punët
E njëjta situatë është edhe me shkollën në Dedaj, ku punëkryesi nuk i ka përfunduar punimet, edhe pse Komuna ka zotuar shumën e nevojshme në vlerë prej 39 mijë euro. Edhe në Gjonaj edhe në Dedaj, punëkryesit kanë kërkuar që t’u paguhet para se të kryhen punimet paratë, por një gjë të tillë nuk e lejon ligji, meqë pagesat bëhet në bazë të faturave dhe proceseve mbi kryerjen e punimeve.
Ndryshe, banorët e Gjonajt kanë edhe ankesa të tjera. Edhe pse është fshat ku kalon Drini i Bardhë që i jep hijeshi këtyre viseve, banorët vuajnë për ujë të pijes. Për këtë ka dhënë vërejtje edhe këshilltari Haziz Hodaj. Sipas tij, ende ka reduktime të ujit në këtë fshat të Hasit, dhe kjo është për të ardhur keq.
(Kosova Sot)