32 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025

Mirë se vini në ferr!

Një grafit i vendosur në hyrje të kryeqendrës së Kosovës, përkatësisht tek rrethi afër Qendrës Spitalore, në gjuhën angleze shkruan “Welcome To Hell” (Mirë se vini në ferr!) Dhe grafitet përbëjnë gjuhën më shprehëse të kohës në të cilën prodhohen.

Në fakt ky grafit është krejt në analogji me konstatimin e Adem Damaçit se Kosova është shndërruar në një kënetishtë.

Kënetishta nuk është gjë tjetër, pos sinonim i ferrit. Sigurisht që ky grafit nga pushtetarët mund të cilësohet si një shprehje dëshpërimi ose pesimizmi i çastit nga ndonjë individ i mbetur margjinave të kryeqendrës, por nuk është kështu. Është dëshmuar se pesimistë janë optimistët me përvojë. Dhe në fakt vetëm pesimistët kanë të drejtë brenda kësaj shoqërie që vlerësohet si më optimistja në rajon dhe më gjerë.

Vetëm pesimistët me përvojë optimizmi mund ta demantojnë këtë marrëzi ordinere të optimizmit të rrejshëm, të krijuar nga kjo klasë politike, e cila nëpërmjet zhvillimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka arritur ta kriminalizojë edhe shoqërinë.

Në këtë mënyrë kënetishta në formë paradoksi ngjet në një parajsë për hajnat dhe kriminelët, për të shpërfaqur imazhe të gjalla nga “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit.

Në kontekst të kësaj çështja është si të dilet nga këtu.

Zor, shumë zor. Parlamenti Evropian në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se nuk ka liberalizim vizash, përkatësisht dalje nga kënetishta, pa përmbushjen e dy kushteve kryesore, zhvillimin e luftës kundër krimit e korrupsionit dhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Tanja Fajon, raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, pas votimit në komitetin LIBE, ku nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë se tani topi është në duart e kosovarëve, përkatësisht në duart e klasës politike, e cila kurrë nuk ka qenë më e ndarë dhe më e përçarë në gjithë këto vite të pasluftës.

Kjo klasë politike e ka shumë zor të dëshmojë shenjat e një lufte kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sepse kjo mbase na shpie deri tek konstatimi i Paolo Borselinos se politika dhe mafia janë dy pushtete që synojnë pushtetin mbi të njëjtin territor, prandaj ose bëjnë luftë të ashpër mes vete, ose bëjnë marrëveshje për të ndarë pushtetin mes tyre.

Sigurisht që ne jemi dëshmitarë të kësaj të dytës, prandaj paqja e tyre del të jetë robëria jonë, përkatësisht vendosja jonë nën ligjin. E në një vend ku nuk ka barabarësi në drejtësi, rrjedhimisht nuk ka as liri.

Shi për këtë, si shoqëri, edhe jemi futur në një gjendje apatike, kaq të rrezikshme për vendin; nuk çajmë më kokën as për krimin, as për korrupsionin, as për Demarkacionin, as për Asociacionin. Tashmë asnjë iniciativë qytetare nuk ka më shumë se kuptimin simbolik. Duket sikur lufta zhvillohet për t’u bërë pjesë e paqes mes mafisë dhe politikës (pushtetit) e jo për të ndërruar gjendjen, e cila seriozisht kërcënon dështimin e shtetit të bërë me sakrifica shumë të mëdha. Nuk ka zë të arsyeshëm për rrënimin e konstruksioneve, rrënimin e gënjeshtrës dhe mashtrimit dhe për ndërtimin e udhës të së vërtetës.

Lëvizja “Vetëvendosje!”, që funksionon si një sekt politik, ka pushtuar hapësirën e opozitës dhe të shoqërisë civile dhe në asnjë rast nuk lejon që qytetarët të mund të protestojnë mbështetur mbi kauzën e vetme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shtyllë bazë kjo mbi të cilën ngrihet paqja e mafisë dhe politikës.

Nëse kjo shtyllë vazhdon të ambalazhohet nga LVV-ja me agjenda të ndryshme etnonacionaliste, veç sa ka për t’ia zgjatur jetën krimit të organizuar dhe korrupsionit, niveli i të cilave matet me nivelin e varfërisë. E për sa kohë krimi dhe korrupsioni janë në rritje, në rritje është edhe niveli i varfërisë, përkatësisht përpjekja për të mbijetuar.

E në një gjendje të tillë apatike askush nuk do të çajë kokën për Demarkacionin dhe për Asociacionin, sepse shtylla e së keqes gjendet në Prishtinë e jo në Çakorr e as në Ibër.

Më Shumë

Nuk ka konstituim të Kuvendit as pas 26 përpjekjesh

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në përpjekjen e 26-të. Edhe sot dështoi formimi i komisionit për votim të fshehtë...

Ariu me këlyshë shfaqet pranë shtëpive në Mushtisht

Banorët e fshatit Mushtisht të Suharekës janë shqetësuar sërish pas paraqitjes së një ariu me dy këlyshë në afërsi të shtëpive të tyre. Në një...

Lajmet e Fundit