16.8 C
Prizren
E enjte, 29 Maj, 2025

Prizrenasit tani e një dekadë, në pritje të teleferikut për Kala

Kërkesa për teleferik në Kala të Prizrenit ka filluar tani e një dekadë më herët. Kërkesa e parë erdhi nga një bashkëvendas yni në Kroaci, Lumni Lushaj, i cili atëbotë erdhi më një numër ekspertësh kroatë, pikërisht për projektin e teleferikut për në Kala të Prizrenit. Këtë projekt pastaj në fushatë e ka përdorur edhe PDK-ja e Ramadan Mujës. Megjithatë, me gjithë premtimet e shumta, tani e një dekadë prizrenasit vazhdojnë të jenë në pritje të teleferikut për në kala.

Derisa flet për gazetën “Kosova Sot” për projektin e teleferikut, ish-kryeshefja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tani kryetare Grupit parlamentar të LDK-së, Mybera Mustafa, tregon se për teleferik patën treguar interesim edhe sllovenët. Qytetarët e Prizrenit shprehen se ky projekt pos që do të ishte në shërbim të turistëve, do të ishte edhe një lehtësim për qytetarët e Prizrenit.

“Mirëpo, befasisht kjo si nevojë shumë emergjente nuk u bë deri më tani”, shprehet Emrush Gashi, pensionist.

“Ne tani e sa vite po presim që të ngrihet ai ashensor sepse edhe ne që nuk po mundemi në ngjitemi në kala, po kemi dëshirë ta dalim atje në teferiç e ta shohim njëherë Prizrenin në pëllëmbë dore”.

Edhe pensionisti Halil Berisha shprehet se teleferiku është i domosdoshëm për të moshuarit.

“Ne s’po kemi këmbë mu ngjitë atje dhe ta marrim ajrin e pastër”, thotë ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Projekti shtyhet nga viti në vit

“Këso kërkesa dhe mijëra të këtilla kanë prizrenasit tani e nga koha e pasluftës. Por, kjo është shtyrë deri më tani”, pohon për gazetën Bashkim Gashi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prizren.

Qytetarët presin më shumë mbështetje nga zyrtarët e lartë qeveritarë që ta shtyjnë përpara këtë projekt të shumëpritur për qytetin e Prizrenit.

Kujtim Gashi, kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit shpjegon se në seancën e fundit të KK të Prizrenit është votuar konkluzioni, që kjo pikë të shtyhet në mënyrë që të shihen mundësitë që Prizreni të gjejë përkrahje për projektin. Ndërsa, në takimin e parafundit të Komitetit për Politikë e Financa, këtë pikë me çdo kusht është munduar ta fus për seancë edhe drejtori i sapoemëruar i Urbanizmit, Visar Islamaj.

“Po kjo është njëra ndër detyrat tona primare. Kurse më duhet të them se teleferiku ka qenë edhe premtim i fushatës së kryetarit Muja. Besojmë se kësaj radhe do ta shtyjmë përpara këtë projekt kaq të rëndë- sishëm për Prizrenin”, thotë Islamaj.

Shkallë lëvizëse apo teleferik

Nga ana tjetër kryesuesi, Kujtim Gashi, shpjegon se ekzistojnë dy opsione për realizimin e këtij projekti: shkallët lëvizëse ose teleferiku. Përderisa zyrtarët institucionalë theksojnë se krijimi i qasjes së re në Kala është kërkesë e grupeve të komunitetit, në anën tjetër njohës të pavarur të trashëgimisë kulturore konsiderojnë se veprimet në këtë drejtim duhet të jenë shumë të matura dhe të studiuara në hollësi. Në të kundërtën, sipas tyre, mund të sjellin pasoja të pariparueshme për monumentin arkeologjik dhe prishjen e origjinalitetit të Qendrës Historike të qytetit. Madje, reagime kundërshtuese ka pasur edhe dy vjet më parë, kur ishte prezantuar një propozim nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prizrenit për ndërtimin e shkallëve lëvizëse që çojnë në Kala.

Kuvendi Komunal i Prizrenit me shumicë votash, në mbledhjen e 8 shtatorit të këtij viti ka votuar për ta themeluar komisionin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit për përzgjedhjen e projektit për qasje në Kalanë e Prizrenit, përmes shkallëve lëvizëse – teleferikut.  Tashmë komisioni është themeluar ndërsa anëtarë të komisionit janë: Kujtim Gashi, kryesues i komisionit, Visar Islamaj, drejtor i Urbanizmit, Senad Haliti, zv. kryesues i komisionit, Samir Hoxha, drejtor i QKRT-së, pastaj Memnuna Hajdini, Naser Bresa Sevil Kazaz, Bujar Nerjovaj të gjithë këta nga subjektet politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Po ashtu në ekip janë edhe Shaip Kryeziu dhe Bari Zenelaj nga shoqëria civile.

Projektuesi do të përcaktohet për pozitën më të mirë të shkallëve lëvizëse-teleferikut e kjo mund të jetë përballë objektit të Lidhjes së Prizrenit, ose në lagjen “Marash”.

“Por përpara se projekti të realizohet duhet të bëhen studime, se në cilën pjesë është i realizueshëm projekti”, pohon për “Kosova Sot” kryesuesi Kujtim Gashi.

“Ne do të shpallim konkurs dhe më i miri do ta fitojë këtë projekt”, ka thënë ai. /Kosova Sot/

Më Shumë

Pas dy muajsh hetime, arrestohet i dyshuari për sulm seksual në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve të zhvilluara ka arrestuar një person të dyshimtë për sulm seksual. Në raportin 24-orësh të Policisë së...

Zhegrova, afër transferimit te Napoli

Ylli kosovar Edon Zhegrova pritet të bëhet transferimi i parë i kampionit të Italisë, Napolit, në afatin kalimtar të verës. Shuma e transferimit të tij...

Lajmet e Fundit