20.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Letërsia shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor

Çmimi Nobel për letërsi ndahet çdo tetor, siç kërkohet në testamentin e shkencëtarit Alfred Nobel dhe atë për njeriun që ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të vlefshme me një drejtim ideal. Është paralajmëruar se këtë vit ky çmim do të ndahet më 13 tetor. Për çmimin dhe për gjasat që Ismail Kadare të jetë fitues, për Gazetën Zëri vlerësojnë tre nga krijuesit dhe studiuesit e letërsisë sonë, të cilët edhe janë nga njohësit më të mirë të veprës së Kadaresë.

Agron Tufa: Duhet theksuar fort, që në fillim: çmimi “Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh. Është fakt, se “Nobeli” për më se një shekull ka evidentuar vlerat më të bukura artistike dhe humane të letërsisë botërore dhe ka shërbyer si një sistem referimi për shijet e mira estetike dhe edukative, që orientojnë tregun dhe trendin e lexuesit serioz. Por është fakt gjithashtu, se lista e “nobelistëve” fitues është zbehur jo pak herë nga lista e “nobelistëve” jo fitues. Dhe në disa raste kjo është kaq flagrante, sa hedh hije të fortë dyshimi si për nga kriteret e përzgjedhjes së fituesit, ashtu dhe për vetë Testamentin e Alfred Nobelit, që ky çmim t’i jepet atij shkrimtari që sjell risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë. Mjafton të kujtojmë disa nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, tashmë klasikë të përbotshëm të fondit të artë letrar të shekullit XX-XXI, të cilët nuk e morën: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, Marsel Prust, Franc Kafka, H.L. Borhes, F.G. Lorka, Vladimir Nabokov, Italo Calvino, Umberto Eko, Milan Kundera, Zbignjev Herbert etj, etj. Madje ka raste kur profili i nobelistit është ulur në nivele të rëndomta sipas meje, deri tek Dario Fo, Alise Monro, Svitllana Aleksieviç, etj.

Kemi pasur mjaft kohë të gjatë të mendojmë, analizojmë e krahasojmë për një pikë të katërt: a e meriton menjëmend një vlerësim të tillë vepra e Kadaresë. Dhe përgjigja ime, absolute dhe e bazuar në bindje nga krahasimet është, se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, e ka merituar gjithmonë këtë vlerësim, që me nominimin e parë për kandidat të “Nobelit” në vitin 1992 e deri më sot. Kombi shqiptar, i cili shenjë vendimtare të identitet të tij ka gjuhën shqipe, ka nevojë të shënjohet përmes kësaj gjuhe e kulture me një çmim Nobel. Kjo është ajo që bota na ka borxh, të na japë atë që na takon, të na shenjojë si kulturë e gjuhë, përmes instrumentit të saj më besnik, që në këtë rast është shkrimtari Isnail Kadare, kandidati çerekshekullor për çmimin Nobel në letërsi.

Ag Apolloni: Për shumë shkrimtarë, shkencëtarë dhe humanistë, javët e para të tetorit janë javë të etheve. Në këto javë ka tepër tifozë, shumë kandidatë dhe pak fitues. Nobeli është një çmim që e kthen vëmendjen e krejt botës kah letërsia, shkenca dhe humanizmi. Fatmirësisht shqiptarët kanë fituesit e tyre në shkencë (Ferid Murati) dhe humanizëm (Nënë Tereza) dhe një kandidat të përhershëm dhe serioz për letërsi (Ismail Kadare).

Gjithsesi, sa herë që vjen koha për ndarjen e çmimit Nobel, kemi një atmosferë garuese dhe debatuese. Në mesin e shqiptarëve, kryesisht debatet lidhen me emrin e Kadaresë, edhe pse s’mund të mohohet fakti që shumë lexues shqiptarë kanë edhe shkrimtarë të tjerë të preferuar, që janë pjesë e kësaj gare, si: Roth, Adonis, Nooteboom, Murakami etj. Ismail Kadare këtë vit është ndër emrat më të përmendur dhe, sikur të shpallej ai fitues, do të ishte një nder i veçantë për të dhe për letërsinë shqipe. Vetë Kadare nuk ka nevojë për famë, prandaj atij do t’i mjaftonte vlera monetare, ndërsa fama dhe nderi do t’i përkisnin letërsisë shqipe, të cilën tashmë ai e ka futur në hartën e letërsisë botërore.

Dëgjova që sivjet për herë të parë kemi edhe një shkrimtar nga Kosova, Rexhep Qosjen. Qosja, pa dyshim, është një shkrimtar i madh, por propozuesit e tij për Nobel nuk janë për t’u marrë seriozisht. Prandaj uroj që në vitet në vazhdim, institucionet serioze të Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të nominuar shkrimtarë kosovarë për çmim Nobel. Nga nominimet nuk humbasim asgjë, por mund të fitojmë një çmim, që do të ishte njohja dhe mirënjohja më e madhe për Kosovën

Ndue Ukaj: Letërsisë shqipe i mungon nobeli. Shkrimtari i parë i nominuar për këtë çmim ishte Gjergj Fishta, ndërsa për shumë vite vazhdon të jetë Ismail Kadare, emri i të cilët përflitet si favorit i denjë. Në këtë pikë, nuk ka asnjë arsye për mëdyshje. Kjo për faktin se kultura letrare suedeze, ashtu sikurse pjesa dërmuese e kulturës botërore, është në kontakt të vazhdueshëm me veprën e

tij. Ajo botohet, lexohet dhe vlerësohet. E te ne, sa herë vjen vjeshta e Nobeli, ndizen gjakrat dhe shpërthejnë akuza të gjithfarshme në llogari të emrit dhe veprës së Kadaresë.

Një kontingjent karagjozësh e mohojnë, pa e lexuar fare veprën e tij. Disa të tjerë, duke u nisur nga premisa tjera- të ngushta e ideologjike- e shigjetojnë, po ashtu, pa asnjë arsye. Dhe s’duan të dinë se vepra e Kadaresë ka zënë majat e letërsisë së përbotshme. Jo me juri e vlerësime të komiteteve tona soc-realiste, as të kuzhinave politike të partive e ideologjive të majta a të djathta, por nga elitat e mendimit letrarë botëror. Ndaj, e di se është klishe të përsëritet, por dua ta ripohoj: Ismail Kadares është nga autorët më të mirë planetar, dhe si i tillë, pa hamendësime, e meriton Çmimin Nobel. Vepra e tij letrare nuk ka nevojë të certifikohet. Ajo është certifikua, pranuar dhe vlerësuar universalisht, dhe në këtë pikëpamje, ka një mendim të pranuar gjithandej në qarqe të rëndësishme letrare botërore. Romanet e tij lexohen me ëndje, studiohet me përkushtim dhe admirohet në gjithë planetin. Ai, për shume njohës te letërsisë, veç është në një rrafsh me nobelistë të shumtë. Nga ana tjetër, duhet përmendur: ka shkrimtarë të mëdhenj, që s’e kanë marrë Çmimin Nobel. Njeri nga ma të ndritshmit e të gjitha kohërave, është Jorge Luis Borges. E tjetri, Ernesot Sabato. Mirëpo, si pa Borgesin, ashtu edhe pa Sabaton, letërsia e përbotshme, do te ishte shumë ma e varfër. Të njëjtën gjë e them edhe për veprën e madhe të Kadaresë, pa të cilën, letërsia e përbotshme, do të ishte shumë më e varfër. Letërsia shqipe ka nevojë për dinamitin kulturor që e dhuron Nobeli. Për të, ka nevojë gjuha shqipe dhe kombi shqiptar, që të hyjnë në vallen e popujve që kanë fituar nobelin e letërsisë. Kjo s’është pak, përkundrazi, është shenjë kulture, dëshmi e lartësisë dhe e vlerës

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Fabrizio Romano poston foton me Kylian Mbappen: “Ja ku po shkojmë”

Kylian Mbappe është rrugës për t’u bërë galaktiku i radhës i Real Madridit. Sulmuesi francez njoftoi fundjavën e kaluar se po largohet nga Paris Saint-Germain. Natyrisht...

Lajmet e Fundit