21.7 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025

Kosova, ‘parajsë’ e krimit dhe korrupsionit

Në raportin më të ri të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar që të jetë 3.6 %, përderisa vitin e kaluar ishte 3.9 %, derisa investimet e huaja direkte kanë rënë për 36 % në gjysmën e parë të vitit 2016, ndërsa papunësia ka shënuar rënie nga 35 % në 32.9 %. Së këndejmi të zvogëlohen shifrat e papunësisë në një shtet normal do të ishte një lajm i mirë, por kur arsyeja është migrimi i madh i qytetarëve të Kosovës, atëherë kjo është tepër brengosëse. Qytetarët janë duke jetuar në një shtet ku shumica e popullatës të pakënaqur me mënyrën e qeverisjes së kësaj klase politike, (pozitë e opozitë), qysh prej vitit 1999 e këndej, po kërkojnë çdo mundësi për t’u larguar nga Kosova, ngase qytetarët veç tjerash janë lodhur nga qeverisjet e njëpasnjëshme dhe kur në baza ditore po e shohin se shteti është shndërruar në një arenë të përleshjeve verbale, ndërsa nëntoka po përfiton dhe po i shtyn edhe më shumë këto konflikte, derisa edhe rreziku nga shpërthimi social, çdo ditë e më shumë po rritet. Për pasojë mijëra kosovarë po detyrohen të emigrojnë çdo vit në vendet e BE-së, në kërkim të një jetese më të mirë, ngase, siç duket, me nivelin aktual ky brez, por edhe ai i riu, do të plaken në varfëri dhe papunësi.

Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se parashikimet e Bankës Botërore për rritje ekonomike të Kosovës për vitin 2016 në 3.6 % nuk janë në përputhje me nivelin e zhvillimin ekonomik të vendit dhe rënien e investimeve të huaja në Kosovë, të cilat kanë pësuar rënie për 36 %.

“Andaj, zvogëlimi artificial i shifrave të papunësisë nuk po vjen si rrjedhojë e rritjes ekonomike, por si rrjedhojë e zvogëlimit të numrit të popullsisë, si pasojë e migrimit të madh të qytetarëve, të cilët po kërkojnë çdo mundësi për t’u larguar nga Kosova si pasojë e kësaj klase të papërgjegjshme politike (pozitë-opozitë), ku vetëm gjatë këtyre dy vitev kanë migruar drejt vendeve të BE-së, në kërkim të një jete më të mirë. Kësisoj rritja e varfërisë në njërën anë dhe pamundësia e lëvizjes së lirë (shkaku i mosliberalizimit të vizave), në anën tjetër dita-ditës është duke e shtuar rrezikun e shpërthimit të ‘bombës’ sociale, e cila mund ta sjellë vendin në një situatë të paparashikuar politike, ku shteti mund të shndërrohet në një arenë përleshjesh frontale mes grupeve të pakënaqura dhe pushtetarëve”, ka vijuar më tej ai.

Zeqa ka nënvizuar se me nivelin aktual të zhvillimit ekonomik dhe keqqeverisjes së vendit jo vetëm brezi aktual, por edhe brezi i ri rrezikojnë të plaken në varfëri dhe të pashpresë për të jetë në vendin më të pasur me resurse natyrore dhe me pasuri marramendëse nëntokësore.

“Përndryshe, aq e pashpresë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një ‘bombë’ sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme për këtë klasë të shëmtuar kusarësh politikë”, është shprehur Zeqa.

Ndërkaq, sociologu Fadil Maloku thotë se Kosova edhe në sferën e organizimit social dhe ekonomik, e të mos flitet për atë ‘katastrofik’ politik, po dëshmohet si një “parajsë” e krimit dhe korrupsionit, gjë që dëshmohet edhe nga të dhënat e fundit.

“Shtegdaljen nga ky kaos politik (sepse s’ka konsolidim të institucioneve), ekonomik (sepse investimet e jashtme po rrudhen), social (sepse mungojnë dëshmitë relevante për reduktimin e papunësisë), kulturor (sepse krizologjia e vlerave po vazhdon), etj. Andaj edhe qytetarët kosovarë po shohin vetëm në arratisje, qofshin ato edhe spektakulare (nuk zgjedhin mënyrë për ta bërë këtë) dhe klandestine”, shprehet ai.

Tutje, Maloku ka shtuar se në fakt kjo qeveri, sipas të gjithë këtyre indikatorëve dhe parametrave të Bankës Botërore, po dëshmon se nuk është në nivel të përgjegjësive të marra nga elektorati kosovar, derisa, sipas tij, edhe frustrimi dhe pakënaqësia ndaj kësaj mënyre të qeverisjes katastrofike duket me autosugjestionin e rrethanave, ku në vend të rebelimit qytetar po kanalizohet në drejtim të ikjes apo zbrazjes së Kosovës. Kjo sipas tij do të ketë pasoja shumë afatgjata në kuotimin e demografisë dhe konfigurimit social.

“Ky proces, devijant do të prodhojë edhe reperkusionet e kontestimit të shtetndërtimit, sovranitetit dhe demokracisë (komponenta të munguara në gjithë këto vite të pasluftës!), si synime strategjike. Andaj, gjithë këtë arratisje masive dhe çka është më interesant, të pakontrolluar nga ana e institucioneve përkatëse, po e stimulon në heshtje dhe me indiferencë të habitshme edhe faktori ndërkombëtar brenda Kosovës, derisa Kosova ngadalë, por sigurt dhe heshtazi, po shndërrohet në një eldorado krimi, korrupsioni e sjelljesh devijante”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot”, Maloku.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot” se rritja ekonomike prej 3,6% , e parashikuar nga Banka Botërore, është një rritje e paqëndrueshme dhe nuk do të ndikojë në një rritje të mirëfilltë ekonomike në të ardhmen. Kjo për arsye që, sipas tij, kjo rritje ekonomike është e bazuar në konsum dhe në blerje të banesave dhe lokaleve afariste nga diaspora jonë, derisa shtoi se nuk do të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike pa rritje të prodhimit vendor dhe zëvendësimin e produkteve të importit me ato që prodhohen në vend. Sipas tij, ky përmirësim është i paarritshëm në kushtet e rënies së vazhdueshme të investimeve të huaja dhe atyre vendore.

“Ulja e normës së papunësisë nga 35% në 32% ka ardhur vetëm si rezultat i largimit të njerëzve të aftë për punë në botën perëndimore, ku edhe ky largim i fuqisë punëtore për në botën perëndimore do të ketë pasoja afatgjate në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e bilancit tregtar. Derisa Maqedonia ka arritur të ketë eksport vjetor prej 6 miliardë euro, në anën tjetër Kosova ka ngelur në shumën prej 300 milionë. Pra, Maqedonia ka një eksport 20 herë më të lartë se ne, ndërsa disa analistë tanë të ekonomisë po e quajnë shtet të falimentuar. Të ardhurat kombëtare për kokë banori Maqedonia i ka 3,8 më të larta se Kosova. Andaj, ne duhet ta ndjekim shembullin e Maqedonisë për thithje të investimeve të huaja dhe të rritjes së eksportit e jo ta kritikojmë atë”, ka potencuar Abazi. /Kosova Sot/

Më Shumë

Policia e Prizrenit konfirmon sulmin ndaj deputetit Adem Hoxha dhe familjes së tij

Policia e Kosovës ka konfirmuar se deputeti Adem Hoxha është sulmuar pasditen e djeshme në fshatin Zlipotok të Dragashit. Sipas autoriteteve, ai është paraqitur në...

Prizreni blindon portën me gjermanin Geerts Pascal

FC Prizreni ka kënaqësinë të njoftojë transferimin e portierit gjerman Geerts Pascal, i cili vjen nga klubi SV Arminia Hannover, raporton PrizrenPress. Me një gjatësi...

Lajmet e Fundit